Ndërlidhjet

Normat e interesit ende të larta



Normat e interesit të kredive në sektorin bankar në Kosovë kanë shënuar një rënie të lehtë, edhe pse ende vazhdojnë të mbeten shumë të larta, u tha sot në konferencën “Pse normat e interesit janë të larta?”.

Në konferencën e organizuar nga Zyra Civile Ndërkombëtare (ICO) dhe Banka Qendrore e Kosovës (BQK), guvernatori i Bankës, Hashim Rexhepi, tha se kamatat për kredi i përcakton oferta dhe kërkesa e tregut, kështu që Banka Qendrore, siç tha ai, nuk ka kompetenca që të ndërhyjë në politikat e bankave që veprojnë në Kosovë.

Megjithatë, ai theksoi se duhet të gjenden mundësi për të forcuar konkurrencën bankare në tregun kosovar dhe të krijohet një ambient më i favorshëm për investitorët, në mënyrë që të ulen normat e interesit.

“Pasi që Kosova nuk ka politikë monetare dhe e kemi euron si mjet pagese, Banka Qendrore nuk ka një varg të instrumenteve me politikat monetare, që mund të ndikojë në normat e interesit”.

“Prandaj, normat e interesit janë një kategori e pastër ekonomike, që diktohet nga kushtet e ofertës dhe kërkesës dhe ambienti i përgjithshëm, në të cilin operojnë bankat
”, tha Rexhepi.

Edhe përfaqësuesi i ICO-së, Piter Feith, tha se Kosova ka nevojë që të ketë më shumë rritje ekonomike. Për këtë, shtoi Feith, duhet të përkrahet komuniteti i biznesit privat.

“Kosova ka nevojë të bëjë më shumë përpjekje që të lehtësojë rritjen ekonomike. Sektori privat ka rol krucial në këtë drejtim. Investimet në sektorin privat, fatkeqësisht, mbesin në nivel shumë të ulët dhe eksporti i Kosovës është dëshpërues”.

“Kompanitë private duhet të jenë më aktive për të prodhuar ide të reja për biznes, për përfitimet e përgjithshme të tyre, si dhe për punësim”
, deklaroi Feith.

Ndryshe, përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe ekspertë për çështje ekonomike vazhdimisht kanë thënë se normat e larta të interesit po ngufatin biznesin kosovar.

Për këtë çështje, edhe Muhamet Mustafa, udhëheqës i Institutit Riinvest, vlerësoi nevojën e forcimit të konkurrencës bankare.

Në këtë drejtim, ai tha se nevojitet shfrytëzimi i fondeve që qëndrojnë të ngrira në BQK, por edhe kthimi i mjeteve financiare të disa institucioneve kosovare, që gjenden në bankat jashtë Kosovës.

“Duhet të rritet oferta, të ulet norma e kredive dhe të përmirësohet siguria, domethënë në të dyja anët e medaljes”.

“Propozova që të rritet oferta e kredisë përmes shfrytëzimit të fondeve të ngrira të Kosovës, të shfrytëzohen kredi nga Banka Botërore dhe nga Banka Evropiane për sektorin privat, për linja të caktuara, si dhe të rritet siguria, do të thotë duke u nisur nga efikasiteti më i madh i gjyqeve, dhe të gjitha këto së bashku do të ndikojnë në rënien e interesave dhe në përmirësimin e situatës
”, tha Mustafa.

Ndërkaq, Filip Siguart, kryetar i Shoqatës së Bankave të Kosovës, tregoi faktorët që ndikojnë në përcaktimin e kamatave për kredi.

“Faktorët kryesorë që përcaktojnë normat e interesit, natyrisht janë: kostoja e financimit, d.m.th. sa paguan banka për depozitat; kostoja e kapitalit, meqë investitorët që investojnë në kapitalin e bankës presin të marrin përfitime nga investimi; pastaj, shpenzimet operative të bankës. Këta faktorë janë shumë të ndikuar nga mjedisi ekonomik i vendit”, tha Siguart.

Sido që të jetë, normat e interesit të kredive në bankat që operojnë në Kosovë, mbeten më të lartat në rajon. Ato sillen mbi 13 për qind, varësisht nga banka dhe lloji i kredisë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG