Zoran Zaev dorëhiqet nga posti i kryeministrit

Kryeministri në dorëheqje i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Zoran Zaev ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit të Maqedonisë së Veriut pas disfatës së thellë të partisë së tij, Lidhjes Social-Demokrate (LSDM), në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale që u mbajtën të dielën (31 tetor) në këtë vend.

Zaev ka dhënë dorëheqje edhe nga drejtimi i LSDM-së duke marrë gjithë përgjegjësinë për disfatën e partisë së tij në raundin e parë të zgjedhjeve lokale më 17 tetor dhe në balotazhin e mbajtur, më 31 tetor.

Ai tha se pavarësisht dorëheqjes nuk është për zgjedhje të parakohshme, por që qeverinë ta drejtoj një kuadër tjetër i LSDM-së.

“Nuk duhet të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Do të qëndroj këtu në këtë periudhë sa më duhet, për të organizuar një Qeveri të re me një shumicë progresive që ka dhe mund të zgjerohet”, ka deklaruar Zaev.

VMRO-DPMNE kërkon zgjedhje të parakohshme parlamentare

Kryetari i partisë opozitare VMRO-DPMNE, Hristijan Mickovski tha më herët se “Zaev duhet të pranoj realitetin, të pranoj mesazhin e popullit dhe të largohet".

"Kemi vendosur bazat e një bashkëpunimi dhe një koalicion të mundshëm qeveritar. Ne dëshmuan se edhe përkundër dallimeve mund të bashkohemi rreth qëllimit të përbashkët, për një Maqedoni pa korrupsion dhe e cila do të ec përpara, për një Maqedoni të integruar në Bashkimin Evropian. Këtë mund ta bëjë një bllok i bashkuar opozitar që tashmë është realitet që do të sjell një fitore bindshme në zgjedhjet e parakohshme parlamentare”, ka deklaruar Mickovski.

VMRO-DPMNE-ja ka shpallur fitoren në rreth 20 nga 44 komuna sa u votua në balotazh. LSDM-ja e shpalli në tetë, shtatë tha se i ka fituar Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI). Lëvizja Besa fitoi dy komuna, përfshirë edhe Tetovën, aq sa edhe Aleanca për Shqiptarë, e cila fitoi Gostivarin dhe Dibrën.

SHIKONI EDHE: Maqedoni e V.: VMRO-ja shpall fitoren në shumicën e komunave

Shkupi, si njësi e veçantë e pushtetit lokal është fituar nga Danella Arsovska, kandidate e pavarur që kishte mbështetjen e VMRO-DPMNE-së dhe të opozitës shqiptare, bazuar në rezultatet e VMRO DPMNE-së por edhe të LSDM-së.

Danella Arsovska.

Danella Arsovska ka fituar rreth 55 për qind të votave. Kundërkandidati i saj nga LSDM-ja, Petre Shilegov, kryetar aktual i Shkupit, ka pranuar disfatën në zgjedhje.

Arsovska, në konferencën për media në selinë e saj, theksoi se "për herë të parë në 30 vjet prej se vendi është i pavarur, Shkupi ka një kryetare".

Arsovska tha se tani ka një mundësi për ta shndërruar Shkupin në një qytet të gjelbër, të pastër, të bukur dhe modern.

Ndërkohë, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, tha se “zgjedhjet janë zhvilluar sipas të gjitha standardeve demokratike. Ishte një proces me rëndësi për të ardhmen e komunave. BDI ka fituar Strugën, Kërçovës, Dollnenit, Çairit, Bogovinës, Tearcës dhe në Haraçinë”, ka deklaruar kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Lëvizja Besa ka shpallur fitoren në Tetovë, ku sipas Arjanit Hoxhës nga kjo parti, kryetar i ri i komunës do të jetë Bilall Kasami, i cili sipas tij ka fituar bindshëm kandidaten e BDI-së, Teuta Arifi.

“Lodhja e tetovarëve nga qeverisja katastrofale tetëvjeçare e BDI-së, ka bërë që fitorja jonë dhe oferta për një Tetovë ndryshe të jetë arsyeja e fitores tonë”, ka deklaruar Arjanit Hoxha nga lëvizja BESA.

Kjo parti ka fituar edhe në komunën e Zhelinës, një komunë rurale kjo në rajonin e Tetovës.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ende nuk ka shpallur rezultatet preliminare.

Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Aleksandar Dashtevski tha se deri në orën 18.30 në votime kanë dalë 48.48 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.

“Vlerësoj se të dielën kishim proces zgjedhor demokratik, të qetë dhe disa probleme të vogla të izoluara që nuk ndikuan në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Pra, zgjedhjet konsideroj se ishin të suksesshme”, ka deklaruar kryetari i KSHZ-së, Alekandar Dashtevski.

Qeverisja e Zaevit

Kryetari i Lidhjes-Social Demokrate, Zoran Zaev, në postin e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut për herë të parë u zgjodh më 31 maj të vitit 2017 pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që ishin mbajtur në vitin 2016. Ai në krye të qeverisë u zgjodh me votat e të gjitha partive politike shqiptare pasi LSDM në zgjedhje ishte mundur nga VMRO-DPMNE me rezultat të ngushtë apo me një dallim prej dy mandateve të deputetëve.

Gjatë këtij mandati Zaev mori përsipër vendime të rëndësishme, siç është ai me Greqinë për ndryshimin e emrit kushtetues të Maqedonisë së Veriut, e cila deri para Marrëveshjes së Prespës së arritur më 17 qershor 2018 quhej “Republika e Maqedonisë”.

Pavarësisht kritikave të shumta në opinion lidhur me këtë marrëveshje, por edhe negociatave më pas me Bullgarinë për marrëveshjen e fqinjësisë së mirë, që po ashtu konsiderohet si e dëmshme për interesat kombëtare maqedonase, Zoran Zaev fiton edhe zgjedhjet e rregullta parlamentare, që u mbajtën në qershor të vitit 2020. Edhe në këto zgjedhje, partia e socialdemokratit, Zoran Zaev fitoi me rezultat të ngushë dhe ishin sërish partitë shqiptare, që i mundësoi formimin e Qeverisë së re.

Zaev pas disfatës së partisë së tij në raundin e parë të zgjedhjeve lokale më 17 tetor kishte paralajmëruar dorëheqjen nëse partia e tij humb zgjedhjet në raundin e dytë, në veçanti në Shkup.