Qeveria serbe, përmes individëve të caktuar, ka blerë pronat dhe po investon në ndërtimin e shtëpive të serbëve në lagjen Kroi i Vitakut. Kështu të paktën pohon vetë kreu i Komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi.
“Natyrisht që Qeveria e Serbisë ka investuar edhe më parë dhe blerjet që i ka bërë në pjesën veriore, kanë qenë strategji shtetërore. Ajo ka qenë e qëllimshme. Mirëpo, para gjyqit janë kontrata të shitblerjes mes individëve dhe para gjyqit nuk ke çka të bësh. Shqiptarët le të tranohen, s’ke mekanizëm si ta ndalosh atë”, tha për Radion Evropa e Lirë, Bajram Rexhepi.
Për më shumë se dy javë, Kroi i Vitakut ka qenë vendi ku protestues serbë janë përballur me gazin lotsjellës të policisë së EULEX-it. Serbët kërkonin ndërprerjen e punimeve të shtëpive shqiptare.
Por, nga dita e djeshme ata hoqën dorë nga protesta, meqë, siç thonë, është arritur marrëveshje për rindërtimin e disa shtëpive të serbëve mu në këtë lagje. Institucionet e Kosovës nuk janë në dijeni për këtë marrëveshje, për të cilën serbët thonë se e arritën me autoritetet ndërkombëtare.
Zëvendësministri i Kthimit, Ismet Hashani, e quan jovalid çdo pakt që arrihet pa pëlqimin e institucioneve.
Çdo marrëveshje e qytetarëve të komunitetit serb në pjesën veriore është e vlefshme nëse bëhet me Qeverinë e Kosovës... Çdo anashkalim i institucioneve të Kosovës mund të ketë probleme në implementim...
“Çdo marrëveshje e qytetarëve të komunitetit serb në pjesën veriore është e vlefshme nëse bëhet me Qeverinë e Kosovës. Ne mendojmë që ata duhet të trokasin në organet legjitime në Komunën e Mitrovicës, në Qeveri të Kosovës. Çdo anashkalim i institucioneve të Kosovës mund të ketë probleme në implementim”, tha Hashani, dikasteri i të cilit është përgjegjës kryesor për rindërtimin e shtëpive për të zhvendosurit.
Serbët e pjesës veriore kanë thënë se marrëveshja është arritur me UNMIK-un, por në mënyrë indirekte edhe me EULEX-in. Hashani thotë se UNMIK-u më nuk është legjitim që të jetë pjesë e ndonjë marrëveshjeje.
“Ne nuk jemi kundër marrëveshjeve, por dihet që legjitimiteti i UNMIK-ut nuk është më. Çdo ndihmesë e arritjes së marrëveshjes është e mirëseardhur, mirëpo ata marrëveshjen duhet ta bëjnë me institucionet legjitime të Kosovës”, tha Hashani.
Por, rindërtimi i shtëpive të serbëve në lagjen Kroi i Vitakut, që gjendet në pjesën veriore të Mitrovicës, nuk paraqet problem për kreun e Komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepin.
“Absolut, kjo është çështje parimore; ne edhe ashtu kemi thënë se kanë të drejtë të kthehen në vendin e origjinës dhe të ndërtojnë në pronat e tyre; asnjëherë nuk e kemi kontestuar dhe kemi qenë të hapur për këtë. Ata që e kanë bërë atë marrëveshje, është në rregull, mund të fillojnë”, tha Rexhepi.
Ajo që autoritetet ndërkombëtare kanë konfirmuar deri më tani, është sigurimi i punëtorëve në rindërtimin e shtëpive për të dyja komunitetet.