Në Shqipëri, të dielën u mbajtën zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, për herë të dhjetë që nga nisja e pluralizmit politik dhe rënia e komunizmit në vend. Pjesëmarrja në zgjedhje ishte 48.59 për qind.
Autoritetet zgjedhore thanë se rezultati i zgjedhjeve do të bëhet publik pas dy ditësh.
“Askush nuk e di se kush i ka fituar zgjedhjet, duhet të presim 48 orë”, tha Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi gjatë një paraqitjeje publike, menjëherë pas mbylljes zyrtare të votimit.
Krerët kërkojnë përgjegjësi gjatë numërimit të votave
Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, u bëri thirrje komisionerëve dhe e numëruesve që të mos cenojnë “këtë proces madhështor elektoral për llogari meskine”.
“Të gjithë qytetarët të relaksohen tani, pas këtij procesi të mrekullueshëm votimi. Tani është përgjegjësia e komisionerëve dhe e numëruesve. Askush të mos guxojë të cenojë këtë proces madhështor elektoral për llogari meskine! Asnjë votë nuk mund të tjetërsohet! Sondazhet që jepen kanë vetëm prapavija partiake dhe ju do të argëtoheni me to në fund të procesit. Qetësi dhe paqe tani për të gjithë ju! Shqipëria ka fituar dhe shumë shpejt do çelim negociatat për anëtarësim”, shkruan Meta në Facebook.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pas mbylljes së vendvotimeve tha për mediat se “hamendjet, sondazhet dhe exit-pollet” janë vetëm parashikime.
“Dua t’ju them të gjithëve, në radhë të parë socialistëve, se votat janë në kuti. Populli ka folur dhe tani duhet ta dëgjojmë atë. Detyra e çdo numëruesi dhe vëzhguesi është që me përgjegjësinë më të lartë qytetare dhe ligjore të numërojë votat në mënyrë korrekte. Hamendjet, sondazhet dhe exit-poll-et, pavarësisht se ne na japin forcë qeverisëse përsëri, i përkasin vetëm parashikimeve para ndeshjes. Tani, rezultati i kutive është rezultati i ndeshjes”, u shpreh Rama.
Dy orë pas mbylljes së procesit të votimit, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha tha se zgjedhjet e së dielës janë fitore për popullin shqiptar.
“Faleminderit të gjithëve që zgjodhën ndryshimin. Kjo është një fitore e qartë për popullin shqiptar dhe Aleancën për Ndryshim. Vullneti i popullit është në kutitë e votimit. Kam besim se numëruesit e komisionerët do ta përmbushin me përgjegjësi dhe në fund të këtij procesi Shqipëria fiton”, u shpreh Basha.
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Juri Kim tha se një numër i madh i qytetarëve shprehën vullnetin e tyre në këto zgjedhje dhe kërkoi që autoritetet të sigurojnë që të ruhet integriteti i zgjedhjeve.
“Kandidatët dhe udhëheqësit gjithashtu, kanë detyrën e tyre: të mos supozojnë rezultatet por të pranojnë vullnetin e votuesve kur të mbarojë numërimi", tha ajo përmes një postimi në Twitter.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, më herët gjatë ditës, tha se janë regjistruar disa incidente, siç është fotografimi i votave apo hapja me vonesë e disa qendrave të votimit, por ka raportuar për incidente serioze.
Ambasadorja e SHBA-së në Shqipëri, Yuri Kim dhe ambasadori i Bashkimit Evropian, Luigi Sorca në një deklaratë për mediat nga qyteti i Durrësit, i kanë bërë thirrje prokurorëve të Shqipërisë që të hetojnë incidentet e ndodhura gjatë procesit të votimit.
Vota për parlamentin e ri
Në zgjedhjet e përgjithshme të drejtë vote kishin 3.6 milionë qytetarë shqiptarë me të drejtë vote.
Qytetarët votuan për të zgjedhur 140 deputetët e parlamentit të ri dhe qeverinë e re që do të udhëheqë vendin për katër vjetët e ardhshme.
Në tërësi, në Shqipëri janë 12 qarqe, ku përfshihen 61 bashki, të ndara në 92 Zona të Administrimit Zgjedhor. Janë 383 njësi administrative të përfshira.
Nga ora 07:00 e mëngjesit deri në 19:00 të mbrëmjes, 5,199 qendra votimi u hapën në gjithë vendin.
Your browser doesn’t support HTML5
Bazuar në të dhënat nga Ministria e Brendshme, në këto zgjedhje janë 107,024 të rinj dhe të reja janë votues për herë të parë.
Ndërkohë 1,098 shtetas nuk u përfshin në lista për shkak të dekriminalizimit. Ndërkaq, edhe 23,000 qytetarë nuk kishin mundësi që të votonin, për shkak se janë të infektuar me koronavirus.
Për ditën e zgjedhjeve, policia angazhoi mbi 7,500 efektivë për të gjitha qendrat e votimit dhe Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor në vend për këtë ditë.
Në Shqipëri janë regjistruar 46 subjekte politike, të shkrira në 13 parti me koalicione, që garuan për marrjen e drejtimit të shtetit, megjithatë, vendi ka dy forca kryesore politike të cilat e kanë udhëhequr atë që nga rënia e komunizmit.
Partia Socialiste (PS) e drejtuar nga kryeministri aktual Edi Rama, kërkon një mandat të tretë qeverisës. Ndërsa, Partia Demokratike (PD) në opozitë, e drejtuar nga Lulzim Basha, kërkon ta marrë drejtimin e vendit pas tetë vjetësh në opozitë.
Një aktor i rëndësishëm në vend është edhe partia Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), që udhëhiqet nga Monika Kryemadhi. Kjo parti, tradicionalisht ka qenë e vogël në përfaqësim në kuvend, por ka luajtur rol në ndërtimin e qeverive përmes koalicioneve paszgjedhore.
SHIKONI EDHE: Shqipëria të garantojë zgjedhje demokratike, thonë ligjvënësit amerikanë Meeks dhe McCaulNë Shqipëri, këto ishin zgjedhjet e para pas miratimit të Kodit të ri Zgjedhor, ku partitë garuan me lista të hapura dhe qytetarët krahas partisë, kishin mundësi që të votojnë edhe për një kandidatët për deputet.
Këto zgjedhje u mbajtën në kohë pandemie dhe votuesit që u udhëzuan që gjatë votimit të respektojnë masat kundër COVID-19. Maskat, dezinfektuesit dhe ruajtja e distancës ishin disa prej elementeve thelbësore, ndërsa votuesve iu kërkua që të shmangin grumbullimet brenda dhe jashtë qendrave të votimit.
Your browser doesn’t support HTML5
Ndërkaq, në zgjedhjet e përgjithshme të Shqipërisë votoi edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Ndonëse Kurti posedon shtetësinë shqiptare, kjo është hera e parë që një kryeministër i Kosovës voton në Shqipëri.
Partia e Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje garon në zgjedhjet në Shqipëri me tre kandidatë të regjistruar si të pavarur.
SHIKONI EDHE: Qeveria e Kosovës si opozitë në ShqipëriZgjedhjet e fundit parlamentare që janë mbajtur në Shqipëri, ishin ato të vitit 2017, ku është regjistruar edhe pjesëmarrja më e ulët historike në zgjedhjet për kuvendin që nga viti 1991, me 46.76% e qytetarëve që kanë marrë pjesë në këtë proces.