Zvicra dhe Franca pezullojnë dëbimet në Afganistan

Refugjatë afganë afër kufirit me Turqinë. Fotografi nga arkivi.

Franca dhe Zvicra u janë bashkuar shteteve tjera evropiane, duke njoftuar se kanë pezulluar dëbimet në Afganistan, për shkak të përkeqësimit të situatës së sigurisë, teksa talibanët rrisin ofensivën.

Ministrja e Brendshme franceze u ka thënë agjencive të lajmeve më 12 gusht se kjo politikë ka qenë në fuqi nga fillimi i korrikut.

“Ne jemi duke analizuar situatën nga afër bashkë me partnerët tanë evropianë”, është cituar të ketë thënë ministria, pas agjencisë së lajmeve AFP.

Vitin e kaluar afganët kanë kërkuar më së shumti azil në Francë – rreth 8,900 aplikantë.

SHIKONI EDHE: Gjermania nuk ndihmon Afganistanin nëse talibanët marrin pushtetin

Zvicra po ashtu ka njoftuar më 11 gusht se dëbimet për shkak të refuzimit të kërkesës për azil do të pezullohen “deri në njoftim e radhës, për shkak të ndryshimit të situatës në atë shtet”.

“Përgatitjet për riatdhesim do të vazhdojnë vetëm në rastet kur personat kanë kryer shkelje penale”, ka thënë Sekretariati Shtetëror për Migrim.

Më herët gjatë kësaj jave, Gjermania dhe Holanda kanë thënë po ashtu se nuk do të dëbojnë azilkërkuesit në Afganistan.

Më 10 gusht, Bashkimi Evropian ka thënë se është duke shqyrtuar mundësinë e ofrimit të mbështetjes për shtetet fqinje të Afganistanit, pasi ato mund të përballen me mijëra refugjatë që ikin si pasojë e përshkallëzimit të situatës.

Ekzistojnë shqetësime për përsëritje të krizës së migrantëve në Evropë, sikurse më 2015, kur mbi një milion migrantë, shumica prej tyre sirianë, kanë arritur në BE, dhe kanë nxitur ndasi të thella politike në këtë bllok.

Situata e sigurisë është përshkallëzuar në Afganistan, prej kur forcat ndërkombëtare kanë nisur të largohen nga ky vend në muajin maj.

SHIKONI EDHE: SHBA: U takon afganëve ta mbrojnë shtetin e tyre

Forcat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara kanë rrëzuar talibanët nga pushteti në tetor të vitit 2001.

Talibanët kanë qenë duke strehuar atëbotë Osama Bin Laden dhe figura tjera të Al-Kaidës, të lidhura me sulmet e 11 shtatorit të po atij viti në Shtetet e Bashkaura.

Presidenti amerikan Joe Biden ka thënë se tërheqja amerikane tani është e arsyeshme, pasi forcat amerikane janë siguruar që Afganistani nuk do të bëhet më bazë për xhihadistë të huaj që të kryejnë komplote kundër Perëndimit.