Ndërlidhjet

Moore: Përmes Kosovës, Rusia minon BE-në


Patrick Moore
Patrick Moore

"Moska e do Kosovën si çështje të hapur për të destabilizuar Ballkanin dhe për të minuar unitetin e Bashkimit Evropian. Por, është çështje tjetër nëse të tjerët do të pranojnë këtë lojë të Kremlinit", thotë Patrick Moore, analisti i Radios Evropa e Lirë.


RADIO EVROPA E LIRË
Zëvendësministri i Jashtëm i Rusisë, Aleksander Grushko, ka deklaruar se ndër temat e samitit të Rusisë dhe Bashkimit Evropian ishin "konfliktet e ngrira, duke përfshirë edhe Kosovën". Pse Rusia i referohet Kosovës si konflikt i ngrirë dhe a mund të shndërrohet Kosova në konflikt të kësaj natyre?

PATRICK MOORE
Rusia do të bëjë presion për të mbajtur të hapur këtë çështje, sepse kjo dhe çështjet e ngjashme ishin dhe janë në shërbim të synimeve afatgjata të politikës së jashtme sovjetiko – ruse. Synohet përçarja e evropianëve, në mënyrë që pastaj të vihet pushtet mbi ata.

Rusia vazhdimisht tenton të ndajë euro-lindorët nga euro-perëndimorët dhe nganjëherë në këtë aspekt është e suksesshme. Zoti Grushko, pos tjerave, është reprezentues i kësaj politike. Por, besoj se evropianët e kanë fare të qartë se çfarë synon Rusia.

Në rastin e Kosovës, krejt çfarë mund të bëjë Rusia, është izolimi i vendeve siç janë Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Qiproja nga të tjerët. Ky nuk është ndonjë sukses, por dëshmon jounitetin e Bashkimit Evropian dhe kjo gëzon disa qarqe në Moskë.

Sa u përket konflikteve të ngrira, dua t'i referohem një analisti britanik që tha se ato nuk ekzistojnë dhe në vend të kësaj përdori termin konflikte të heshtura, që mund të zgjohen nëse Rusia ndez zjarrin.

Në rastin e Kosovës, Rusisë nuk i konvenon të qartësojë statusin, por ta mbajë në tension që ta shfrytëzojë kur të dëshirojë. Kjo është në fakt esenca e konflikteve të ngrira që konsiston në synimin e Moskës për t'i eksploatuar kur i duhet.

Moska e do Kosovën si çështje të hapur për të destabilizuar Ballkanin dhe për të minuar unitetin e Bashkimit Evropian. Por, është çështje tjetër nëse të tjerët do të pranojnë këtë lojë të Kremlinit.

RADIO EVROPA E LIRË

Moska dhe Beogradi janë duke kërkuar vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke argumentuar këtë me faktin se bisedimet do të evitonin destabilizimin e mëtejmë të situatës në Kosovë. A mendoni se pas njohjes së pavarësisë së Kosovës nga 43 vende ka hapësirë për bisedime për çështje statusore?

PATRICK MOORE
Jo. Ischinger në dhjetorin e kaluar tha se bisedimet kanë vdekur. Aktualizimi eventual i tyre nuk ka asnjë bazë serioze dhe janë propagandë e pastër. Ftesa për rifillim të bisedimeve mund të destabilizojë rajonin.

Serbia dhe miqtë e saj në Moskë do të bënin mirë të pushonin së humburi kohë në fushata të tilla dhe të përqendrohen në tejkalimin e problemeve brenda Serbisë dhe te integrimet rajonale dhe evropiane.

RADIO EVROPA E LIRË
Serbët e Kosovës nga 28 qershori do të kenë Parlamentin paralel. Ku mund të çoj ky zhvillim?

PATRICK MOORE
Do të çojë askund. Ai nuk do të njihet nga Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Prishtina. Do të jetë një foltore ilegale që do të mbahet gjallë nga Beogradi.

Ky zhvillim nuk është në interes të pakicës serbe që herët a vonë duhet të merret vesh me Prishtinën dhe jo Beogradin. Asambleja serbe në Kosovë në asnjë mënyrë nuk do të jetë në shërbim të interesave të 60 për qind të serbëve të Kosovës që jetojnë në enklava dhe që nuk kanë zgjidhje tjetër pos të bashkëpunojnë me Prishtinën.

Ky Parlament nuk është vetëm humbje kohe, por, gjithashtu, në planin afatgjatë dëmton interesat e serbëve të Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG