Ndërlidhjet

Shary: Ballkani - strategjik për Rusinë


Andrey Shary
Andrey Shary

"Për shkak të vijave të naftës dhe gazit, Ballkani do jetë me rëndësi strategjike për Rusinë. Moska do të tentojë të depërtojë përmes kapitalit edhe në Kosovë", thotë Andrey Shary, ekspert i Radios Evropa e Lirë për Rusinë.


RADIO EVROPA E LIRË
Rusia edhe më tutje refuzon të njohë pavarësinë e Kosovës. Cilat janë motivet e vërteta të këtij qëndrimi të Moskës zyrtare?

ANDREY SHARY
Ka disa shkaqe. Qëndrimi zyrtar thotë se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ishte në harmoni me normat ndërkombëtare dhe Rezolutën 1244.

Shkaqet tjera janë të natyrës taktike. Rusia është duke e shfrytëzuar pavarësinë e Kosovës si përgjigje Perëndimit për mosnjohjen e tyre të Abkhazisë dhe Osetisë Jugore.

Shkaku i tretë qëndron në faktin se diplomacia ruse është diplomaci e shekullit XIX, kur paqja bëhej sipas recetave të Kongresit të Berlinit dhe kur kishin ndarë Ballkanin si kanë dëshiruar.

Ky qëndrim imperialist dhe carist ende është në fuqi dhe do të mbetet gjithnjë derisa kjo garniturë qeveris në Moskë.

Në Kosovë mund të mendojnë se gjërat do të ndryshojnë kur të largohet Putini. Por, unë them se kur ai të largohet, do të vijë një edhe më i keq, një nacionalist edhe më i madh, sepse rrethanat e brendshme në Rusi vetëm sa po përkeqësohen.

RADIO EVROPA E LIRË
Rusia kundërshton pavarësinë e Kosovës për shkaqe të brendshme apo për shkak të solidaritetit me Serbinë, siç thonë disa?

ANDREY SHARY
Të dyja nga pak. Megjithatë, solidariteti me Serbinë është floskulë ideologjike dhe nuk ka ndonjë rëndësi të madhe. Solidariteti me Serbinë për Rusinë do të thotë të blesh në Serbi krejt çfarë mund të blihet. Rusia do të tentojë të depërtojë përmes kapitalit edhe në Kosovë.

Sa u përket motiveve të brendshme, ato ekzistojnë. Tash për tash, Rusisë i duhet Kosova si kundërpeshë për situatën në Kaukaz, sepse kështu Moska dëshmon se dominon jo në Ballkan, por në territoret e ish-Bashkimit Sovjetik.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur bëhet fjalë për Kosovën, Rusia shpesh thirret në Abkhazinë dhe Osetinë Jugore. Çfarë qëndron pas kësaj paraleleje?

ANDREY SHARY
Nuk them se Rusia ka bërë punë të mirë kur ka njohur pavarësinë e Abkhazisë dhe Osetisë Jugore. Kuptohet që jo. Por, ka vepruar ashtu për të thënë se Kosova ka qenë presedan.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se Rusia synon të rikthejë ndikimin në Ballkan, siç thonë disa, apo qëndrimi ndaj Kosovës dhe Serbisë është i natyrës taktike?

ANDREY SHARY
Ballkani për Rusinë tash paraqet vijën e dytë të mbrojtjes. Për Moskën, më i rëndësishmi, tash për tash, është territori i ish-Bashkimit Sovjetik. Por, nëse Rusia dëshiron ta shpallë veten fuqi të madhe, dhe ajo dëshiron një gjë të tillë, atëherë i rëndësishëm është edhe Ballkani.

Nëse gjërat do të shkonin mirë për Moskën, atëherë Gjeorgjia do të qetësohej, Ukraina nuk do të nisej drejt NATO-s dhe nëse edhe në territoret e ish-Bashkimit Sovjetik gjërat do të shkonin sipas llogarive të Moskës, atëherë në radhë do të ishte Ballkani.

Për shkak të vijave të naftës dhe gazit, Ballkani do të jetë me rëndësi strategjike për Rusinë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG