LSDM-ja fiton 56 komuna, VMRO-ja vetëm 5

Zoran Zaev gjatë konferencës për media. 30 tetor, 2017

Me përfundimin e dy raundeve të zgjedhjeve lokale, bazuar në rezultatet e para jopërfundimtare, social-demokratët e kryeministrit Zoran Zaev do të drejtojnë 56 komuna, përfshirë këtu dhe qytetin e Shkupit, përderisa VMRO-DPMNE e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, do të drejtojë vetëm 5 komuna nga gjithsej 80 sa ka Maqedonia.

Ndërkohë, në bllokun politikë shqiptarë, Bashkimi Demokratik për Integrim ka arritur fitore në 10 komuna, Aleanca për Shqiptarët në 3, dhe Lëvizja Besa dhe Partia Demokratike Shqiptare do të drejtojnë nga një komunë.

Në zgjedhjet vendore në Maqedoni kandidatët e pavarur kanë arritur fitore në tre komuna.

Lideri i VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski tha se nuk do të njoh rezultatin, pasi i gjithë procesi zgjedhor, siç tha ai, ishte i manipuluar.

Your browser doesn’t support HTML5

Maqedoni: Rrethi i dytë i zgjedhjeve

Megjithatë, nga VMRO-DPMNE për Radion Evropa e Lirë bëjnë të ditur se nuk e kanë ndërmend të kthejnë mandatet në 5 komunat e fituara nga kandidatët e kësaj partie, megjithqë kjo parti bën të ditur nuk do të paraqesë ankesa te Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, edhe pse nuk i pranon zgjedhjet lokale.

Nuk ekziston ndonjë arsye se pse duhet t’i kthejnë mandatet kandidatët e VMRO-DPMNE-së, të cilët arritën të korrin suksese madje edhe në kushte të këtilla. Në këtë mënyrë vetëm se do të ndihmohej Zaev që të uzurpojë vullnetin e qytetarëve dhe të vendosë kontroll të plotë në pushtin vendor dhe atë qendror, që me lehtë të shesin interesat kombëtare”, ka thënë Ivo Kotevski, zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.

Nga ana tjetër, iniciatorët për reforma në VMRO-DPMNE kanë kërkuar largimin e menjëhershëm të Nikolla Gruevski nga kreu i partisë, duke theksuar se nuk duhet kërkuar faji në arsye që nuk ekzistojnë, por tek keqmenaxhimi i partisë nga Nikolla Gruevski, duke e zhytur VMRO-DPMN-në në humbje të thellë.

Nuk pranojmë që faji të spostohet te komitetet komunale, ndërkaq përsëri vetëm Gruevski të mos jetë fajtor. Liderit të VMRO-DPMNE-së duhet të merr përgjegjësinë. Zotëri Gruevski, bëhuni burrë dhe merreni përgjegjësinë, të paktën menjëherë të jepni dorëheqje të parevokueshme nga funksioni i kryetarit të VMRO-DPMNE-së”, ka theksuar Petar Bogojeski nga grupi që veten e quan Iniciatorët për Reforma në VMRO-DPMNE .

Përderisa Lidhja Social-Demokrate e Maqedonisë, e drejtuar nga kryeministri Zoan Zaev, edhe gjatë ditës së sotme kanë theksuar se zgjedhje ishin të drejta dhe demokratike, duke ftuar VMRO-DPMN-në, që të njoh rezultatin zgjedhor në funksion të zhvillimit të proceseve demokratike në shtet.

Ndërkaq, nga Aleanca për Shqiptarët kanë njoftuar se do të parashtrojnë ankesa në KSHZ për një numër të madh të parregullsive dhe shpresojnë se me ripërsëritjen e zgjedhjeve në disa vendvotime, do të përmbyset fitorja e BDI-së në disa komuna, që siç kanë thënë, është arritur me një rezultat të ngushtë në bazë të manipulimit të procesit zgjedhor.

Përderisa nga Lëvizja Besa kanë bërë të ditur se janë duke u zhvilluar konsultime me ekspertët juridikë dhe pas analizimit të procesverbaleve të komisioneve zgjedhore, do të merret vendimi nëse do të parashtrojnë ankesa.