Ndërlidhjet

Siguria e parave në bankat e Kosovës


Qytetarët nuk duhet brengosur për sigurinë e parave të depozituara në bankat e Kosovës. Kështu të paktën thonë zyrtarë qeveritarë, si dhe përfaqësues të Bankës Qendrore të Kosovës.


Plaçkitja e djeshme në një nëndegë të ProCredit Bankës në Prishtinë vlerësohet nga përfaqësues të Bankës Qendrore të Kosovës si një rast i izoluar, që nuk ka ndonjë ndikim në depozitat e qytetarëve.

Pasditen e djeshme, katër persona të maskuar kanë plaçkitur 50 mijë euro nga ProCredit Bank dhe kanë ikur në drejtim të panjohur.

Sidoqoftë, mbikëqyrësit e sektorit bankar thonë se qytetarët nuk duhet frikësuar, meqë paratë i kanë në duar të sigurta. Meridian Kukleci është drejtor i Drejtoratit të Mbikëqyrjes Bankare në Bankën Qendrore të Kosovës.

“Padyshim, parametrat aktualë financiarë reflektojnë një opinion të tillë. Për më tepër, trendët e parametrave financiarë në çdo bankë janë stabilë, respektivisht kemi vazhdim të rritjes së kreditimit, si dhe vazhdim të rritjes së depozitave në përgjithësi. Gjithashtu, çdo bankë raporton profitabilitet, fitim në pasqyrat e tyre financiare”, tha Kukleci.

Ndërkohë, zyrtarë të Qeverisë u bëjnë thirrje bankave që të jenë më të kujdesshme, kur bëhet fjalë për depozitat e qytetarëve. Në lidhje me plaçkitjen e djeshme, zëvendësministri i Ekonomisë dhe Financave, Bedri Hamza, thotë se Banka Qendrore, në bashkëpunim me bankat komerciale, duhet të marrë masa më të mëdha për siguri.

“Kjo është çështje e organizimit të bankave komerciale. Mbikëqyrjen e tyre e bën Banka Qendrore dhe Banka Qendrore kërkon nga to që t’i marrin të gjitha masat e nevojshme edhe sa i përket ruajtjes dhe të gjitha elementeve të tjera të sigurisë”, theksoi Hamza.

Eksperti për çështje ekonomike, Ibrahim Rexhepi, konsideron se rreziku i vetëm në sektorin bankar është ai i falimentimit të mundshëm të bankave amë. Në Kosovë, bankat kryesore janë në fakt degë të bankave të mëdha me seli në shtetet perëndimore.

“Paratë e qytetarëve, depozitat e tyre apo të depozituesve të tjerë janë në nivel të kënaqshëm të sigurisë, por pas tyre mund të fshihet vetëm një rrezik, që mund të vijë vetëm prej bankave amë, të cilat kanë njësitë e tyre në Kosovë - meqenëse diku 80% e kapitalit depozitues qëndron në tri banka që janë banka bijë të bankave në Austri, në Gjermani apo edhe në Slloveni”, tha Rexhepi.

Përfaqësuesit e Bankës Qendrore të Kosovës kanë iniciuar procedura për hartimin e një ligji që do të siguronte mbrojtjen e depozitave. Por, ky ligj ende nuk ka kaluar në Kuvendin e Kosovës për t’u miratuar. Rexhepi vlerëson se ky projektligj duhet miratuar shpejt.

“Në procedurë e sipër është një spektër ligjor, në të cilin është formimi i agjencisë për sigurimin e depozitave. Ky është një hap përpara, sepse në këtë projektligj parashihet sigurimi i depozitave vetëm deri në 2000 (euro), jo në shuma më të larta. Por, megjithatë, është shpresëdhënëse ajo se së paku Qeveria po fillon të ndërtojë një infrastrukturë ligjore për mundësitë që në rast nevoje, t’i shpëtojë paratë e depozituesve”,
tha Rexhepi.
XS
SM
MD
LG