Ksenia Sobchak, personalitete e njohur televizive ruse dhe e bija e një mentori politik të presidentit, Vladimir Putin, e ka sjellur në Uashington, fushatën e saj për zgjedhjet presidenciale ruse, duke thënë se ambiciet e saj politike janë të sinqerta dhe afatgjate.
Vizita e kësaj politikaneje interesante në Shtetet e Bashkuara, vetëm gjashtë javë para zgjedhjeve në Rusi, ka shkaktuar befasi në mesin e liberalëve, të aktivistëve opozitarë dhe vëzhguesve politikë dhe i ka shtruar pyetjet lidhur me atë nëse Kremlini po e përdorë kandidaturën e saj për të nxitur dalje më masive të njerëzve në zgjedhje dhe për t’i ndihmuar Putinit në synimin e tij për ta fituar edhe një mandat gjashtëvjeçar në presidencë.
Duke folur dje në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington, zonja Sobchak ka indikuar, pos gjërave të tjera, se planifikon të takohet me zyrtarë të administratës lidhur me sanksionet ekonomike të Shteteve të Bashkuara, të imponuara kundër Rusisë gjatë viteve të fundit.
“Ne shohim se marrëdhëniet tona tash janë në pikën më të ulët”, tha ajo dhe ka shtuar se “qëllimi im është të bisedojë me njerëzit këtu...të jem e hapur dhe të them se Rusia nuk është Putini”.
“Rusia është vend i madh me ekonomi të madhe, që siç e dini ka armatim atomik dhe nuk është mënyrë e mirë e komunikimit ajo që ne tash veprojmë”, tha Ksenia Sobchak duke folur në gjuhën angleze.
Mëtutje, ajo theksoi se dëshiron të jetë “ura e parë ndërmjet vendeve tona dhe të tregojë se bile gjatë fushatës sime presidenciale, kjo çështje është shumë e rëndësishme për mua dhe për të gjetur ndonjë zgjidhje, ndonjë lidhje me njëri-tjetrin, me ç’rast ne, pak nga pak, të mund të krijojmë situatë më të mirë për të dy vendet tona”.
Masat ndëshkuese
Sanksionet e para kundër Moskës, me bllokim të pasurive dhe ndalim të udhëtimit, Uashingtoni i ka ndërmarrë në vitin 2014, pasi Rusia e aneksoi Krimenë e Ukrainës dhe pas shpërthimit të luftës ndërmjet forcave qeveritare të Ukrainës me separatistët e mbështetur nga Rusia, në pjesën lindore të Ukrainës.
Masat pasuese ishin në përgjigje të gjetjeve të inteligjencës amerikane se Rusia ishte angazhuar në hakerizëm dhe fushatë propaganduese për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale amerikane në vitin 2016.
Këto sanksione kanë vazhduar edhe gjatë presidencës së Donald Trumpit, përkundër thirrjeve të tij për raporte më të mira me Moskën.
Një legjislacion i miratuar nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara verën e vitit 2017, parashihte masa të reja ndëshkuese kundër Rusisë, por javën e kaluar, Departamenti i Shtetit dhe ai i Thesarit kanë refuzuar të imponojnë sanksione të reja.
Sobchak – e njohur për paraqitjet televizive
Pritet gjerësisht që Putin do ta fitojë një mandat të ri gjashtëvjeçar në zgjedhjet e 18 marsit.
Ksenia Sobchak, emri i së cilës do të paraqitet në fletëvotime, është shumë e njohur si personalitet që paraqitet në programe televizive. Babai i saj është Anatoly Sobchak, ish-prefekt i qytetit Shën Petersburg, i cili e ka sjellur Putinin, atëherë oficer i panjohur i KGB-së, për të punuar në Qeverinë lokale.
Ksenia Sobchak, babai i së cilës ka vdekur para disa vitesh, e ka përsëritur kritikën e ambientit politik në Rusi, duke thënë se sistemi aktual është autoritar dhe se nuk ka iluzione për rivalitetin e saj ndaj Putinit.
Ajo ka këmbëngulur se kandidatura e saj është shprehje e ambicieve të sinqerta politike dhe për ta krijuar një parti të re politike në Rusi.
Ajo ka sugjeruar se favorit i madh në zgjedhjet presidenciale është Vladimir Putini.
“Sikur në kazino, kazinoja gjithmonë fiton. Në Rusi, Putin fiton gjithmonë”, tha Sobchak.
Kundërshtari më i fuqishëm i Putinit është Aleksei Navalny, një luftëtar i paepur dhe karizmatik kundër korrupsionit, i cili e ka krijuar një platformë kombëtare, duke organizuar tubime kundër korrupsionit endemik.
Por, atij Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Rusi nuk ia ka lejuar të jetë kandidat për zgjedhjet presidenciale, për shkak të dënimit për krime të ndërlidhura me financa. Navalny dhe mbështetësit e tij vlerësojnë se këto dënime paraqesin hakmarrje politike për punën e tij kundër korrupsionit.
Prej momentit kur nuk i është lejuar pjesëmarrja në zgjedhje, Navalny kërkon bojkotim të votimit, në përpjekje për ta reduktuar daljen e zgjedhësve dhe për të mos i mundësuar Putinit legjitimitet të gjerë.
Ksenia Sobchak ka përsëritur disa herë se ajo nuk e mbështet bojkotin e zgjedhjeve.