Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka thënë të enjten se e njeh plotësisht rolin thelbësor të Radios Evropa e Lirë në promovimin e gazetarisë së besueshme dhe të saktë në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor.
“Përkushtimi i Radios Evropa e Lirë për të vërtetën dhe raportimin e pavarur, është thelbësor në rajonet me situatë komplekse politike, për fuqizim të komuniteteve dhe forcim të vlerave demokratike. Nga ndalja e punës së saj do të përfitonin vetëm ata që përhapin narrativë përçarës, duke anuar më tej balancën në favor të dezinformimit”, ka thënë zëdhënësja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Ioanna lachana.
Më 14 mars, presidenti amerikan, Donald Trump, e ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv që synon shkurtime të mëdha në shtatë agjenci federale - përfshirë Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Media Globale (USAGM), e cila mbikëqyr Radion Evropa e Lirë dhe transmetuesit tjerë federalë.
Agjencia e SHBA-së për Media Globale është agjenci e pavarur qeveritare, që mbikëqyr media që transmetojnë në pothuajse 50 gjuhë dhe shtrihen te 361 milionë njerëz në baza javore.
Aty përfshihen mediat: Radio Evropa e Lirë, Zëri i Amerikës, Radio Azia e Lirë, Transmetuesi për Kubën (Radio Marti), Rrjeti i Transmetuesit për Lindje të Mesme dhe Fondi i Teknologjisë së Hapur.
Pak orë pas vendimit të Trumpit, zyrtarë të USAGM-it i kanë ndërprerë punën Zërit të Amerikës dhe Transmetuesit për Kubën, ndërsa kanë ndërprerë grantet për Radion Evropa e Lirë dhe agjencitë tjera.
Radio Evropa e Lirë e ka paditur USAGM-in më 18 mars, si dhe zyrtarët e agjencisë, Kari Lake dhe Victor Morales, për t’i parandaluar përpjekjet e tyre për ta ndërprerë financimin federal të REL-it.
Padia argumenton se mohimi i fondeve të miratuara nga Kongresi për REL-in shkel ligjet federale dhe Kushtetutën e SHBA-së, e cila i jep Kongresit autoritetin ekskluziv mbi shpenzimet federale.
SHIKONI EDHE: REL-i e padit mbikëqyrësin USAGM për ndaljen e grantit federalNdërkohë, politikanët e Bashkimit Evropian po vazhdojnë përpjekjet për një mbështetje të mundshme për Radion Evropa e Lirë, mes shqetësimeve se mbyllja e këtij transmetuesi mund të jetë një goditje për mediat pro-demokracisë.
Ambasada gjermane në Kosovë i ka thënë Radios Evropa e Lirë se kjo media është “fener i raportimit të lirë dhe të paanshëm” për më shumë se shtatë dekada në mbarë Evropën dhe më tej.
“Siç ka theksuar përfaqësuesja e Lartë [e BE-së, Kaja] Kallas, BE-ja aktualisht është duke eksploruar mundësitë për të mbështetur punën e rëndësishme të REL-it. Kjo, po ashtu, flet për kontributin e REL-it për demokracinë dhe promovimin e informacionit të besueshëm në mbarë botën”, ka thënë Ambasada gjermane në Prishtinë.
SHIKONI EDHE: BE-ja diskuton për mbështetjen e REL-it pas ndërprerjes së financave nga SHBA-jaNjë ditë më parë, organizata me nam nga shumë vende të botës kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët, përmes së cilës kanë shprehur mbështetjen për lirinë e fjalës dhe mediave, dhe u kanë bërë thirrje Shteteve të Bashkuara që t’i mbrojë gazetarët dhe punëtorët tjerë të punësuar nga USAGM-i, meqë shumë prej tyre përballen me rreziqe personale për shkak të raportimit nga dhe për regjime shumë shtypëse.
“Për më shumë se 80 vjet, entitetet e USAGM-it, përfshirë Zërin e Amerikës dhe Radion Evropa e Lirë (REL) kanë luajtur rol vital në shtirjen tek audiencat që jetojnë nën qeveri shtypëse dhe fuqizojnë shprehjen e lirë në disa prej ambienteve më të rrezikshme për raportim. Eliminimi i këtyre organizatave është goditje e madhe për lirinë e mediave dhe dhuratë për autokratët në botë”, është thënë në deklaratën e përbashkët.
Buxheti që ka kërkuar USAGM-i nga Kongresi amerikan për vitin fiskal 2025 ka qenë 950 milionë dollarë për t’i financuar të gjitha operacionet dhe investimet kapitale.