Zaev: Do ta rishikojmë Ligjin për gjuhën shqipe

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev. Fotografi nga arkivi.

Ligji për përdorimin e gjuhëve të bashkësive etnike do të rishikohet bazuar në vlerësimit e Komisionit të Venecias. Kështu ka paralajmëruar kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev duke komentuar mendimin e Komisionit të Venecias, i cili të premten doli me një sërë vërejtjesh lidhur me përmbajtjen e këtij ligji, që edhe në fazën e miratimit kishte shkaktuar tensione e reagime të shumta në Maqedoninë e Veriut.

Zaev tha se do të ketë ndryshime në pjesën që ka të bëjë me përdorimin e gjuhës shqipe në gjyqësor, në mënyrë që të shmanget situata që rrezikojnë të drejtat tjera dhe që të mundësohet e drejta e përdorimit të gjuhës amtare.

SHIKONI EDHE: Komisioni i Venecias me vërejtje për Ligjin për shqipen

Komisioni i Venecias ka konstatuar se përmbajtja e ligjit mund të ngadalësojë në mënyrë domethënëse funksionimin e të gjithë gjyqësorit, duke rrezikuar shkelje serioze të së drejtës për gjykim të drejtë, e garantuar me të Konventën ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut.

"Gjuhët janë që njerëzit të kuptohen mes veti, ne kemi dalë në një zgjidhje ligjore, por edhe atëherë, kur debatuam në kuvend dhe pas miratimit të tij thamë se do të presim Komisionin e Venecias dhe do ta respektojmë vlerësimin, kështu që qëllimi im është të respektojmë Komisionin e Venecias. Ministria e Drejtësisë do të përgatisë ndryshimet dhe ne do t'i dërgojmë ato përsëri për miratim në kuvend, në përputhje me vlerësimet e Komisionit të Venecias”, ka deklaruar kryeministri Zoran Zaev.

Partia opozitare VMRO-DPMNE, e cila në vazhdimi është deklaruar kundër Ligjit për gjuhët, kërkon që të respektohet qëndrimi i Komisionit të Venecias, që sipas kësaj partie “konfirmoi vërejtjet dhe kritikat që qytetarët dhe VMRO-DPMNE i patën në kohën e miratimit të ligjit”.

“Pozicioni i Komisionit të Venecias duhet të respektohet, veçanërisht pasi ne jemi një vend që po synon anëtarësimin në Bashkimit Evropian”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.

SHIKONI EDHE: Institucionet e Maqedonisë para sfidës së zbatimit të shqipes si gjuhë zyrtare

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) kanë thënë se “Komisioni i Venecias ka mbështetur tërësisht politikat tona për barazi gjuhësore”, pa komentuar vërejtjet e komisionit.

Komisioni i Venecias gjithashtu rekomandoi që detyrimi i përdorimit të gjuhës shqipe në komunikim ndërinstitucional dhe të brendshëm mes shërbyesve administrativë dhe atyre civilë, të kufizohet në komunikim zyrtar të shkruar ose futja e tij në fuqi të shtyhet deri në zbatimin e duhur të asaj dispozite sa të jetë e pranueshme.

Ligji për përdorimin e gjuhëve që avancon përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe është miratuar më 14 mars të vitit 2018, por hyrja e tij në fuqi është zvarritur për gjatë kohë meqë ish-presidenti, Gjorge Ivanov refuzonte dekretimin e tij.

Ligji që është në fuqi parasheh përdorimin e gjuhës shqipe në qeveri, kuvend, organet e pushtetit gjyqësor dhe administratën publike. Edhe mbishkrimet e të gjitha institucioneve në nivel qendror janë në dy gjuhë, ndërsa në nivelin lokal gjuha shqipe do të përdoret në të gjitha komunat ku më shumë se 20 për qind e popullatës flasin gjuhën shqipe.