Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev vlerëson se qytetarët me votën e tyre në referendumin e së dielës për Marrëveshjen për emrin me Greqinë, “kanë dhënë porosi të qartë se në cilin drejtim dëshirojnë të shohin të ecë Maqedonia”.
Zaev e ka cilësuar referendumin të suksesshëm, ndonëse nuk u kalua pragu i daljes prej 50 për qind.
SHIKONI EDHE: Nuk kalohet pragu në referendumin e MaqedonisëAi tha se nga nesër fillojnë bisedimet me opozitën për të kaluar ndryshimet kushtetuese që janë pjesë e marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqisë për çështjen e emrin dhe në ditët në vijim do të dihet se a ka mundësi që kjo marrëveshje të arrihet.
Kryeministri i Maqedonisë tha po ashtu se nëse dështojnë bisedimet, alternativë e vetme mbeten zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që do të mbaheshin në nëntor të këtij viti.
“Zgjedhjet do të ndryshojnë gjendjet në të mirë në funksion të numrit të deputetëve për votimin e ndryshimeve kushtetuese”, tha Zaev, duke iu referuar ndryshimeve kushtetuese që duhet të miratojnë deputetët e Kuvendit të Maqedonisë, me qëllim që të ndryshohet emri i shtetit nga ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, në Maqedoninë Veriore.
“Referendumi përfundoi. Qytetarët dhanë një drejtim të qartë se kah dëshirojnë të shkojë Maqedonia. Nëse ndokush në bisedime ofron ndonjë alternativë tjetër, ne jemi të hapur për bisedime. Por, askush nuk tregon se cila është alternativa për NATO-n dhe BE. Askush nuk thotë se ka marrëveshje më të mirë nga kjo që kemi arritur ose se mund të arrihet një marrëveshje më e mirë. Absolutisht janë shumë të qarta hapat kah duhet të ecë Maqedonia".
SHIKONI EDHE: SHBA përshëndet rezultatin e referendumit për emrin në Maqedoni"Nga ky aspekt, unë pres që të sillen me përgjegjshmëri të gjithë gjatë marrjes së vendimeve. Ngase në të kundërtën, nëse themi se nuk sjellim vendime të këtilla dhe nuk marrim pjesë në votim atëherë logjikisht pasojnë zgjedhjet”, u shpreh Zaev.
Ndërkaq, lideri i partisë opozitare maqedonase VMRO-DPMNE, Hristijan Mickovski tha se në referendum qytetarët treguan se nuk e përkrahin Marrëveshjen me Greqinë.
Mickovski konsideron se qeveria e Zoran Zaevit u delegjitimua, ndaj kërkoi largimin e tij.
Por, kësaj kërkese i është përgjigjur kryeministri Zaev duke u shprehur se “nuk dorëhiqem. E kam për obligim që këtë proces ta shpije përpara”.
SHIKONI EDHE: Maqedonia dhe Greqia nënshkruajnë marrëveshjen për emrinNdërkaq, zëvendëskryeministri për Çështje të Integrimeve Evropiane, Bujar Osmani u shpreh se Maqedonia nuk ka kohë për të humbur dhe mënyra më e mirë është që në Kuvend të kalojnë ndryshimet kushtetuese me dy të tretat e votave, dhe pastaj të shqyrtohet mundësia e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Osmani ka përgënjeshtruar informacionet se dalja e shqiptarëve në referendum ka qenë e ulët.
“Kishte disa spekulime dje se shqiptarët nuk kanë dalë për të votuar. Shqiptarët kanë dalë masovikisht në votime. Si referencë duhet të merret historiku i zgjedhjeve. Zakonisht në zgjedhjet lokale dalja është më e lartë në votime. Ne dje kishim numër më të madh të daljes në referendum edhe nga ajo e zgjedhjeve lokale”, tha Osmani.
Zëvendëskryeministri Osmani tha po ashtu se instrumenti për të matur Marrëveshjen me Greqinë nuk ka të bëjë me censusin e referendumit, sepse siç u shpreh ai, qytetarët e legjitimuan marrëveshjen me Greqinë për çështjen e emrit me 600.000 vota “për”, nga 450 mijë aq sa nevojiten si vota pozitive.
Ambasadori amerikan në Shkup, Jess Baily tha se rezultatet e referendumit të së dielës tregojnë se një numër i madh i qytetarëve dëshmuan se duan që Maqedonia “të ecë përpara, të ecë drejt BE-së dhe NATO-s të ketë prosperitet dhe stabilitet”.
Në anën tjetër, misioni vëzhgues i OSBE-së ka vlerësuar se referendumi është “realizuar në një atmosferë të qetë dhe demokratike".
Kreu i këtij misioni në Shkup , Jan Petersen, megjithatë tha se qytetarët nuk kanë qenë mirë të informuar rreth përmbajtjes së marrëveshjes për çështjen e emrit, për të cilën ishin thirrur që të deklarohen në referendumin e së dielës.
Ai po ashtu tha se “për rezultate më të besueshme, Maqedonia duhet të angazhohet për pastrimin e listave zgjedhore”.
Sipas të dhënave të fundit Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve në Maqedoni, të grumbulluara nga të gjitha vendvotimet në referendumin e së dielës kanë dalë 36.97 për qind e trupit të përgjithshëm votues, apo rreth 666 e 743 mijë nga 1.8 milion qytetarë me të drejtë vote.
(Video: Referendumi në Maqedoni, 30 shtator, 2018)
Your browser doesn’t support HTML5
Nga ata që kanë dalë në votime, 609 mijë e 813, përkatësisht 91.46 për qind kanë votuar “për”, kurse 37 mijë e 700, përkatësisht 5.65 për qind kanë votuar “kundër”.
Rreth 1.8 milion qytetarë të Maqedonisë me të drejtë vote ishin ftuar t’i përgjigjen pyetjes: “A jeni për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE me pranimin e marrëveshjen me Greqisë”.