Zgjedhjet presidenciale amerikane: Kush po garon e kush jo?

US-VOTE-ELECTION

Reuters

Presidenti amerikan, Joe Biden, njoftoi më 25 prill se do të garojë për një mandat të dytë presidencial, teksa shumë figura të Partisë Republikane ende nuk kanë vendosur nëse do të sfidojnë ish-presidentin, Donald Trump.

Më poshtë mund të mësoni se cilët kandidatë kanë shpallur kandidaturën e tyre dhe kandidatë të tjerë potencialë për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 nga Partia Demokratike dhe ajo Republikane.

Joe Biden

Biden, 80 vjeç, për muaj të tërë ka lënë të kuptohet se kërkon një mandat të dytë presidencial. Por, ai zyrtarisht njoftoi për hyrjen në garë të martën, fiks katër vjet pasi ai shpalli kandidaturën për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.

Joe Biden

Demokrati 80-vjeçar, që veçse është presidenti më i vjetër që ka pasur SHBA-ja, publikoi një video, përmes së cilës tha se detyra e tij është të mbrojë demokracinë amerikane.

Videoja filloi me pamje nga 6 janari i vitit 2021, kur ndërtesa e Kongresit amerikan u sulmua nga mbështetësit e Trumpit.

Ai nuk pritet të ketë ndonjë kundërkandidat serioz në garën brenda Partisë Demokratike.

Donald Trump

Trump, 76 vjeç, shpalli kandidaturën për garën presidenciale nëntorin e vitit të kaluar, por ai përballet me kritika të shumta brenda Partisë së tij Republikane për shkak të mbështetjes që ofroi për kandidatët e krahut të djathtë, që u mposhtën në zgjedhjet e mesmandatit.

Donald Trump

Sikurse Biden, edhe ai nuk është popullor në masën e madhe të elektoratit. Por, ai ka arritur të ruajë besimin në bazën e elektoratit të tij dhe ka përforcuar prezencën e tij në sondazhe, pasi ndaj tij u ngrit padi nga prokurorët e Nju Jorkut në lidhje me pagesat e pretenduara për të blerë heshtjen e një ylli të pornografisë.

Trump konsiderohet si kandidati kryesor nga republikanët për zgjedhjet presidenciale.

Ron DeSantis

Guvernatori i Floridës, që e ka paraqitur veten si Trump, por pa dramat që e përcollën ish-presidentin, ende nuk e ka shpallur kandidaturën për garën presidenciale. Por, ai ka bërë të gjitha lëvizjet tradicionale që bëjnë politikanët që duan të garojnë për president.

Ron DeSantis

DeSantis, 44 vjeç, i cili radhitet i dyti në sondazhe pas Trumpit, ka nënshkruar ligje për vendosjen e kufizimeve të reja ndaj abortit dhe ka lehtësuar ligjet për posedimin e armëve. Këto qëndrime mund ta ndihmojnë në garën brenda Partisë Republikane, por mund ta dëmtojnë në mesin e votuesve të pavarur dhe më të moderuar në zgjedhjet e përgjithshme.

Beteja e tij me kompaninë “Walt Disney” për parkun e argëtimit në Florida, i ka nervozuar disa donatorë. DeSantis, po ashtu, ka përcjellë mesazhe të përziera lidhur me mbështetjen e SHBA-së për Ukrainën dhe nuk ka hezituar që të përgjigjet në mënyrë agresive ndaj sulmeve personale të Trumpit.

Nikki Haley

Ish-guvernatorja e Karolinës së Jugut dhe ambasadorja amerikane në OKB në administratën e Trumpit, Haley, 51 vjeçe, ka vënë në pah moshën e saj më të re krahasuar me Bidenin dhe Trumpin, por edhe prejardhjen e saj, pasi ajo është vajza e dy migrantëve indianë.

Nikki Haley

Haley ka fituar reputacion brenda Partisë Republikane si një konservatore e qëndrueshme, aftësia e së cilës për të adresuar çështjet gjinore dhe racore është më e besueshme sesa bashkëpartiakët e saj.

Ajo, po ashtu, e ka paraqitur veten si një mbrojtëse të fuqishme të interesave amerikane jashtë shtetit.

Haley ka rreth 3 për qind të mbështetjes në mesin e votuesve republikanë.

Tim Scott

I vetmi senator republikan me ngjyrë që nuk është aq i njohur jashtë Karolinës së Jugut, të cilën e përfaqëson. Por, optimizmi i tij dhe fokusimi për të bashkuar partinë e tij të ndarë, e ka ndihmuar atë të dalë në pah në krahasim me qasjen më të ashpër që kanë Trump dhe DeSantis.

Tim Scott

Mbështetësit e Scottit, megjithatë, e pranojnë se ai mund të mos marrë mbështetjen e mjaftueshme për të fituar garën brenda Partisë Republikane, veçmas DeSantis, i cili ka disa arritje legjislative.

Scott, 57 vjeç, ka krijuar një komitet presidencial, por ende nuk ka konfirmuar se do të garojë në zgjedhjet presidenciale.

Asa Hutchinson

Ish-guvernatori i Arkansasit shpalli kandidaturën e tij për Shtëpinë e Bardhë në prill me thirrjen që Trump të largohej nga gara për shkak të padisë së ngritur ndaj ish-presidentit amerikan.

Asa Hutchinson

Hutchinson, 72 vjeç, tha se përvoja e tij në drejtimin e shtetit mjaft konservator është dëshmi se ai mund të miratojë politika që votuesit republikanë kërkojnë, duke përmendur shkurtimin e taksave dhe nismave për krijimin e vendeve të punës.

Megjithatë, ai nuk është shumë i popullarizuar në mbarë vendin.

Mike Pence

Pence, që ishte nënpresident në administratën Trump, prishi raportet me ish-shefin e tij për shkak të sulmit të vitit 2021 nga mbështetësit e ish-presidentit ndaj ndërtesës së Kongresit, në kohën kur Pence ishte brenda kësaj ndërtese.

Mike Pence

Pence, 63 vjeç, tha se “historia do ta mbajë përgjegjës Trumpin” për rolin e tij në këtë sulm.

Megjithatë, Pence, sikurse edhe republikanët e tjerë që kërkojnë postin e presidentit, i doli në mbrojtje Trumpit pasi prokurorët e Nju Jorkut ngritën padi ndaj tij.

Pence është shprehur se ende nuk ka vendosur nëse do të kërkojë nominimin e republikanëve për të garuar në zgjedhjet presidenciale.

Chris Christie

Ish-guvernatori i Nju Xhersit raportohet se po përgatitet që të garojë në zgjedhjet presidenciale.

Chris Christie

Christie, 60 vjeç, kishte garuar për president më 2016, fillimisht kishte qenë mbështetës i Trumpit, por i doli kundër për shkak të sulmit ndaj ndërtesës së Kongresit më 2021.

Chris Sununu

Guvernatori i Nju Hampshir, po ashtu, po synon që të garojë.

Sununu, 48 vjeç, që ka shërbyer si guvernator në shtetin Nju Ingllënd që nga viti 2017, është shprehur se Partia Republikane ka nevojë për një udhëheqje të re dhe po ashtu beson se Trump nuk do të jetë në gjendje që ta mposhtë Bidenin.

Vivek Ramaswamy

Ish-investitori dhe udhëheqësi i bioteknologjisë, Ramaswamy, 37 vjeç, themeloi një firmë më 2022 për t’iu bërë presion kompanive që të heqin dorë nga nismat për qeverisje mjedisore, sociale dhe të korporatave.

Në shkurt, ai shpalli kandidaturën për president nga Partia Republikane.
Ai është parë si një alternativë e mundshme ndaj Trumpit, megjithatë gjasat që ai të fitojë nominimin për president nga republikanët, janë të pakta.

Robert Kennedy Jr.

Aktivist kundër vaksinimit, Kennedy, 49 vjeç, po tenton që të sfidojë Bidenin për të siguruar nominimin e Partisë Demokratike.

Ai është djali i senatorit amerikan, Robert F.Kennedy, që u vra më 1968 gjatë garës për president.

Kennedy ka qenë i përjashtuar nga YouTube dhe Instagram për shpërndarje të dezinformatave lidhur me vaksinat dhe për pandeminë COVID-19.

Mike Pompeo

Ish-sekretar i Shtetit në administratën Trump dhe drejtor i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA) po shihet si kandidat potencial.

Mike Pompeo

Por, për shkaqe personale ai ka vendosur që të mos garojë në zgjedhjet presidenciale.

Ish-kongresisti i Kansasit ishte një prej personave më besnikë të Trumpit dhe fillimisht kishte mbështetur pretendimet e tij se rezultati i zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 ishte manipuluar.

Glenn Youngkin

Menaxheri i fondeve të mirëbesimit, që u bë guvernator i Virxhinias, po ashtu po shihet si një kandidat potencial nga Partia Republikane. Ai është përqendruar në të drejtat e prindërve në shkolla gjatë garës për guvernator.

Glenn Youngkin

Disa prej anëtarëve kyçë të ekipit të tij, megjithatë së fundmi i janë bashkuar kampit të DeSantis, duke sugjeruar se Youngkin mund të mos garojë për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.

Marianne Williamson

Marianne Williamson

Autorja ka shpallur për herë të dytë kandidaturën e saj për Shtëpinë e Bardhë. Ajo garoi më 2020 nga kampi demokrat, por u tërhoq nga gara para se të mbaheshin zgjedhjet brendapartiake.

Ajo njoftoi për shpalljen e kandidaturës më 23 mars, duke theksuar se dëshiron ta sfidojë Bidenin për nominimin nga demokratët.

Përgatiti: Mimoza Sadiku