Nuk ka asnjë indikacion se në Kosovë ka shenja të virusit H1N1, i ashtuquajtur “Grip i derrave”, i cili është paraqitur kohë më parë në Meksikë dhe rrezikon të shndërrohet në përmasat e një pandemie.
Kështu thotë Naser Ramadani, nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë së Kosovës, sipas të cilit, megjithatë, janë ndërmarrë të gjitha masat e parandalimit të këtij virusi ose në rastin më të rëndë edhe për t’u ballafaquar me të. Ai vlerëson se mundësia që “gripi i derrave” të arrijë në Kosovë, nuk përjashtohet.
“Jo, nuk ka asnjë indikacion. Kjo është e sigurt. Në anën tjetër, ne përgatitjet i kemi bërë me vite të tëra dhe zyrtarisht kemi lansuar strategjinë për pandeminë e ‘gripit të shpendëve’, në shtatorin e vitit 2008. Pra, ky është vetëm një variant i virusit të gripit dhe ‘gripi i derrave’ si sëmundje është i rrezikshëm për çdo vend të botës”.
“Askush nuk është i mbrojtur, sepse nëse ka ndërruar struktura e virusit, atëherë gjithkush është i rrezikuar. Por, sa mund të përhapet në Kosovë? Është probabiliteti i njëjtë - aq sa mund të përhapet edhe në shtetet tjera. Njësoj është. Rreziku gjithmonë paraqitet dhe jo vetëm për ‘gripin e derrave’, por për çdo sëmundje tjetër ngjitëse”, thotë Ramadani.
Ai shtoi se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë së Kosovës tashmë është në gjendje gatishmërie për t’u përballur me raste eventuale të “gripit të derrave”.
“Aktualisht, Kosova ka ndërmarrë hapat e parë, qysh me paraqitjen e rasteve të para në Meksikë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ka ngritur shkallën e gatishmërisë në nivelin më të lartë”.
“Ka informuar të gjithë drejtorët rajonalë dhe epidemiologët e terrenit, si dhe ka informuar inspektorët sanitarë, Ministrinë e Shëndetësisë, Qendrën e situatave dhe Aeroportin, ku, eventualisht, mund të vijë dikush me temperaturë nga jashtë”, tha Ramadani.
Ndërkaq, Bafti Murati, shef i sektorit për shëndet të kafshëve në Agjencinë e Veterinës dhe Ushqimit të Kosovës, thotë se virusi, i cili shkakton sëmundjen e ashtuquajtur “gripi i derrave”, ndryshon prej virusit që ka shkaktuar të ashtuquajturin “gripi të shpezëve”. Për çdo eventualitet, sipas tij, kjo agjenci tashmë ka marrë masat e para parandaluese.
“Ashtu si ka qenë te ‘gripi i shpendëve’, nuk është te ‘gripi i derrave’, sepse, për momentin, virusi e ka përjetuar një transmision. Do të thotë, përhapet prej njeriut te njeriu. Kurrsesi nuk është asnjë rast i evidentuar te derrat që të përhapet te njerëzit”.
“Sa i përket Agjencisë së Veterinës, ajo ka bërë ndalesën e importit prej shtetit të Meksikës, i cili është më së shumti i prekur me raste pozitive te njerëzit. Dhe, ndalesa e importit e ka përfshirë ndalimin e importit të kafshëve të gjalla, në këtë rast të derrave dhe produkteve të tyre, të cilat nuk janë trajtuara mbi temperaturën 70 shkallë celsius”, tha Murati.
Lidhur me këto masa, shtoi zoti Murati, janë njoftuar të gjithë faktorët relevantë në Kosovë.
“Janë njoftuar të gjithë importuesit, të cilët e bëjnë importin e produkteve të derrit. Besoj se edhe Zyra e kryeministrit është njoftuar dhe janë njoftuar edhe të gjitha subjektet tjera. E kam fjalën për pikat inspektuese kufitare veterinare”.
“Policia kufitare gjithashtu është njoftuar. Janë njoftuar shërbimi doganor dhe të gjitha subjektet tjera, të cilat kanë interes që t’i kenë informatat prej dorës së parë për kontrolle më të shpeshta ose kontrolle më efikase në pikat kufitare”, theksoi Murati.
Sidoqoftë, zyrtarët e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë së Kosovës dhe të Agjencisë së Veterinës dhe Ushqimit tërheqin vërejtjen se virusi H1N1 bën pjesë në grupin e viruseve të gripit të zakonshëm dhe simptomat e sëmundjes janë të ngjashme me gripat e zakonshëm.