Maqedonia e Veriut ka regjistruar rritje të numrit te viktimave dhe të të infektuarve me koronavirus në tre muajt e fundit, në veçanti nga fillimi i muajit tetor deri në javën e parë të muajit nëntor.
Sipas analizave të Ministrisë së Shëndetësisë, shumica e të infektuarve nga 6 gushti deri më 4 nëntor ishin të pavaksinuar. Nga afro 49,000 raste pozitive gjatë kësaj periudhe, 72 për qind nuk ishin të vaksinuar. Të dhënat e ministrisë gjithashtu tregojnë se shkalla e vdekshmërisë te të pavaksinuarit është shumë më e lartë. Gjatë kësaj periudhe kanë vdekur 1,688 persona, prej të cilëve 1,376 apo 82 për qind ishin të pavaksinuar. Që nga fillimi i pandemisë, Maqedonia e Veriut ka regjistruar 7,178 viktima me COVID-19.
Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Shaban Mehmeti thotë për Radion Evropa e Lirë, se rritje të rasteve ka në veçanti në muajin e fundit dhe kjo sipas tij ka të bëjë edhe me fushatën e partive politike për zgjedhjet lokale.
Institucionet shumë herë kishin paralajmëruar masa të reja, por ato nuk janë miratuar ende.
Drejtori i Institutit Shaban Mehmeti, thotë se masa duhet të merren në veçanti për personat e pavaksinuar.
“Javën e fundit kemi një rritje të rasteve të të infektuarve me COVID-19 në të gjitha qendrat e akredituara për teste për koronavirus në Maqedoninë e Veriut. Kjo është si rezultat i aktiviteteve politike që ishin për shkak të zgjedhjeve lokale që kishim këtu. Një nga rekomandimet që duhet të japë Komisioni i Sëmundjeve Infektive, Ministria e Shëndetësisë dhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut që të ketë kufizime apo të gjithë qytetarët që punojnë në institucionet publike që të vaksinohen, në të kundërtën të mos lejohen në punë nëse nuk kanë teste PCR apo teste të shpejta”, thotë Mehmeti.
SHIKONI EDHE: Masat e reja kundër COVID-19, pas zgjedhjeveNenad Llazarov, mjek specialist nga Shoqatat e Mjekëve të Rinj, thotë se gjendja mund të përkeqësohet nëse institucionet nuk reagojnë me masa konkrete. Nëse kjo nuk ndodh, ai pret valë të re që mund të ketë pasoja të rënda edhe për shkak të rënies së interesimit për vaksinim.
“Ne për momentin nuk kemi pothuajse kurrfarë masash mbrojtëse për parandalimin e përhapjes së virusit, dhe jo vetëm kaq, institucionet para zgjedhjeve miratuan disa lehtësime që tani për pasojë kemi klube të natës të mbushura me njerëz, që shumë lehtë përhapin infektimet. Pacientët ndërkohë janë lënë në mëshirën e fatit, ndërsa tani disa javë kemi edhe rritje të madhe të numrit të të vdekurve”, thotë mjeku specialist Nenad Llazarov.
“Shohim se të gjitha politikanët janë fokusuar në zgjidhjen e krizës politike dhe pandemia sikur është lënë në harresë dhe në një situatë të këtillë vala e re do të jetë e pashmangshme që do të sjellë numër edhe më të madh të të infektuarve dhe për pasojë edhe viktima të reja. Kjo është shqetësuese, por edhe dëshpëruese për mjekët që ndihen të vetmuar në betejën me pandeminë”, shton Llazarov.
Edhe Nikolla Panovski, infektolog, thotë se përkeqësimi i gjendjes epidemiologjike ka të bëjë me mosrespektimin e masave gjatë fushatës elektorale të partive, por edhe për faktin tjetër se tani në sezonin e vjeshtës njerëzit më shumë rrinë në ambiente të mbyllura.
“Kjo pritej duke marrë parasysh se tani njerëzit më shumë i gjen në ambiente të mbyllura. Rritje të rasteve kemi edhe në shtete tjera dhe ne nuk mund t’i shmangemi një vale të re. Por, nuk pritja që të kemi rënie të interesimit për vaksinim, që është kyç në luftimin e pandemisë. Imunizimi filloi shumë mirë, kishim mes 10,000 dhe 15,000 të vaksinuar në ditë, tani ky numër nuk e kapërcen as shifrën e 1,000 të vaksinuarve. Me shqetësues është edhe fakti se të rinjtë po i shmangen vaksinimit, që nuk arrin as në 20 për qind për dallim nga më të moshuarit te të cilët vaksinimi arrin edhe në mbi 50 për qind”, thotë Panovski.
SHIKONI EDHE: Shkelen masat kundër COVID-19 gjatë fushatës zgjedhoreAi, por edhe mjekët e tjerë thotë se institucionet duhet të rikthejnë fushatën e vaksinimit, por edhe të ndërmarrin masa tjetër për ndërgjegjësimin e qytetarëve për vaksinim. Deri më tani në nivel të shtetit janë vaksinuar rreth 810,000 persona, apo 37 për qind e popullatës.