Dita Botërore e Teatrit po i gjen teatrot kosovare në gjendje jo të favorshme për zhvillimin e tyre, kanë vlerësuar artistët e teatrit.
Megjithëkëtë, në Teatrin Kombëtar në Prishtinë ata kanë shënuar këtë ditë me një ceremoni rasti, në të cilën janë nderuar artistët për arritjet e tyre.
Aktorja Kumrie Hoxha ka thënë se jo vetëm Dita Botërore e Teatrit duhet ta tërheqë vëmendjen e shoqërisë kah teatri.
“Njëzeteshtatë marsi gjithmonë është ditë zyrtare e teatrit. Në shumë mënyra, çdo ditë do të duhej të konsiderohej si ditë teatri, pasi që neve na takon përgjegjësia për ta vazhduar traditën e argëtimit, arsimimit dhe përndritjes së publikut, pa të cilin nuk do të mund të ekzistojmë”, ka thënë aktorja Kumrie Hoxha.
Teatri Kombëtar i Kosovës ka nderuar aktoren Drita Krasniqi, me çmimin vjetor për vepër jetësore. Aktorja Krasniqi ka thënë se ky çmim paraqet një nderim për gjithë gjeneratën e aktorëve, së cilës i takon edhe ajo.
“Është shumë mirë që ky çmim ekziston dhe është mirë që të jepen këso çmime derisa aktori është ende aktiv dhe në kulmin e karrierës së vet, e jo të pritet para pensionit”.
“Më vjen mirë që jam e para nga gjenerata ime që e marr këtë çmim. Kjo është sikur e gjithë gjenerata ka marrë këtë çmim - unë ashtu e konsideroj dhe ashtu e vlerësoj”, është shprehur Krasniqi.
Ndryshe, Teatri Kombëtar i Kosovës ka ndarë edhe çmimet për dramat e shkruara më të mira gjatë vitit 2009.
Çmimi i dytë i ka takuar Arbër Dragushës për dramën “Përtej kufijve të pushtetit”, ndërkaq, çmimi i tretë dramaturgut Fadil Hysaj për dramën “Shtëpia në ankand”.
Megjithëkëtë, çmimi vjetor “Katarina Josipi” për dramën kombëtare më të mirë të shkruar, nuk i është ndarë asnjë dramaturgu.
Jeton Neziraj, drejtor artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës, ka thënë se në konkurencë kanë qenë 26 drama.
“Asnjëra prej këtyre dramave në konkurrencë nuk mund të veçohet për të marrë çmimin e parë. Në juri ka mbizotëruar mendimi se konkursi ‘Katarina Josipi’ do të mbajë një kriter më të avancuar për çmimin e parë, në mënyrë që të mbrohet prestigji i tij”, ka shpjeguar Neziraj.
Në anën tjetër, Burbuqe Berisha, drejtore e Teatrit Kombëtar të Kosovës, ka vlerësuar se gjendja e përgjithshme e teatrove në Kosovë nuk është e favorshme.
“Gjendja e teatrove në Kosovë nuk është në nivelin e duhur, për arsye të shumta. Duhet t’i hapim dyert dhe zemrat sidomos ne që udhëheqim institucione, që të përkrahim sa më shumë krijues, sa i përket lëmit të dramaturgjisë, regjisë dhe aktrimit”.
“Fundja ky është vendi ynë dhe ne duhet të lansojmë sa më shumë njerëzit tanë me vlera të larta dhe të dimë t’i plasojmë edhe në botën ndërkombëtare”, ka thënë Berisha.
Ndërkaq, sipas dramaturgut Neziraj, teatrot kosovare po përjetojnë krizë të thellë dhe për këtë gjendje fajëson mosinteresimin e politikanëve për të investuar në teatro.
“Në vend që të ofrojnë alternativa dhe mundësi për zhvillimin e teatrit, kanë krijuar një prej krizave më të thella, siç është rasti i Teatrit të Gjakovës, i cili gjatë vitit të shkuar nuk ka pasur asnjë premierë”.
“Po ashtu edhe në Gjilan dhe në teatrot tjera. Domethënë, një lloj i funksionimit teatror shumë konfuz dhe jo i strukturuar përpos Teatrit Kombëtar, i cili, fatmirësisht, ka pasur një kujdes jo shumë prej politikës, por prej vetë njerëzve të teatrit”, ka theksuar Neziraj.