Ndërlidhjet

Kuçi: PDK njeh vendimin e KZAP-it


Partia Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur se njeh vendimin e Komisionit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për shpalljen e rivotimeve në Prizren, Gjilan dhe Lipjan. Njëherësh, PDK-ja ka ftuar vëzhguesit vendorë dhe ata ndërkombëtarë që t’i monitorojnë zgjedhjet nga afër.






Dy partitë më të mëdha në vend, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë njohur vendimin e Komisionit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me shpalljen e rivotimit në tri komuna, në atë të Prizrenit, Gjilanit dhe Lipjanit.

Përderisa një ditë më parë zyrtarë të PDK-së nuk kishin një qëndrim të qartë rreth vendimit të KZAP-it, sot ata e konsiderojnë si të drejtë atë. Hajredin Kuçi sqaron qëndrimin e subjektit që i takon:

“PDK-ja konsideron se Komisioni Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka marrë një vendim sipas kompetencave kushtetuese dhe ligjore që ka. PDK-ja e njeh këtë vendim”.

“Ne jemi të bindur se Partia Demokratike e Kosovës, në këto tri komuna që ka fituar që nga viti 2007, këtë herë dhe vetëm brenda një muaji dy herë, do të jetë fituese prapë, edhe në komunën e Prizrenit, edhe të Gjilanit dhe atë Lipjanit”,
shpreh bindjen Kuçi.

Ai, njëherësh, fton vëzhguesit vendorë dhe ata ndërkombëtarë që t’i monitorojnë zgjedhjet nga afër.

Partia Demokratike e Kosovës, si gjithmonë, u beson institucioneve dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës”.

“Besojmë që zgjedhjet e radhës do të monitorohen dhe u bëjmë ftesë vëzhguesve vendorë, e në veçanti atyre ndërkombëtarë, që ta bëjnë monitorimin e plotë, që të japin pëlqimin dhe propozimin e tyre. Besoj që më pastaj, eponentët tanë politikë do t’i njohin ato rezultate”,
thotë Kuçi.

Nga ana tjetër, edhe drejtuesit e partnerit në koalicion, LDK-së, përshëndesin vendimin e KZAP-it që në Prizren, Gjilan dhe Lipjan të përsëritet votimi. Nënkryetari i kësaj partie, Eqrem Kryeziu, thotë se LDK-ja është parti institucionaliste dhe u beson institucioneve.

“KZAP-i është institucion kompetent për këto çështje. Thënë të drejtën, të paktën Lidhja Demokratike e Kosovës është institucionaliste dhe nuk i kundërshton vendimet e institucioneve, cilatdo qofshin ato”, thotë Kryeziu.

Vendimin për mbajtjen e rivotimeve ose jo në këto komuna, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, e merr Gjykata Kushtetuese ose ajo Supreme. Kryeshefi i KQZ-së, Xhemail Peçani, thotë se anëtarët e këtij organi janë të njoftuar me vendimin e KZAP-it dhe se ai mbetet për t’u shqyrtuar të hënën.

“KQZ-ja ka marrë vendimin e KZAP-it, është njoftuar me vendimin rreth përsëritjes së zgjedhjeve në këto tri komuna. E kemi analizuar, e kemi shqyrtuar; ka mbetur që edhe një herë, të hënën, të ulemi dhe të shohim se çka do të bëhet më tutje”,
thotë Peçani.

* * * * * * * * * *

Komisioni Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka mbajtur të shtunën një seancë, ku ka shqyrtuar 43 ankesa, që kanë të bëjnë me parregullsi, siç thuhet, të pretenduara, lidhur me raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë, të mbajtur më 13 dhjetor.

Kreu i KZAP-it, Tahir Rrecaj, i tha Radios Evropa e Lirë se pas shqyrtimit të këtyre ankesave, i është dhënë një udhëzim Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të përsëritur votimet në Prizren, Gjilan dhe Lipjan.

Këto parregullsi të pretenduara, Komisioni Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa i ka verifikuar dhe i ka konstatuar edhe ex-officio, sipas detyrës zyrtare, dhe mbi bazën e të gjeturave të Komisionit, i kemi dhënë një udhëzim Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të bëjë përsëritjen e votimeve në këto tri komuna, për shkak se parregullsitë janë të shumta”, tha Rrecaj.

Në vendimin e KZAP-it, po ashtu thuhet se ky institucion, më 16 dhjetor, ka pranuar një vendim nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për anulimin e rezultateve të raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetarë komunash në disa vendvotime, në lidhje me, siç thuhet, parregullsitë dhe mospërputhjet në mes të numrit të përgjithshëm të fletëvotimeve të hedhura dhe regjistrit të votuesve në një vendvotim, mbi nivelin e, siç quhet, tolerancës së paraparë me vendim të KQZ-së.

Ky vendim i KQZ-së, sipas KZAP-it, flet dhe për fletëvotime me kusht të paidentifikuara, për fletëvotime të vendvotimeve pa zarfe të sigurisë dhe nënshkrime të dyfishta në komunën e Prizrenit, Gjilanit dhe Lipjanit.

Në vendimin e së shtunës të Komisionit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa përmendet se për Prizrenin, KZAP-i ka pranuar ankesa në lidhje me, siç thuhet, parregullsitë serioze dhe mashtrim zgjedhor të qëllimshëm për 34 nga 60 qendra të votimit.

Ankesa të njëjta kanë arritur në KZAP për 21 nga 31 qendra të votimit në Gjilan, ndërsa po të njëjtat ankesa janë pranuar për 15 nga 25 qendra të votimit të komunës së Lipjanit.

Pas hetimeve të KZAP-it në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve për të tria komunat, thuhet se janë zbuluar dëshmi të bazuara për parregullsi serioze dhe mashtrim zgjedhor të qëllimshëm në shumicën e këtyre ankesave.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve konfirmoi të jetë njoftuar me vendimin e së shtunës të KZAP-it. Kryetarja e KQZ-së, Nesrin Lushta, tha se ai vendim fillimisht është shqyrtuar vetëm si informatë.

“Ne këtë, sot, e kemi shqyrtuar vetëm si informatë, për arsye se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në këtë rast nuk merr ndonjë vendim. Mirëpo, do të shikojmë se si do të shkojë procedura më tutje dhe se a do të ketë ndonjë ankesë. Ne duhet ta shqyrtojmë të hënën edhe një herë”, tha Lushta.

Përmes vendimit të KZAP-it, KQZ-së i sugjerohet të shpallë rivotim për Prizrenin, Gjilanin dhe Lipjanin, ndërsa theksohet se anulimi eventual i rezultateve në një numër të konsiderueshëm të vendvotimeve në këto komuna, do të ishte përgjigje joadekuate.

Sipas vendimit të KZAP-it, anulimi i vendvotimeve problematike, për shkak të ngushtësisë së ndryshimit të rezultateve preliminare, potencialisht do ta bënte njërin kandidat fitues.

Sidoqoftë, Lushta tha se KQZ-ja nuk është organ kompetent për të marrë vendim për rivotim, ngase me këtë, sipas saj, duhet të merret ose Gjykata Kushtetuese, ose ajo Supreme.

“Ne do t’i shqyrtojmë edhe një herë dispozitat ligjore. Sipas nesh, ky është një vendim i prerë dhe KQZ-ja nuk mund ta rishqyrtojë. Atë mund ta rishqyrtojë vetëm gjykata”. Gjykata Kushtetuese? – “Ose Gjykata Supreme”, u shpreh ajo.

Ndërkohë, për rivotimin eventual në Prizren, Gjilan dhe Lipjan, KZAP-i i rekomandon KQZ-së të bëjë ndërrimin e komisionarëve të qendrave të votimit në ditën e zgjedhjeve, të shtojë praninë e pjesëtarëve të policisë në të gjitha qendrat e votimit dhe të shtojë mbikëqyrjen gjatë procesit të votimit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG