Ndërlidhjet

Sa respektohen të drejtat e të burgosurve?


Burgu në Lipjan
Burgu në Lipjan
Në burgjet e Kosovës, të burgosurit dhe të paraburgosurit nuk i kanë të drejtat e duhura sipas rregullave dhe standardeve evropiane. Kështu konstatohet në një raport të Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës.


Drejtoresha e kësaj qendre, Feride Rushiti, thotë se gjatë punës njëvjeçare nga një ekip monitorues, janë vërejtur parregullsi dhe shkelje të të drejtave të njeriut në qendrat e burgjeve.

“Si organizatë, mund të themi se i kemi gjetur disa parregullsi apo shkelje të të drejtave të njeriut, e këto kryesisht manifestohen në Qendrën Korrektuese të Dubravës, në Qendrën e Paraburgimit në Lipjan”.

“Ndërsa, si shkelje të tjera që kemi vërejtur, që nuk ndërlidhen me Dubravën dhe me Lipjanin, janë edhe stacionet policore. Ndër shqetësimet kryesore që kanë qenë gjatë vizitës sonë, ka qenë përdorimi i tepërt i forcës që ne e kemi quajtur si keqtrajtim fizik", tha zonja Rushiti.

Si probleme të theksuara në raport konsiderohen edhe mungesa e higjienës dhe mungesa e përkujdesjes shëndetësore. Zonja Rushiti pohon se këto janë disa fakte që do t'u dorëzohen institucioneve, që të ndërmarrin masa lidhur me këtë çështje.

“Si shqetësim tjetër ka qenë edhe mungesa e shërbimeve adekuate mjekësore; kryesisht kanë munguar psikiatër të kualifikuar. Kjo është vërejtur kryesisht në Burgun e Dubravës, në Qendrën e Paraburgimit në Lipjan, në Gjilan dhe Mitrovicë”.

“Po ashtu, kohë pas kohe, kemi dëgjuar edhe shqetësime për pamundësinë e qasjes brenda 24 orëve te mjeku i përgjithshëm, e kjo është reflektuar në fillim në Burgun e Dubravës, ku në këtë burg, edhe pse është qendra më e madhe në Kosovë dhe strehon mbi 1000 të burgosur, ekipet mjekësore nuk kanë qenë të kompletuara për një periudhë kohore", tha zonja Rushiti.

Por, Drejtori i Shërbimit Korrektues, Resmi Hoxha, konsideron se raporti, të cilin e ka publikuar Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, nuk përmban fakte të vërteta.

“Ajo që kanë botuar ata, nuk ka të bëjë me realitetin, për arsye se i njëjti raport është prezantuar paraprakisht para organeve të Shërbimit Korrektues, Ministrisë së Drejtësisë dhe të gjitha shoqatave dhe organeve relevante që merren me këtë çështje, më 10.12.2008, dhe me atë raport janë njoftuar dhe në një mënyrë kanë bërë diskutim”.

“Asnjë nga këto të dhëna, të cilat tani i ka publikuar QKRMT-ja, nuk kanë qenë atëherë në raport", tha Hoxha.

Nga ana tjetër, drejtoresha e QKRMT-së hedh poshtë deklaratën e zotit Hoxha, duke thënë se raporti nuk ka ndryshuar dhe se të gjitha të dhënat, sipas saj, janë të vërteta.

"Ne jemi një organizatë profesionale, e përkrahur nga Komiteti i Helsinkit suedez për të drejtat e njeriut. Paraprakisht, ky raport është publikuar në prezencë jo vetëm të institucioneve lokale, por edhe të EULEX-it dhe ICO-së", deklaroi Feride Rushiti.

Ndryshe, Resmi Hoxha, drejtor i Shërbimit Korrektues të Kosovës, konsideron se kushtet në burgjet e Kosovës janë më të mira, nëse krahasohen me vendet në rajon.

"Sa i përket shteteve në rajon, unë mund të them se asnjë shtet nuk qëndron para Kosovës në respektimin e të drejtave të të burgosurve”, theksoi ai.

Sido që të jetë, në një nga rekomandimet e këtij raporti, të publikuar nga QKRMT-ja, kërkohet që Ministria e Drejtësisë të hartojë politika, në mënyrë që t’i ndihmojë të burgosurit, duke përfshirë edhe të burgosurit me nevoja të veçanta.
XS
SM
MD
LG