Zgjedhje në Rusi, Putin pritet të fitojë mandatin e katërt

Your browser doesn’t support HTML5

Qytetarët me të drejtë vote në Rusi janë duke votuar në zgjedhjet presidenciale, ku pritet që presidenti aktual, Vladimir Putin të fitojë mandatin e katërt. Pyetja e vërtetë është nëse pjesëmarrja në votime do të jetë e lartë, në mënyrë që Putin të fitojë bindshëm.

Data e zgjedhjet në Rusi përkon me katërvjetorin e aneksimit të paligjshëm të gadishullit ukrainas të Krimesë nga Moska.

Presidenti në detyrë, Putin 65-vjeç, teksa ka votuar në Moskë ka thënë se çdo pjesëmarrje e votuesve që do t’i lejojë presidentit të përmbushë detyrat e tij është një “sukses”.

“Jam i sigurt se programi që unë ofroj është i duhuri”, citohet të ketë thënë Putin.

Raportohet se pjesëmarrja e votuesve në Lindjen e Largët të Rusisë tashmë është më e lartë se sa ka qenë në zgjedhjet e vitit 2012.

Në disa fshatëra në Kamchatka dhe Chukotka raportohet se dalja në zgjedhje është 100 për qind.

Deri në orën 18, sipas kohës lokale në Moskë, përqindja e daljes në zgjedhje ka qenë 59.59, ka njoftuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Rusi.

Nëse asnjëri nga kandidatët nuk fiton në raundin e parë, raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 8 prill.

Grupi i pavarur për monitorimin e zgjedhjeve Golos ka thënë se kanë regjistruar 2,263 parregullsi gjatë procesit zgjedhor, përfshirë edhe vendosjen e kutive të votimeve larg kamerave të vëzhgimit dhe se vëzhguesit janë bllokuar të kryejnë punën e tyre.

Në rajonin Khabarovsk, zyrtarët lokalë u kanë ofruar ushqim njerëzve, me qëllim që t’i ftojnë ata të votojnë.

Në gjithë Rusinë, votuesit po dërgohen me autobusë nëpër qendrat e votimit, kanë thënë mbështetësit e liderit opozitar, Aleksei Navalny.

Ata gjithashtu kanë raportuar për qindra raste të mashtrimit zgjedhor, veçanërisht në Moskë dhe Shën Petersburg, ku Putini ka më së paku mbështetje.

Në zgjedhjet presidenciale marrin pjesë tetë kandidatë, por shtatë kandidatët e tjerë, sipas sondazheve, qëndrojnë shumë larg Putinit. Sipas sondazheve, kandidati i Partisë Komuniste Pavel Grudinin pritet t5 fitojë 7 për qind të votave, ndërkaq gazetarja Ksenia Sochak 2 për qind.

Kandidatët e tjerë përfshijnë Vladimir Zhirinovsky, Sergei Baburin, Maksim Suraikin, Boris Titov dhe Girogy Yavlinsky.

Tetë kandidatët në zgjedhjet presidenciale ruse

Sipas Qendrës për Studime të Opinionit Publik, organizatë e afërt me Kremlinin, Putini do të fitojë 69 për qind të mbështetjes së rusëve.

Sipas një sondazhi të bërë nga Gallup më 2017, 80 për qind e rusëve miratojnë udhëheqjen e Putinit, ndërkaq 40 për qind u besojnë zgjedhjeve në Rusi.

Rivali i vetëm i madh i Putinit është lideri opozitar dhe aktivisti kundër korrupsionit Aleksei Navalny, i cili nuk është lejuar të marrë pjesë në zgjedhje, pasi më parë ishte dënuar për keqpërdorim, akuzë kjo që gjerësisht shihet si e motivuar politikisht.

Navalny u ka bërë thirrje rusëve që të bojkotojnë zgjedhjet presidenciale.

Për zgjedhjet presidenciale, Policia në Moskë ka njoftuar se ka angazhuar mijëra zyrtarë të sigurisë, të cilët po përkujdesen për sigurinë gjatë dit5s së zgjedhjeve.

Qytetarët rusë që jetojnë në shtete të tjera të Rusisë, po ashtu po marrin pjesë në zgjedhje.

Ndërkaq, agjencia TASS ka raportuar se ka pasur thirrje nga disa protestues që qytetarët rusë të bojkojtojnë zgjedhjet në Auckland të Zelandën e Re, edhe pse votimi atje nuk është penguar.

“Disa qytetarë kanë protestuar kundër zgjedhjeve, por ata që vijnë në qendrat votuese mund të votojnë”, ka thënë ambasadori rus në Zelandën e Re, duke shtuar se janë 3723 qytetarë rusë të regjistruar për të votuar.