Ndërlidhjet

Frika nga A-H1N1


Qendra Emergjente në Prishtinë (foto arkiv)
Qendra Emergjente në Prishtinë (foto arkiv)

Në Kosovë është paraqitur një rast i ri i infektimit me virusin A-H1N1. Bëhet fjalë për një 13-vjeçare nga Graçanica. OBSH po nxit vendet të marrin masa parandaluese, duke nënvizuar rëndësinë e higjienës publike dhe krijimit të depozitave me Tamiflu apo Relenza.



Në Kosovë është paraqitur edhe një rast i ri i infektimit me virusin A-H1N1. Bëhet fjalë për një vajzë 13-vjeçare nga Graçanica. Kjo u konfirmua nga Rada Trajkoviq, e cila drejton shtabin për luftën kundër gripit A, në kuadër të strukturave paralele serbe.

“Gjatë natës ka ardhur njoftimi nga Torllaku, ku është vërtetuar prezenca e virusit. Ka të bëjë me një fëmijë 13 vjeç. Ajo, që për ne paraqet rrezik, është se fëmija e ka marrë virusin pas ekskursionit të maturës. Prandaj, jemi me ekipet në terren, sepse po frikohemi që të mos ndodhë epidemi me përmasa më të gjera, duke pasur parasysh se ka pasur më shumë fëmijë”, tha Trajkoviq.

Ajo tha se vajza e sëmurë gjendet në trajtim shtëpiak, ndërkaq mjekët janë duke përcjellë gjendjen e saj dhe të familjes gjashtë-anëtarëshe. Trajkoviq po ashtu tha se dyshohet edhe për tri raste të tjera, të prekura nga ky virus.

Sipas Trajkoviqit, për rastin e 13-vjeçares së infektuar fillimisht janë njoftuar institucionet e Serbisë.

“Nuk i kemi informuar institucionet e Kosovës. Ne do t’i informojmë të gjithë, për shkaqe të sigurisë. Ne e kemi njoftuar Beogradin dhe do t’i njoftojmë edhe institucionet e Kosovës. Sëmundja nuk është çështje e statusit. Kjo është luftë për jetë njerëzish dhe pse mos ta bëj këtë”, u shpreh Trajkoviq.

Nga ana tjetër, institucionet kryesore shëndetësore në Kosovë thonë se për rastin në fjalë janë informuar përmes mediave.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, tha se në bazë të informacioneve të deritashme, bëhet fjalë për tri raste të reja të prekura nga virusi A-H1N1.

“Deri sot në mëngjes nuk ka pasur njoftime zyrtare nga institucionet serbe në Kosovë për raste të reja. Mirëpo, sot, përmes mediave, është konfirmuar që tri raste të reja të gripit A-H1N1 janë evidentuar në tri zona të populluara kryesisht me pjesëtarë të komunitetit serb”, tha Hoti.

Pas marrjes së këtyre informacioneve, Hoti tha se ka filluar furnizimi i institucioneve shëndetësore me medikamentin Tamiflu – antivrial ky që përdoret te të infektuarit me virusin A-H1N1. Një gjë të tillë e konfirmoi edhe drejtoresha e Shtëpisë së Shëndetit në Graçanicë, Rada Trajkoviq.

Ndërkaq, drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani, pohoi të ketë informacione nga laboratori i Torllakut në Beograd, ku konfirmohen raste të reja me virusin A-H1N1.

“Ne menjëherë kemi ofruar ndihmën tonë me materiale anti-virale dhe me mjete dezinfektuese. Sasitë janë të konsiderueshme, që mjaftojnë për të tria rastet, të cilat janë të shpërndara në Mitrovicë, Graçanicë dhe Gorazhdec. Të gjitha rastet klinikisht janë mirë dhe nuk kanë kurrfarë komplikimesh”, tha Ramadani.

Ndryshe, strukturat e shëndetësisë nëpër enklavat e banuara me shumicë serbe janë gjithashtu struktura paralele dhe funksionojnë në kuadër të sistemit shëndetësor të Serbisë.

Sido që të jetë, Ministria e Shëndetësisë e Kosovës rikujton se në kuadër të masave preventive për ballafaqim me rastet e virusit të ri A-H1N1, në Kosovë po zbatohen të gjitha masat parandaluese, të cilat janë rekomanduar nga OBSH-ja.


* * * * * * * * * *


Thuajse çdokush ka dëgjuar për virusin H1N1, i njohur ndryshe si gripi i derrit, që kur u bënë publike rastet e para në muajin prill të këtij viti.

Por, të paktë janë ata që e kuptojnë shkallën e përhapjes së këtij virusi. Sipas mjekëve, H1N1 është virusi dominues në mesin e viruseve të gripit që qarkullojnë momentalisht në botë.

“Për momentin, në kuadër të llojeve të ndryshme të gripit, në gjithë globin po shohim se shumica e të sëmurëve me grip është pasojë e virusit H1N1”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Gregori Hartl, zëdhënës i Organizatës Botërore të Shëndetit.

Morin Bejkër, nga Royal College në Londër, thotë se në shumicën e vendeve mjekët e diagnostikojnë gripin bazuar te simptomat.

Por, simptomat e të gjitha llojeve të gripit janë të ngjashme, përfshirë këtu dhe gripin e derrave.

E vetmja rrugë për të mësuar me saktësi llojin e virusit janë analizat laboratorike. Por, analizat e tilla marrin kohë, çfarë ka bërë që të ketë dyshime serioze rreth shkallës së përhapjes së gripit të derrave, pasi analizat nuk u bëhen të gjithë pacientëve.

Mjekët thonë se prekja nga virusi H1N1 nuk duhet të shkaktojë panik. Janë disa masa që duhen marrë për të mënjanuar mundësinë e prekjes nga gripi i derrave, por dhe të sëmurët nga ky grip shërohen brenda pak ditëve.

Një nga arsyet që ka tërhequr vëmendjen e publikut rreth gripit të derrave është fakti se ai prek grupe jo të zakonshme, siç janë të rinjtë.

Ajo çfarë e bën gripin e derrave më të rrezikshëm është aftësia e virusit për të prekur thellë dhe shpejt mushkëritë, thotë Xhon Oksford, nga Shkolla Londineze e Mjekësisë.

“Efektet e papritura kanë lidhje me mënyrën se si gripi ndikon te gratë shtatzëna. Një grua shtatzënë humbi jetën gjatë ditëve të fundit në Angli. Fakti që prek lehtësisht gratë shtatzëna është i paprecedent dhe një element më shumë për t’u shqetësuar”.

“Shqetësues është fakti se ka prekur një numër të madh të fëmijëve të vegjël. Vdekjet te fëmijët janë më të shpeshta te grupmosha nën pesë vjeç”,
thotë Oksford.

Një e katërta e vdekjeve nga gripi i derrave në Shtetet e Bashkuara ka ndodhur te njerëzit nën 25 vjeç.

Organizata Botërore e Shëndetësisë po nxit vendet të marrin masa parandaluese, duke nënvizuar rëndësinë e higjienës publike dhe krijimit të depozitave me antiviralin Tamiflu apo Relenza.

Në perëndim, qeveritë po investojnë edhe te vaksinat kundër H1N1. Në shumë vende, njerëzit po përpiqen të marrin vetë masa për t’u mbrojtur. Blerja e maskave ka njohur rritje së fundi. Mjekët thonë se maskat nuk janë mbrojtëse të mira nga virusi.

“Nëse jeni i sëmurë dhe teshtini, mbajtja e maskës e zvogëlon mundësinë e përhapjes së virusit. Nëse jeni i shëndetshëm dhe mbani maskë, me kalimin e orëve maska bëhet joefikase”.

“Janë vetëm disa lloje maskash shumë të specializuara që mund të parandalojnë marrjen e virusit”,
thotë Morin Bekër.

Sipas OBSH-së, deri tani 5,700 persona kanë vdekur nga virusi H1N1 në gjithë botën, që nga shfaqja për herë të parë në prillin e këtij viti.

Nga gripi i zakonshëm humbin jetën 250 deri në 500 mijë njerëz çdo vit. Zakonisht, 9 në 10 vdekje i takojnë personave mbi 65 vjeç me probleme shëndetësore.
XS
SM
MD
LG