Zyrtari i lartë i OKB-së viziton centralin bërthamor në Kursk

Shefi i Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Energji Bërthamore, Rafael Grossi.

Shefi i Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Energji Bërthamore, Rafael Grossi, ka arritur të martën në centralin bërthamor në Kursk, për të cilin Moska ka thënë se është sulmuar vazhdimisht prej forcave ukrainase, të cilat janë vetëm 40 kilometra larg.

Siguria e centraleve bërthamore është përmendur shpesh, prej kur ka nisur lufta në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.

Pas inkursionit të forcave ukrainase në Rusi – të nisur më 6 gusht – vëmendja është kthyer te centrali bërthamor në Kursk, një stacion i madh bërthamor i periudhës sovjetike.

SHIKONI EDHE: Shkatërrimi i urave: Ukraina e zgjeron ofensivën, Rusia i afrohet qytetit në Donbas

Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka akuzuar Ukrainën javën e kaluar se po tenton të sulmojë centralin e Kurskut, në të cilin gjenden katër reaktorë sovjetikë, të modelit të njëjtë sikurse ata të centralit bërthamor në Çernobil.

Më 1986, ai central në Çernobil ishte kthyer në njerën prej katastrofave më të mëdha bërthamore.

Ukraina nuk u është përgjigjur ende akuzave se ka sulmuar këtë zonë.

Zyrtarë ukrainas kanë thënë ditë më parë se ushtria ukrainase nuk synon pushtimin e tokave ruse, por krijimin e një zone neutrale, për të pamundësuar sulmet ruse në tokën ukrainase.

Rusia, në anën tjetër, ka intensifikuar sulmet me dronë dhe raketa në dy ditët e fundit, nëpër rajone të ndryshme në Ukrainë.

SHIKONI EDHE: Rusia godet sërish Ukrainën me raketa dhe dronë

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.