Ndërlidhjet

Gjashtë vjet pas trazirave të marsit


Mitrovicë - Mars, 2004.
Mitrovicë - Mars, 2004.

Në përvjetorin e gjashtë të trazirave të marsit të vitit 2004, zyrtarët e lartë të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit thonë se procesi për rindërtimin e tërësive fetare ortodokse, të dëmtuara gjatë këtyre trazirave, është në fazën e fundit.


Gjashtë vjet pas trazirave të 17 marsit të vitit 2004 në Kosovë, me ç’rast ishin dëmtuar rreth 35 objekte fetare, institucionet e Qeverisë së Kosovës po bëjnë përpjekje që të përmbyllin rindërtimin dhe riparimin e tyre.

Valton Beqiri, ministër në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, në kuadër të së cilës funksionon Komisioni për zbatim dhe rindërtim, thotë se aktualisht është duke u zbatuar faza e fundit e procesit të renovimit dhe rikonstruimit të tërësive fetare ortodokse, të cilat ishin dëmtuar gjatë trazirave të marsit, 2004.

Ky proces, i cili kishte filluar pas trazirave, sipas ministrit Beqiri, kishte ngecur për një kohë, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

“Ka qenë një kohë, në të cilën, pas shpalljes së pavarësisë, nuk kemi pasur mundësi të komunikimit me Kishën Ortodokse Serbe. Por, megjithatë, ky problem është tejkaluar gjatë vitit të kaluar dhe ne tanimë jemi në fazën përfundimtare për t’i përmbushur të gjitha obligimet që Qeveria e Kosovës, gjegjësisht Republika e Kosovës, i ka marrë”.

“Muajin e kaluar, me vendim të Qeverisë së Kosovës, janë ndarë mjetet, rreth gjysmë milioni euro, mjete të cilat nuk janë shfrytëzuar gjatë viteve të kaluara”
, thotë ministri Beqiri.

Beqiri thotë se, deri më tash, janë rinovuar mbi 30 objekte fetare ortodokse, të cilat ishin dëmtuar. Ai po ashtu thotë se, menjëherë pas trazirave të marsit në vitin 2004, Kuvendi i Kosovës ka ndarë buxhetin prej 3.5 milionë eurosh për renovimin e tyre, buxhet i cili deri më tani ka arritur shumën rreth 10 milionë euro.

“Tashmë jemi në fund. Kanë mbetur edhe tri objekte, të cilat janë në fazën përfundimtare dhe vendimi i fundit i Qeverisë së Republikës së Kosovës për të zotuar mjete për përfundimin e këtij procesi, tregon përkushtimin e saj që t’i përfundojmë punët në rikonstruimin e atyre objekteve që janë dëmtuar nga trazirat e marsit”.

“Po ashtu, tregon edhe përkushtimin tonë që në vazhdimësi të kemi mbrojtjen dhe promovimin e tërësive, jo vetëm të atyre ortodokse, por të të gjitha vlerave të trashëgimisë kulturore”, shprehet Beqiri.

Ministri Beqiri thekson se procesi i rindërtimit dhe riparimit të objekteve fetare ortodokse të dëmtuara, është planifikuar të përfundojë gjatë këtij viti.

Në anën tjetër, objektet fetare ortodokse, deri më tash, janë ruajtur nga trupat e KFOR-it, ndërkohë që Pakoja e Ahtisarit parasheh që të gjitha monumentet kulturore dhe fetare të kalojnë nën mbikëqyrjen dhe nën kompetencën e sigurisë së Policisë së Kosovës.

Kjo e fundit ka paralajmëruar se së shpejti pritet të marrë nën kompetencë të sigurisë përmendoren e Gazimestanit.

Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës, thotë se kjo polici është e gatshme t’iu ofrojë siguri monumenteve kulturore.

“Policia e Kosovës është e gatshme dhe e përgatitur që monumentet kulturore t’i pranojë dhe t’iu ofrojë siguri, ashtu siç është e paraparë në planet dhe parashikimet që Policia e Kosovës t’i marrë nën përgjegjësi monumentet kulturore”.

“Presim që së shpejti të fillojnë hapat e kalimit të ndonjë pike apo ndonjë monumenti kulturor të trashëgimisë kulturore nën përgjegjësinë e Policisë së Kosovës. Fillimisht do të niset me një, pastaj gradualisht, në përgatitje e sipër, do të vazhdohet edhe me të tjerat”, thekson Kelani.

Sidoqoftë, gjatë trazirave të marsit të vitit 2004 në Kosovë, humbën jetën 19 persona, 11 prej të cilëve ishin shqiptarë dhe 8 serbë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG