Qytetarët duan ofertë në shkëmbim të votës

Posterë electoral në Shkup

Komuna e Çairit të Shkupit, me më shumë se 65 mijë banorë, në një sipërfaqe prej 3.5 kilometrash katrorë, e bën atë komunën me popullsinë më të dendur në Maqedoni. Rrjedhimisht, qytetarët si më problematike fokusojnë çështjet që ndërlidhen me planifikimin urbanistik.

Arifi Arifi, rreth 70 vjeç thotë se dy dekadat e fundit në lagjen e Saravës ku edhe jeton, rrugët janë dëmtuar tej mase dhe ndërtimet e fundit të ndërtesave shumëkatëshe kanë stërngarkuar qarkullimin duke e bllokuar madje edhe hyrjet në shtëpi.

“Më së shumti pengojnë makinat në këtë rrugë, të cilat parkohen, sepse s`ka vende për parkim. Nuk mundet njeriu të hyjë në shtëpinë e vet, as drutë nuk mund t’i afroj afër shtëpisë, as miellin nuk mund ta zbarkoj afër derës së oborrit, as xhenazen e njerëzve s`mund ta nxjerrim nëpër këto rrugë të ngushta”, thotë Arifi.

Punë të lëna në gjysmë...

Mirsad Kurtishi, rreth të tridhjetave, konsideron se të gjitha ndërtimet e egra duhet të rrënohen, sepse ato janë ndërtuar pa standarde, madje e kanë bërë jofunksional rrjetin edhe ashtu të vjetër të kanalizimit.

“Kryetari i ri i komunës, kryesisht duhet t’i rrënojë të gjitha ndërtimet e egra. Kjo gjë duhet parë si diçka normale, diçka që është ndërtuar pa leje duhet të prishet. Pastaj pres që edhe në komunën e Çairit të ketë investime të njëjta sikurse në anën tjetër të lumit Vardar ku me shumicë janë maqedonasit”, shprehet Kurtishi.

Me shtimin e numrit të banorëve në Çair, është rritur edhe numri i nxënësve ndërkohë që në një klasë, në disa prej shkollave në këtë komunë edhe kundër rregullave ligjore, mësojnë më shumë se 40 nxënës.

Pamje në Shkup

Banorët thonë se kushdo që të marrë mandatin për ta drejtuar komunën, duhet të angazhohet për ndërtimin e shkollave dhe hapësirave të gjelbra për fëmijët

“Me prioritet duhet të jenë hapësirat e gjelbëruara. Presim investime në arsim dhe infrastrukturë”, thotë Erdoan Jashari.

Ndërsa, Shyqyriu nga Çairi, si më problematike thekson rrjetin e kanalizimit, i cili sanohet në mënyrë parciale.

“Në këtë komunë të gjitha investimet janë të mangëta. Në rrugën ku banoj, filloi ndërtimi i kanalizimit para dy vjetësh, punonjësit e hapën kanalin dhe e kanë futur gypin dhe tashmë janë bërë dy vjet që ecim nëpër baltë, sepse nuk kanë përfunduar tërësisht punimet. Do të thotë fillohet një punë dhe lihet pa përfunduar”, thotë Shyqyriu.

Ai nga drejtuesi i ri i komunës, pret që të paktën në parkun e njohur si “Parku i Çairit”, vendi i vetëm ku mblidhen më të moshuarit, të ketë tualete dhe ndoshta hapësira të veçanta ku do të mblidheshin të moshuarit.

Problem më vete, thonë banorët e Çairit, mbetet dhe mungesa e pastërtisë në këtë komunë.

Banorët thonë se kryetari i ri i komunës së Çairit duhet të angazhohet që kjo komunë, e cila kufizohet me komunën Qendër, ku janë bërë investime qindra milionëshe, të mos mbetet pjesa e errët e kryeqendrës së Maqedonisë, por financat dhe investimet në projektet kapitale të ndahen në formë të barabartë.

Për komunën e Çairit garojnë katër kandidat që vijnë nga partitë politike shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim- Visar Ganiu; Aleanca për Shqiptarët - Faruk Neziri; Lëvizja Besa - Zeqiria Ibrahimi dhe Partia Demokratik Shqiptare - Idriz Oana. Në këtë komunë garon dhe Nermin Teofilovska si kandidate e VMRO DPMNE-së.