Raportimet për zhdukjen e 14-vjeçares në Shkup shkelin sërish kodin e etikës

Fotografi ilustruese nga arkivi

“Çdo informacion është i rëndësishëm, ju lutem shpërndajeni”, është postimi më i përhapur në rrjetet sociale për kërkimin vajzës 14-vjeçare, Vanja Gjorçevska, gjurmët e së cilës janë zhdukur nga e hëna (27 nëntor) në orën 7 e 30 minuta, kur ishte nisur për në shkollë në qendër të Shkupit.

Megjithëse e ëma e vajzës, Zorica Gjorçevska, disa herë ka kërkuar që të mos shpërndahen spekulime në lidhje me zhdukjen e vajzës së saj të mitur, nuk janë të pakta informacionet në rrjetet sociale dhe mediat online me spekulime.

Portali maqedonas, Kurir të mërkurën publikoi një lajm ku theksohej se gjoja nga burime të hetimit, ka mësuar se 14-vjeçarja Vanja Gjorçevska, është gjetur gjallë dhe shëndosh në një shtet fqinj, duke aluduar në Kosovën.

Kjo ka nxitur reagimin e Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, Këshillit të Nderit të Shoqatës së Gazetarëve dhe Këshillit për Etikë në Media, duke dënuar ashpër mënyrën e raportimit në një pjesë të mediave lidhur me zhdukjen e vajzës 14-vjeçare nga Shkupi.

Leunora Kaliqi, kryetare e Këshillit për Etikë në Media thotë për Radion Evropa e Lirë se plasimi i informatave të pasakta në raste të këtilla të ndjeshme, jo vetëm që nuk është etik, por dëmton dhe procesin e hetimit.

“Me keqardhje e theksoj se kur kemi të bëjmë me temat e ndjeshme, kryesisht online, mediat përqendrohen më tepër në një garë të pakuptueshme për të kapur vëmendjen me lajme dhe tituj sensacionalë, duke injoruar përgjegjësinë etike dhe profesionale për përmbajtjen e tyre”, thotë Kaliqi.

Ajo thekson se në raste të tilla, shpesh humbet ndjeshmëria ndaj impaktit që mund të ketë raportimi për të zgjidhur apo dëmtuar një çështje, apo ndaj ndjenjave të individëve të përfshirë në të.

Për këtë, ajo bën përgjegjës gazetarët dhe mediat:

“Pyetja thelbësore shtrohet përpara nesh: për cilin qëllim duhet të shërbejmë si gazetarë dhe media? A i shërbejmë së vërtetës dhe objektivitetit ndaj qytetarëve, apo jemi të përkushtuar ndaj përfitimeve tona të ngushta?”.

SHIKONI EDHE: Edukimi mediatik, mbrojtja më e mirë nga dezinformatat

Rrjetet sociale, përmes titujve sensacionalë dhe informacioneve të pavërteta, thekson Kaliqi, kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në formimin e opinionit publik për ngjarje të caktuara.

Sipas saj, këtë e dëshmoi edhe rasti i fundit me vajzën e humbur, ku titujt kryesorë që dominonin ishin “Jozyrtarisht u gjet Vanja e humbur” dhe “Vanja nuk u gjet akoma”.

“Kjo erdhi si pasojë e vetëm një komenti në rrjetin social Facebook, i cili u mor i gatshëm, pa u vërtetuar dhe u publikua si lajm. Dhe pasuan edhe mediat tjera me shpërndarjen e lajmit të njëjtë”, shprehet Kaliqi.

Këshilli që ajo drejton dhe SHGM-ja, e kanë dënuar ashpër mënyrën se si po raportojnë disa media për zhdukjen e vajzës 14-vjeçare nga Shkupi. Kaliqi thotë se “është shkelur rëndë Kodi etik i gazetarëve, dhe janë postuar informacione të pasakta dhe të paverifikuara, të pavërteta dhe kryesisht të marra nga rrjetet sociale”.

SHIKONI EDHE: Mediat online, të infektuara me lajme të rreme

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, ka deklaruar se janë ndërmarrë aktivitete të shumta për gjetjen e vajzës së mitur.

“Në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut tashmë është formuar një shtab special që menaxhon aktivitetet e kërkimit të vajzës 14-vjeçare të zhdukur”, ka thënë Spasovski duke shtuar se për kërkimin ë 14-vjeçares është angazhuar edhe INTERPOL-i.

Ministri Spasovski për mediat ka shpjeguar punën intensive të ekipit të shtabit special në kërkimin e vajzës së mitur që është zhdukur që nga e hëna.

“Është kontrolluar edhe shtrati i lumit Vardar. Po kontrollohen të gjitha hapësirat nëntokësore, jo vetëm në rrethinë, por edhe më gjerë. Jemi duke punuar edhe në marrjen e të dhënave nga kishat dhe manastiret në rrethinën e Shkupit dhe nuk do të ndalemi me kaq, po punohet intensivisht”, ka theksuar të premten Spasovski.

Qytetarët kërkojnë zgjidhje në momentin që mungojnë rezultatet institucionale

Bojan Kordallov, ekspert i komunikimit, konsideron që në mungesë të zgjidhjes institucionale lihet hapësirë që qytetarët të marrin rolin e hetuesit, duke mos qenë të vetëdijshëm për dëmin që mund të sjellin duke penguar zgjidhjen e rastit dhe dëmin emocional te familjarët.

“Aspekti tjetër, se pse ngjarjet e këtilla nxisin mosdurim e urrejtje ndaj etniteteve të ndryshme, përgjigje duhet kërkuar te mossinqeriteti i shoqërisë këtu në Maqedoninë e Veriut, përkatësisht moskomunikimin e sinqertë mes etniteteve të ndryshme që të tejkalohen dallimet”, thekson Kordallov.

Ministria e Punëve të Brendshme e ka regjistruar Vanja Gjorchevskan, 14 vjeçe, në listën e personave të zhdukur në Maqedoninë Veriore.

"Gjorchevska Vanja, baba Aleksandar, nëna Zorica, lindur më 27.2.2009 në Shkup. Zhdukur më 27.11.2023 në orët e mëngjesit në rrugëtimin drejt shkollës 'Pestaloci' në Komunën e Qendrës së Shkupit. Përshkrimi: lartësi 175 cm, peshë 58 kg, flokë kafe të errët, sy kafe, protezë në dhëmbët e sipërm dhe të poshtëm, ka një shenjë në anën e djathtë të fytyrës. Është e veshur me bluzë blu, xhaketë të zezë, xhinse të zeza me xhepa anësorë, këpucë të bardha me vija kafe. Me vete ka çantën shkollore dhe telefonin celular iPhone", thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Ndryshe, në bazë të të dhënave të organizatës Alarmi i Kuq Evropian, brenda çdo viti në vendet e Bashkimit Evropian zhduken rreh 100 mijë.

Sipas të dhënave zyrtare nga MPB-ja, në tre vjetët e fundit (nga viti 2020 deri më 27.10.2023) janë zhdukur 74 persona të mitur. Prej tyre, 65 janë gjetur. Nëntë fëmijë klasifikohen si të zhdukur.