Ekipet e kërkim-shpëtimit në Havai do të mund t’i gjejnë trupat e 10 deri 20 viktimave në ditë, ka thënë guvernatori Josh Green për transmetuesin amerikan CBS News.
Numri i të vdekurve si pasojë e zjarreve pyjore ka arritur në 96 të dielën, duke e kthyer katastrofën e fundit në Havai si më të keqen në Shtetet e Bashkuara, në më shumë se një shekull.
Sipas guvernatorit Green, do të duhen më shumë se 10 ditë për ta mësuar numrin e saktë të viktimave.
Gati e gjithë qyteza Lahaina është shkatërruar nga zjarri.
“Nuk ka mbetur asgjë për t’u parë përveç shkatërrimit”, ka thënë Green për CBS.
Ai ka thënë se të gjithë banorët e Lahainas – vend me 12.000 banorë – kanë ikur apo e kanë pësuar nga zjarri.
Deri të shtunën, zyrtarët kanë thënë se vetëm 3 për qind e territorit në Lahaina është gjurmuar.
Në ndihmë janë dërguar ekipe të vendeve tjera, me qëllim të identifikimit të viktimave.
Zjarri vdekjeprurës në Lahaina është ende aktiv, ndonëse pjesa më e madhe është fikur, sipas autoriteteve të qarkut Maui.
Se si ka nisur zjarri nuk dihet, edhe pse konsiderohet të jetë nxitur nga erërat e nxehta të Uraganit Dora në afërsi.