Pse po përkeqësohet situata me zjarret?

Pyje të shkatërruara nga zjarret në Zhirode në jugperëndim të Francës. 11 gusht 2022.

Reuters

Dhjetëra shtete evropiane sikurse Italia, Franca, Greqia, Portugalia, Sllovenia dhe Spanja në muajt e fundit janë sfiduar nga zjarret e egra, që kanë shpërthyer si pasojë e valës së të nxehtit dhe thatësisë. Si pasojë e zjarreve, mijëra persona janë zhvendosur.

Situata me zjarret ka mbingarkuar shërbimet emergjente dhe po shkakton dëm edhe te mjedisi dhe njerëzit. Zjarret e egra lëshojnë në atmosferën e planetit dyoksid të karbonit (CO2), duke rënduar edhe më tej situatën me ndryshimet klimatike dhe kushtet e motit ekstrem.

SHIKONI EDHE: Franca në luftë me zjarret pyjore

Në nivel global, zjarret pyjore po përkeqësohen, teksa sezoni i zjarreve më 2021 ishte sezoni i dytë më i keq në histori, sipas Universitetit të Marilendit dhe shërbimit monitorues, Global Forest Watch (GFW).

Të dhënat e publikuara më 17 gusht nga GFW – që udhëhiqet nga Instituti World Resources, me seli në SHBA – treguan se zjarret pyjore po bëhen më të shpeshta dhe po djegin sipërfaqe pyjore dy herë më shpejt sesa 20 vjet më parë.

Më poshtë mund të mësoni se çfarë kanë gjetur hulumtuesit e GFW-së lidhur me zjarret pyjore në mbarë botën, duke u bazuar në imazhe satelitore dhe pse këto gjetje janë të rëndësishme.

Sa e rëndë është situata me zjarret pyjore?

Zjarret pyjore tani po shkaktojnë çdo vit shkatërrim prej 3 milionë hektarë tokë të mbjellë me dru sesa më 2001.

Këto zjarre përbëjnë një të tretën e të gjitha druve të shkatërruar gjatë dy dekadave të fundit. Ndërkaq, faktorët që nuk lidhen me zjarret variojnë nga pastrimi i tokës duke prerë drunjtë deri te rregullimi i shtretërve të lumenjve.

Shkatërrimi i pyjeve nga zjarret në Tabara të Spanjës. 27 korrik 2022.

Viti i kaluar ishte një prej viteve më të rënda të zjarreve pyjore në shekullin e fundit. Flakët shkaktuan djegien e 9.3 milionë hektarëve tokë të mbjella me dru në botë – më shumë se një e treta e humbjeve të regjistruara më 2021.

Ndryshimet klimatike janë një faktor i madh kontribuues në rritjen e shpërthimeve të zjarrit, pasi valët e të nxehtit tani kanë gjasa pesëfish më të mëdha që të godasin planetin sesa 150 vjet më parë. Po ashtu, zjarret pritet të bëhen më të shpeshta në të ardhmen, pasi planeti vazhdimisht po ngrohet.

Temperaturat më të nxehta thajnë pyjet dhe tokën duke krijuar një mjedis ideal për zjarre më të mëdha dhe më të shpeshta pyjore. E gjithë kjo rezulton me emetime më të mëdha të CO2, duke përkeqësuar edhe më tej ndryshimet klimatike dhe duke kontribuar në shpërthimin e më shumë zjarreve.

Ku ndodhin zjarret më të këqija pyjore?

Rreth 70 për qind e shkatërrimit të druve nga zjarret në dy dekadat e fundit kanë ndodhur në pyjet boreale që gjenden në rajonet më veriore, sikurse në Kanada, Rusi dhe Alaskë.

Përderisa zjarret janë pjesë natyrale se si pyjet boreale funksionojnë në aspektin ekologjik, shkatërrimi i druve si pasojë e zjarreve është rritur në një nivel prej rreth 110.000 hektarësh në vit gjatë dy dekadave të fundit.

Rritja e zjarreve në pyjet boreale ka të ngjarë që po ndodh për shkak të ngrohjes së rajoneve veriore me një ritëm më të shpejtë sesa pjesa tjetër e planetit, u tha në një hulumtim të ri.

Kjo çon në sezone më të gjata të zjarrit, në ashpërsi dhe frekuencë më të madhe të zjarreve dhe më shumë hapësirë e djegur në këto rajone.

Për shembull, vitin e kaluar Rusisë i janë shkatërruar 5.4 milionë hektarë me dru si pasojë e zjarreve. Kjo ishte shifra më e lartë e regjistruar në dy dekada dhe rreth 31 për qind më shumë sesa vitin 2020.

Your browser doesn’t support HTML5

"Apokalips i të nxehtit": Zjarret e egra përcëllojnë Evropën

Kjo gjerësisht ishte për shkak të valëve të zgjatura të të nxehtit, të cilat nuk do të ndodhnin nëse nuk do të kishte ndryshime klimatike, thanë hulumtuesit.

Pyjet boreale përbëjnë pjesën e botës ku më së shumti është i përqendruar karboni, pasi ai gjendet nëntokë, përfshirë edhe në shtresën e ngrirë që gjendet thellë nën sipërfaqen e tokës.

Historikisht, kjo sasi e karbonit që gjendet nëntokë ka qenë e mbrojtur nga zjarret që kanë shpërthyer natyrshëm.

Por, temperaturat më të nxehta dhe zjarret më të shpeshta po shkrijnë shtresën e akullit, duke bërë që karboni që gjendet nën tokë të jenë më i ndjeshëm ndaj djegies.

Pse vendet tropikale po përballen me më shumë zjarre pyjore?

Pyjet tropikale përshkruhen si zona me mbulesë pyjore natyrore tropikale dhe me lagështi, të cilat nuk janë të pastruara apo nuk kanë dru të mbjellë së fundmi.

Gjatë 20 vjetëve të fundit, shkatërrimi i druve si pasojë e zjarreve në pyjet tropikale është rritur me një nivel prej 36.000 hektarësh (5 për qind) në vit. Ky nivel përbën rreth 15 për qind të shkatërrimit të përgjithshëm të druve në botë.

Megjithëse zjarret janë përgjegjëse për shkatërrimin e më pak se 10 për qind të zonave të mbuluara nga drutë në pyjet tropikale, prodhimi i mallrave dhe ndryshimi i bujqësisë i ka bërë pyjet tropikale më të ndjeshme ndaj zjarreve.

Shpyllëzimi dhe degradimi i pyjeve që lidhet me zgjerimin e bujqësisë – që përfshin vajin e palmave, sojën dhe bagëtinë – kanë çuar në rritjen e temperaturave dhe tharjen e vegjetacionit.

SHIKONI EDHE: Çfarë qëndron pas valës vdekjeprurëse të zjarreve në Evropë?

Në rajonet tropikale, zjarret zakonisht përdoren për të pastruar tokën për kullota dhe mbjelljen e kulturave bujqësore, pasi drunjtë bien ose thahen. Gjatë periudhave të thatësisë, këto zjarre aksidentalisht përhapen edhe në pyjet përreth.

Pothuajse të gjitha zjarret që shpërthejnë në tropik shkaktohen nga njerëzit. Ato më pas zgjerohen për shkak të kushteve të nxehta atmosferike, por edhe thatësirës, gjë që mund të bëjë që zjarret të dalin jashtë kontrollit.

Rreziku nga zjarret e egra në pyjet tropikale është rritur edhe më shumë nga stuhitë sikurse El Nino, ciklone natyrore klimatike që ndodhin çdo dy apo shtatë vjet dhe shkaktojnë shira të rrëmbyeshëm në pjesë të Azisë Juglindore dhe Amerikës Latine.

Çfarë mund të bëhet për të reduktuar zjarret pyjore?

Nuk ka ndonjë zgjidhje për të ulur nivelin e shpërthimeve të shpeshta të zjarreve, pa ulur në mënyrë drastike emetimet e gazrave serë, thanë hulumtuesit.

Por, aktivitetet e njerëzve në dhe përreth pyjeve i bën pyjet më të ndjeshme ndaj zjarreve të egra dhe kjo luan rol të madh në ngritjen e nivelit të shkatërrimit të druve nga zjarret.

Përmirësimi i gjendjes së pyjeve duke ndaluar shpyllëzimin dhe degradimin konsiderohet vital për parandalimin e zjarreve në të ardhmen.

Përgatiti: Mimoza Sadiku