Kardiologu i njohur maqedonas, Zhan Mitrev, njëherësh pronari i spitalit privat me të njëjtin emër, ka dhënë 1 milion euro para të gatshme, duke siguruar autoritetet se nuk do të largohet nga Maqedonia e Veriut, bëri të ditur më 5 tetor Prokuroria Publike Themelore e Shkupit.
Kundër Mitrevit po zhvillohen hetime lidhur me dyshimin për mashtrim të pacientëve në spitalin e tij privat, “Zhan Mitrev”.
I dyshuari, siç tha Prokuroria Publike e Shkupit, nga prilli i vitit 2020 deri në vitin 2022, me qëllim të përfitimit të mjeteve financiare, ka mashtruar pacientët që po trajtoheshin me COVID-19 me metodën e hemofiltrimit, procedurë kjo joligjore që ka çuar, sipas autoriteteve gjyqësore, në vdekjen e 24 personave.
SHIKONI EDHE:
Zhan Mitrev dyshohet për veprën penale “mashtrim”, rrezikon 10 vjet burgFamilja nga Kosova me kallëzim penal kundër spitalit "Zhan Mitrev"Kallëzime penale kundër spitalit privat të kardiokirurgjisë, "Zhan Mitrev", në Shkup të Maqedonisë së Veriut, kanë ngritur edhe tetë familje tjera që kanë humbur të afërmit e tyre, në mesin e të cilave edhe familje nga Prishtina.
Për shkak të rrezikut për arratisje, Zhan Mitrevit i është konfiskuar pasaporta në muajin gusht. Prokurori Gavfrill Bubevski tha se deri më tani janë dëgjuar dëshmitë e 80 për qind e pacientëve që kanë thënë se janë të dëmtuar.
“Janë shtuar masat e sigurisë dhe përveç dokumentit të udhëtimit, i dyshuari ka dhënë garanci se nuk do të arratiset në shumën prej 1 milion eurosh në Gjykatën Penale, dhe vlerësojmë se me këto masa, prezenca e të akuzuarit është siguruar”, tha prokurori Bubevski.
Skandali është zbuluar nga rrjeti i gazetarisë hulumtuese IRL nga Maqedonia e Veriut që ka ngrehë dyshime për trajtimin joadekuat të dhjetëra pacientëve të tjerë në “Zhan Mitrev”.