Ndërlidhjet

Për ditë më të mira


Prishtinë, 15 nëntor 2009.
Prishtinë, 15 nëntor 2009.
Qytetarët në Prishtinë, që në orët e hershme të mëngjesit, kanë filluar të dalin në votime. Ata theksojnë nevojën për ndryshime të mëdha në kryeqytet.

Zgjedhjet e para pas pavarësisë, prishtinasi Jusuf Gashi i sheh si shumë të rëndësishme për të ardhmen e vendit.

“Ne tash po votojmë për të parën herë pas pavarësisë. Në këto katër vjet do të përcjellim, do të shohim se sa do të realizohen ato premtime. Pas atyre katër vjetëve, popullata do t’i ndryshojë mendimet e veta dhe do të radhitet në atë rrugën e vet”, thotë Gashi.

Një tjetër qytetar që ka votuar është Nuhi Rama. Ai thotë se nëse do të realizoheshin 50 % e premtimeve të dhëna nga liderët, do të ishte shumë mirë

“Sot kam votuar. Ndërsa, që nga viti 2000, nuk kam votuar asnjëherë. Sot votova dy numrat e fundit të datëlindjes sime. Po presim diçka më mirë, ndryshime. Besoj se do të dalë më mirë nëse votohet ai që duhet të votohet. Premtime kemi nga të gjithë; deri sot nuk ka pasur premtime të realizuara”,
shprehet Rama.

Naxhie Dema është optimiste se me zgjedhjet lokale, do të ndodhin edhe ndryshime pozitive.

“Presim një ditë pak më të mirë. Deri sot, asgjë. Tash e pas, të shohim. Janë të nevojshme ndryshimet gjithkund: në arsim, punësim, shëndetësi”, thotë Dema.

Zana Hoxha mendon se kryeqyteti ka nevojë për pastërti më të madhe. Por, në veçanti, ajo thekson nevojën e vendeve të reja të punës.

“Do të dëshironim një Prishtinë pak më të pastër dhe me më shumë vende për kalimtarë. Pres punësime më shumë dhe kjo është gjëja kryesore që e pres. Nëse 25% të premtimeve realizohen, do të ishte shumë mirë”, thotë Hoxha.

Ndërkaq, Kumrie Kallaba Sahiti, menaxhere e pesë qendrave të votimit, të cilat janë të hapura në Shkollën Fillore “Faik Konica“, thotë se që në orët e hershme të mëngjesit, dalja e qytetarëve ka qenë e kënaqshme.

“Vendvotimet janë hapur në orën shtatë. Deri më tash janë paraqitur më shumë se 300 veta. Në shkollën tonë, të gjithë anëtarët dhe vëzhguesit janë në nivel. Proceduarat e votimit janë duke shkuar në mënyrë shumë të rregullt. Presim që në vazhdim të ditës të jetë një fluks më i madh i qytetarëve”, thotë Sahiti.

Nevojën për përmirësime në fushën e shëndetësisë dhe të arsimit e thekson qytetarja Sanie Sheremeti.

“Nëse vetëm 50 % e premtimeve realizohen, do të ishim shumë të kënaqur. Shpresojmë që papunësia të zbutet dhe të punësohen më shumë të rinj. Të ketë rritje të pagave në arsim dhe shëndetësi”, thotë ajo.


Në pritje të ndryshimeve

Fushata zgjedhore e partive politike në media, organizimet e ndryshme nëpër pjesët kryesore të vendit, pastaj premtimet e dhëna nga garuesit për post të kryetarëve të komunave në Kosovë, duket se kanë bindur një pjesë të popullatës, përderisa pjesa tjetër vazhdon të jetë skeptike për strukturat e reja lokale dhe zhvillimet e ardhshme në Kosovë.

Sheremet Kastrati nga Prishtina pret që periudha paszgjedhore në Kosovë të karakterizohet me ndryshime pozitive në nivelin lokal.

“Presim diçka që do të jetë pak më mirë. Premtime ka pasur; sa do t’i realizojnë, do të shohim... vështirë se do t’i realizojnë. Nëse i realizojnë vetëm 10 për qind, mjafton...”, thotë Kastrati.

Mendim të ngjashëm ka dhe Kastriot Zhubi nga Gjakova, i cili pret që pas zgjedhjeve të 15 nëntorit të nisë zbatimi i projekteve të reja të zhvillimit në fusha të ndryshme.

“Zgjedhjet lokale, të cilat janë vendimtare për përparimin e këtij populli, për demokracinë pas pavarësisë, duhet të jenë shumë korrekte, shumë demokratike, të fitojë ai që e meriton, me projekte të zhvillimit, projekte të punësimit”.

“Në bazë të buxhetit, donacioneve dhe investimeve, besojmë se do të realizohet një pjesë e këtij, jo të gjitha... Prioritet duhet t’i jepet ekonomisë, punësimit”,
mendon Zhubi.

Përmirësimi i gjendjes ekonomike në Kosovë, sipas Sami Vehabit, duhet të jetë qëllim i domosdoshëm për të zgjedhurit në krye të komunës përkatëse dhe për përbërjen e kuvendeve komunale.

Nga zgjedhjet e këtij viti, sipas tij, do të dalin qeveri lokale, të cilat do të ndryshojnë pozitivisht gjendjen ekzistuese në komuna.

“Çdo vit po presim diçka më mirë. Këto zgjedhje sivjet do të jenë shumë më mirë. Presim të ketë ndryshime pozitive. Po premtojnë shumë mirë. Së pari duhet të ndryshojë ekonomia. Në vitet ’80, ekonomia e Gjakovës ka qenë në nivel të lartë dhe tash po presim më shumë”, thekson Vehabi.

Krejt ndryshe shprehet Agim Burjani:

“Asgjë nuk shpresoj, nuk është duke ecur mirë. Nuk është një vjet, janë dhjetë vjet. Nuk është në rregull. Nuk besoj që do t’i realizojnë premtimet. Kështu si po punojnë këta, nuk është mirë. Vështirë është, vështirë”, thotë ai.

E zhgënjyer nga liderët e deritashëm lokalë dhe pa shpresa për ndryshime në të ardhmen është edhe Rejhan Kosova.

“Për zgjedhjet e sivjetme lokale, pritje nuk ka, asgjë. Gjithmonë është njëjtë. Premtime ka, por të kota. Rinia nuk gjen punë, kryejnë fakultet kot, na kanë humbur shpresat”, shprehet ajo.

Mrika Gashi, ndërkohë, mendon se vota e qytetarit do të jetë determinuese për mundësinë e ndryshimeve nëpër të gjithë Kosovën.

Nëse zgjedhin njeriun e duhur, diçka ndryshe definitivisht. Premtimet mendoj se do të realizohen, disa po e disa jo. Diçka ndryshe nga që kemi pasur vitet e fundit”, thotë Gashi.
XS
SM
MD
LG