Votuesit në Shtetet e Bashkuara zgjedhin të martën guvernatorët, përfaqësuesit dhe senatorët. Ata do të hedhin votën e tyre për të 435 anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve, për 35 nga 100 ulëset e Senatit dhe për dhjetëra guvernatorë.
Republikanët aktualisht mbizotërojnë në të dyja dhomat e Kongresit dhe në Shtëpinë e Bardhë. Vëzhguesit politikë në të dy anët e spektrit po u bëjnë thirrje njerëzve të dalin dhe të votojnë, sepse, siç thonë, këto mund të jenë zgjedhjet më të rëndësishme në jetën e tyre, nëse jo në historinë amerikane.
Presidenti amerikan, Donald Trump, nuk është në fletëvotime, por zgjedhjet pritet të formësojnë pjesën e mbetur të presidencës së tij. Ai e ka pranuar se procesi është një referendum për të.
“Unë nuk jam në fletëvotime, por unë jam në fletëvotime, sepse zgjedhjet janë gjithashtu një referendum për mua”, ka thënë Trump.
Nëse demokratët marrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve ose të Senatit nga republikanët, ata mund të kufizojnë dukshëm atë që presidenti Trump mund të bëjë në dy vjetët e fundit të mandatit të tij.
SHIKONI EDHE: Kush mund të jetë ‘Befasia e Tetorit’ në zgjedhjet për Kongres?Thomas Greven, nga Instituti John F. Kennedy me seli në Berlin, shpjegon më shumë për Radion Evropa e Lirë:
“Është shansi i parë prejse Donald Trump është zgjedhur president që të bëhen disa matje të politikave të tij. Siç e dini, Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara ka një sistem të pushtetit të ndarë, ku presidenti zgjidhet në mënyrë të pavarur nga Kongresi dhe këto zgjedhje u japin qytetarëve amerikanë shansin për të kufizuar një president që ka treguar prirje jodemokratike, joliberale dhe autoritare. Nëse demokratët fitojnë shumicën në njërën ose të dyja dhomat e Kongresit, një gjë e tillë vë disa kufizime mbi ato që mund t’i bëjë presidenti. Është një moment vërtet vendimtar në historinë politike të Amerikës”.
Radio Evropa e Lirë: A ka shanse që këto zgjedhje të ndryshojnë rrjedhën e ngjarjeve?
Thomas Greven: “Absolutisht. Së paku, sa i përket agjendës legjislative të presidentit Trump dhe të Partisë Republikane. Siç e dini, Trump e ka stiluar veten si një lloj populisti, duke punuar për interesa të njerëzve të zakonshëm, por, si përfundim, nuk ka bërë asgjë pos që ka çuar përpara agjendën tradicionale të republikanëve në favor të të pasurve dhe të të fuqishmëve”.
“Demokratët janë në një gjendje relativisht të mirë për të fituar njërën nga dhomat. Unë jam plotësisht i sigurt se ata do të kenë rritje, por është e rëndësishme që ata të fitojnë shumicën në njërën nga dhomat. Shanset i kanë të mira për Dhomën e Përfaqësuesve, ndërsa në Senat nuk duket se qëndrojnë mirë, sepse shumë demokratë përpiqen t’i mbrojnë ulëset e tyre. Por, nëse e fitojnë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, kjo padyshim se do të ndryshonte rrjedhën e ngjarjeve, sa i përket agjendës legjislative”.
“Trump prapë do të vazhdojë t’i përdorë fuqitë e tij ekzekutive. Ai së voni ka paralajmëruar për ndryshimin e së drejtës për shtetësi thjesht me urdhër ekzekutiv. Këtu mund të mbështetet edhe në Gjykatën Supreme. Por, sa i përket agjendës legjislative, zgjedhjet mund të ndryshojnë vërtet kahun e zhvillimeve nëse demokratët arrijnë të fitojnë shumicën në njërën nga dy dhomat”.
Në muajin shtator, Qendra Amerikane e Kërkimeve Peë ka publikuar një raport, i cili ka nxjerrë në pah se entuziazmi i votuesve amerikanë për zgjedhjet për Kongres është në nivelin më të lartë në më shumë se dy dekada.
Rreth 61 për qind e votuesve të anketuar kanë thënë se janë entuziastë për zgjedhjet e nëntorit; 72 për qind kanë thënë çështja se cila parti kontrollon Kongresin do të jetë faktor në votimin e tyre, ndërsa 60 për qind kanë thënë se e shohin votën e tyre si shprehje të mbështetjes ose opozitës ndaj presidentit Trump.
Po, ku është përqendruar fushata? Ndër çështjet kryesore është migrimi, rreth së cilës të dyja partitë përpiqen të fitojnë epërsi. Demokratët besojnë se retorika e ashpër e presidentit rreth kësaj teme do t'i ndihmojë ata që të tërheqin votues, sidomos të rinjtë dhe minoritetet.
“Demokratët do të shkatërrojnë kujdesin shëndetësor duke iu ofruar kujdes falas imigrantëve të paligjshëm, por edhe më shumë se kaq”, ka thënë Trump.
Republikanët llogarisin se me qëndrimin e ashpër të presidentit do të përfitojnë nga konservatorët, që mendojnë se demokratët kujdesen më shumë për migrantët e paligjshëm sesa qytetarët amerikanë.
Një sondazh i qendrës Gallup, ndërkaq, ka gjetur se kujdesi shëndetësor është shqetësimi kryesor për votuesit amerikanë – madje edhe para krimit dhe dhunës.
Shumë analistë thonë se votuesit kanë tendenca të ndëshkojnë partinë në pushtet, për rritjen e kostos së sigurimit shëndetësor.
Sipas firmës për reklama politike Kantar Media / CMAG, demokratët kanë shpenzuar 125 milionë dollarë në reklama për kujdesin shëndetësor, ndërsa republikanët rreth 50 milionë dollarë.
Por, çështja që Trump përmend në pothuajse çdo tubim të fushatës, është ekonomia e Shteteve të Bashkuara. Ai vazhdimisht përmend nivelet e rritjes ekonomike dhe normat e papunësisë. Në muajin shtator, shkalla e papunësisë ka rënë në 3.7 për qind në SHBA - më e ulëta në gati 50 vjet.
“Demokratët prodhojnë turma. Ne republikanët prodhojmë vende pune”, ka thënë Trump.
Por, zgjedhjet për Kongres kanë tendenca të jenë lajm jo i mirë për partinë që kontrollon Shtëpinë e Bardhë. Sipas llogaritjeve, nga 21 palë zgjedhje që janë mbajtur qysh në vitin 1934, partia e presidentit ka shënuar fitore në Dhomën e Përfaqësuesve vetëm tri herë, ndërsa në Senat pesë herë.
SHIKONI EDHE: Numër rekord i grave që garojnë në zgjedhjeVlerësimi për presidentin po ashtu shihet si një tregues se si do të dalë partia e tij. Presidenti Trump aktualisht gëzon rreth 40% mbështetje. Për krahasim, ish-presidenti Barack Obama ka gëzuar rreth 45% mbështetje para zgjedhjeve për Kongres më 2010, kur demokratët kanë pësuar disa nga humbjet më të mëdha elektorale në historinë e Shteteve të Bashkuara.
Historia ka treguar edhe raste si ai i vitit 1994, kur Partia Republikane ka fituar kontrollin edhe të Dhomës së Përfaqësuesve, edhe të Senatit, duke shkaktuar për gjashtë vjet beteja me presidentin e atëhershëm demokrat, Bill Clinton.
Demokratët i kanë rikthyer të dyja dhomat në vitin 2006, duke ndihmuar presidentin Barack Obama të realizojë pjesë të agjendës së tij, pasi ka marrë detyrën dy vjet më vonë.
Por, çfarë nënkuptojnë zgjedhjet e 6 nëntorit për zgjedhjet e ardhshme presidenciale në SHBA, që do të mbahen më 2020? Analisti Greven, nga Instituti John F. Kennedy, jep këtë përgjigje për Radion Evropa e Lirë:
“Është vështirë të thuhet. Ato mund të jenë fillimi i daljes së një ylli, qoftë në anën e demokratëve, qoftë në atë të republikanëve, ose në të dyja. Kush e di se kush do të jetë fituesi më i shquar dhe do t’i shfrytëzojë këto zgjedhje si platformë për t’u bërë sfidant në zgjedhjet e ardhshme presidenciale? Kjo është krejtësisht e panjohur”.