Protestat në sheshin Tiananmen më 1989
Në Pekin janë shtuar masat e sigurisë në 25-vjetorin e trazirave në Sheshin Tiananmen. Agjencitë e lajmeve raportojnë se dhjetëra aktivistë, disidentë dhe kritikë të tjerë tashmë janë arrestuar nga policia, janë dërguar në arrest shtëpiak ose jashtë kryeqytetit të Kinës. Autoritetet, megjithatë, kanë lejuar të afërmit e disa të vrarëve në trazira që të vizitojnë varrezat, nën përcjelljen e policisë. Kina nuk lejon diskutime publike për ngjarjet e 3 dhe 4 qershorit, 1989, kur ushtarët, të mbështetur nga tanket, kanë hyrë në qendër të Pekinit, duke vrarë qindra protestues të paarmatosur. Qeveria nuk ka nxjerrë kurrë të dhëna të sakta për numrin e viktimave.