Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta ka caktuar një datë të re të zgjedhjeve lokale në vend. Në një konferencë për media, presidenti bëri të ditur se ka dekretuar 13 tetorin si ditë kur qytetarët e Shqipërisë do të votojnë për kryebashkiakët e tyre.
Ai ka paraqitur dekretin e ri të nënshkruar për këtë datë dhe ka arsyetuar atë duke thënë se është dita më e shpejtë që mund të krijohet një ambient për organizim të zgjedhjeve gjithëpërfshirëse.
“(13 tetori) është dita më e shpejtë për të organizuar zgjedhje të përgjithshme vendore gjithëpërfshirëse. Jo vetëm për sa i takon vullnetit të atyre që dëshirojnë të marrin pjesë në zgjedhje, por njëkohësisht edhe që dëshirojnë që në bazë të të gjithave afateve ligjore dhe procedurale të jenë të përfshirë në një administrim gjithëpërfshirës të procesit të procesit zgjedhor”, tha presidenti.
SHIKONI EDHE: Basha: Nuk ka zgjedhje më 30 qershorMeta po ashtu bëri të ditur se vendimi i tij për mbajtje të zgjedhjeve më 13 tetor ka të bëjë edhe me garantimin e vazhdimësisë së Shqipërisë në procesin e saj integrues në Bashkimin Evropian.
“Një nga arsyet kryesore ka të bëjë me garantimin e vazhdimësisë së integrimit europian – të mosshkëputjes së Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut lidhur me momentin e çeljes së negociatave”, tha Meta duke shtuar se vendi tashmë ka humbur mjaft kohë që nga vendimi i tij për anulim të zgjedhjeve, por theksoi se Shqipëria vazhdon të jetë në agjendën evropiane për të marrë një vendim pozitiv.
Kryeministri Edi Rama ka reaguar menjëherë në Twitter, duke e quajtur “çmenduri” vendimin e presidentit dhe ripërsëriti se data e vetme e zgjedhjeve në Shqipëri është 30 qershori.
Vendimi i së enjtes për datën e re të zgjedhjeve vjen pasi presidenti Meta zhvilloi një sërë takimesh me përfaqësues të partive opozitare si dhe disa ambasadorë.
Ndërkohë, kryeministri Rama refuzoi një ditë më parë ftesën e presidentit Meta për takim dhe dialog me arsyetimin se është i zënë me fushatën elektorale.
Shqipëria, tash e sa kohë, është përfshirë në një krizë politike.
Si u zhyt Shqipëria në krizë?
Opozita, me muaj, proteston kundër Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Edi Rama dhe është zotuar se do t’i bojkotojë zgjedhjet lokale të 30 qershorit.
Edhe pse zgjedhjet janë anuluar nga presidenti Meta, një vendim i tillë nuk po përfillet nga Partia Socialiste, lider i së cilës është Rama.