Në Bosnjë e Hercegovinë 3.4 milionë qytetarë me të drejtë vote më 2 tetor do të mund të zgjedhin nga një listë e madhe prej më shumë se 100 partish dhe koalicionesh.
Por, peizazhi paszgjedhor në këtë shtet ballkanik me gjasë do të dominohet nga shumë prej të njëjtëve personalitete që kanë lulëzuar në krizat ekzistenciale dhe patronazhi për vite me radhë dhe madje kanë përdorur etninë e tyre në fushatën para zgjedhjeve që mbahen më 2 tetor.
Sapo të numërohen votat, ekspertët paralajmërojnë se do të ketë pak stimuj për rritjen e bashkëpunimit ndëretnik dhe për kryerjen e reformave, pavarësisht kërcënimeve nga një mbikëqyrës ndërkombëtar kundër ndryshimeve të njëanshme dhe fundamentale të një prej shtyllave të demokracisë në Bosnjën e pasluftës.
“Nuk pres që këto zgjedhje të jenë transformuese”, tha Toby Vogel, analist për Ballkanin Perëndimor dhe bashkëpunëtor i lartë në Këshillin për Politika të Demokratizimit, që ka qenë kritik për dështimet në Bosnjë e Hercegovinë. “Në fund të ditës, problemet në Bosnje nuk janë të lidhura se kush është në pushtet e kush është në opozitë, por se si pushteti është i strukturuar dhe ushtrimi i strukturës së pushtetit. Këto janë probleme strukturore që datojnë që nga marrëveshjet e paqes së Dejtonit dhe strukturave kushtetuese që ato përmbajnë”.
Por, kjo nuk nënkupton se nuk pritet asgjë nga këto zgjedhje.
Ka gara potencialisht të ngushta midis ulëseve të ndara etnikisht në presidencën trepalëshe, përfshirë edhe një sfidë të paprecedent për shumicën e ulëseve në mesin e boshnjakëve. Po ashtu, disa gara në Dhomën e Lartë të Federatës boshnjake dhe kroate mund të ndikojë në mënyrë dramatike në përpjekjet penguese që kanë paralizuar Qeverinë për vite me radhë. Rezultatet mund të qartësojë përgjigjen nëse fati i Bosnjës, të paktën për të ardhmen e afërt, do të mbetet një nga pikat më të nxehta në Evropë.
Çfarë është në rrezik?
Bosnja vazhdon të jetë thellësisht e ndarë në vija etnike, që janë vizatuar në mesin e viteve të ’90 për të bindur “kombet konstituive” – boshnjakët, serbët deh kroatët – që të ndalin konfliktet e përgjakshme që pasuan ndarjen e Jugosllavisë.
Shteti është i organizuar në Qeverinë qendrore multietnike, e cila zyrtarisht është përgjegjëse për politikat fiskale dhe të jashtme. Por, shteti ka transferuar shumë pushtet edhe në Federatën boshnjake dhe kroate dhe në dhjetë kantone, në Republikën Sërpska të dominuar nga serbët, dhe në qarkun e vogël vetëqeverisës të quajtur Bërçko.
Përpjekjet për të përfshirë alternativa në Marrëveshjen e Dejtonit të vitit 1995 asnjëherë nuk janë konkretizuar dhe qeveritë boshnjake në nivel kombëtar, të entiteteve dhe në nivelet lokale gjithnjë e më shumë janë bërë joefektive, pasi tri nga grupet etnike gjithmonë kërkojnë avantazhe ku të munden.
SHIKONI EDHE: Frika e ndikimit rus: BE angazhohet për zgjidhje të krizës në BosnjeNdërkaq, serbët e Bosnjës në Republikën Sërpska kanë përshpejtuar përpjekjet e tyre për shkëputje. Kroatët etnikë, që kanë më pak popullsi në zonat zgjedhore që ndajnë me boshnjakët, kanë kërkuar reforma zgjedhore dhe kanë vazhduar me taktikat penguese për të bërë presion që të kenë përfaqësim më të madh në postet politike. Dhe boshnjakët kanë dyfishuar avantazhin e tyre të shumicës duke kundërshtuar që të arrijnë një kompromis që do të mund të ulte kontrollin e tyre në Federatë.
A do të jetë viti 2022 kur do të shpërbëhet Bosnja?
Ky jofunksionalitet dhe frustrim ka gërryer besimin e publikut dhe ka nxitur një eksod, që është një prej më të këqijve në botë, me dhjetëra mijëra boshnjakë që çdo vit largohen nga vendi për të kërkuar punë dhe stabilitet jashtë vendit.
Kush po garon dhe për çfarë?
Këto janë zgjedhjet e nënta të përgjithshme në Bosnjë dhe ato përfshijnë gara për Presidencën trepalëshe kombëtare dhe Parlamentin kombëtar, për legjislaturën e re në Federatën boshnjake dhe kroate dhe garën për Presidencën dhe legjislaturën e re në Republikën Sërpska.
Tri ulëset në Presidencën boshnjake përbëhen nga tri kombet konstituive, por zgjidhen bazuar në një zonë të vetme zgjedhore të Republikës Sërpska dhe një zonë e dyfishtë zgjedhore, që i lë kroatët në një pozitë të cenueshme ndaj mbivotimit nga shumica boshnjake.
Zgjedhje e anëtarit kroat ka qenë veçanërisht tensionuese që nga tri votimet e fundit në Federatë, ku është zgjedhur kroati i moderuar, Zellko Komshiq, i cili ka mposhtur rivalët e mbështetur nga partia më e fuqishme kroate, Bashkimi Demokratik Kroat (HDZ).
Kësaj radhe, kundërshtarja e vetme e Komshiqit është kandidatja nga HDZ, Borjana Kristo. Një analist spekuloi se HDZ-ja duket se nuk po bënte fushatë agresive për Kriston dhe humbja e saj ndaj Komshiqit mund të ndihmojë në “narrativin viktimizues” të partisë “... sepse reformat paszgjedhore janë qëllimi përfundimtar”.
Duket se gara më e ngushtë do të jetë për ulësen boshnjake në Presidencë, me Bakir Izetbegoviq – i cili dy herë ka fituar zgjedhjet dhe njëherësh është djali i nënshkruesit të Marrëveshjes së Dejtonit – që po përballet me konkurrencë për mandatin e tretë nga profesori universitar, Denis Beqiroviq, i cili mbështetet nga një aleancë e paprecedent prej 12 partish politike.
Gara për ulësen për anëtarin e ri serb të Presidencës është midis favorites, Zhellka Cvijanoviq – një aleate e ngushtë e liderit të serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik – dhe tri politikanëve veteranë.
Vetë Dodik po garon për t’u rikthyer në postin e presidentit të Republikës Sërpska, një ndër postet e shumta politike që e ka mbajtur në të kaluarën.
Garat e ngushta për Dodikun ose për pasardhësin e tij të zgjedhur për Presidencën kombëtare mund të sinjalizojnë një lëvizje në zhvillim midis serbëve të Bosnjës që largohen nga politikat përçarëse të Dodikut dhe kërcënimeve të vazhdueshme të tij të shkëputjes nga shteti të Republikës Sërpskës.
Gjetkë, analistët do të shikojnë nga afër rezultatet e garave kyçe për Dhomën e Lartë në zgjedhjet në Federatën boshnjake dhe kroate.
“Sondazhet për federata janë veçmas tensionuese sepse kontrolli i një federate varet nga një ose dy ulëse vendimtare në dhomën e sipërme legjislative, në Dhomën e Popullit”, u tha në një analizë të publikuar së fundmi nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave.
Shumica e partive boshnjake në të kaluarën kanë bërë aleanca me politikanët kroatë në Dhomën e Popullit, dhe nëse arrijnë që këtë radhë të marrin më shumë mandate, kjo do t’iu lejonte atyre të bllokojnë – ose të ndalojnë kroatët që të bllokojnë – emërimet në postet e larta qeveritare në nivel kombëtar dhe në nivel të entitetit.
“Gara për ato ulëse shtesë, që janë vendimtare, është e ashpër”, u tha në analizën e Grupit Ndërkombëtar të Krizave.
Pasi bisedimet për reformë zgjedhore, të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, dështuan në pranverë, asnjë marrëveshje nuk u zbatua dhe mosmarrëveshjet lidhur me rezultatet e 2 tetorit mund të sfidohen nga kroatët, nëse boshnjakët arrijnë të fitojnë kontrollin e Dhomës së Popullit.
Pse janë ndryshe këto zgjedhje?
Një prej aspekteve më të dallueshme të këtyre zgjedhjeve është se shumica e veprimeve reale do të ndodhin vetëm pasi të numërohen votat.
Përfaqësuesi i Lartë i komunitetit ndërkombëtar në Bosnjë, aktualisht gjermani Christian Schmidt, para zgjedhjeve kishte kërcënuar se do të impononte ndryshime gjithëpërfshirëse zgjedhore lidhur me kundërshtimet e liderëve nga tri kombet konstituive.
SHIKONI EDHE: Palmer kërkon që Bosnja të shtyjë përpara reformën zgjedhorePor, në fund, ai njoftoi për masa parandaluese dhe kërcënoi se do të bëjë presion pas zgjedhjeve ndaj shumë prej të njëjtëve liderë dhe partive që kanë rezistuar që të shtyjnë përpara reformat për dekada me radhë.
Schmidt pritet që pas zgjedhjeve t’u bëjë presion partive parlamentare që të pajtohen për disa pjesë të reformave që adresojnë shqetësimet kroate për nënpërfaqësim për shkak të statusit të tyre si minoritet brenda federatës. Po ashtu, ai pritet të kërkojë miratimin e reformave që ua bëjnë më të vështirë partive që të bllokojnë ligje dhe emërime në nivel të federatës.
Në analizën e Grupit Ndërkombëtar të Krizave u tha se Përfaqësuesi i Lartë mund të presë derisa asambletë e 10 kantoneve të mblidhen një muaj pas zgjedhjeve.
Por, ky grup paralajmëroi se “kur të bëhen publike rezultatet preliminare, një ditë apo dy pas zgjedhjeve, do të jetë e qartë se cila palë ka fituar, dhe çdo ndërhyrje do të shihet si tentim për të ndryshuar rezultatin” e zgjedhjeve.
Rezistenca nga liderët lokalë dhe vendosmëria e Schmidit nuk penguan ndryshimin. Në fund të korrikut, ai imponoi atë që e përshkroi si “paketë të transparencës” apo “paketë të integritetit” për të mbështetur disa aspekte të votimit. Ky propozim ishte më pak kundërthënës sesa propozimet e spekuluara nga Schmidt, pasi kjo paketë u projektua për të shmangur që ndonjëra palë të ketë avantazh.
Ka pasur edhe ndryshime të tjera të vogla – kryesisht teknike – që kanë pasur për qëllim ta pastrojnë procesin e votimit. Fletëvotimet do të vulosen dhe do të nënshkruhen nga anëtarët e komitetit në qendrat e votimit për të shmangur grumbullimin e fletëvotimeve të pashënuara. Po ashtu është përmirësuar trajnimi dhe akreditimi i vëzhguesve në ditën e zgjedhjeve. Kabinat e votimit do të jenë përballë vëzhguesve dhe punëtorëve zgjedhorë, në mënyrë që ata të sigurohen që votuesit të mos votojnë më shumë se një herë. Po ashtu është krijuar e-portal, në përpjekje për të parandaluar mashtrimet për votat me postë.
Mos prisni që të rinjtë ta shpëtojnë Bosnjën
Me aq shumë fytyra të njohura në krye të listave zgjedhore dhe pas një fushate të nacionalizmit intensiv etnik, që sipas disa vëzhguesve ishte pothuajse e paprecedent që nga dhuna në Bosnjë në vitet ’90, ekspertët kanë paralajmëruar se nuk duhet që të besohet se votuesit e rinj do të kundërshtojnë status quo-në.
Qindra mijëra boshnjakë të rinj kanë emigruar në dekadën e fundit, duke e zhdukur rezistencën kombëtare dhe optimizmin.
Por, nuk është problem vetëm migrimi.
*Video nga arkivi: Dodik, "surrogati" i Putinit në Ballkan
Your browser doesn’t support HTML5
Analisti Toby Vogel tha se dominimi 10, 20 madje edhe 30-vjeçar i liderëve përçarës etnikë, ka shkaktuar një lloj cinizmi, abstenim të votuesve dhe zemërim.
“Kështu që unë mund të shoh një dimension brezash. Por, problemi është po ashtu se këta të rinj që janë shkolluar në shkolla etnike, shkolla gjerësisht të segreguara me pak ndërveprim me fëmijët e komuniteteve të tjera, të cilët u janë ekspozuar kësaj propagande toksike që vjen nga kreu i Qeverisë dhe nga partitë për dekada”, tha Vogel. “Prandaj, unë nuk jam optimist për gjeneratat e reja”.
Ai nuk është i vetmi që mendon kështu.
Samir Bechari, aktivist që për kohë të gjatë ka kundërshtuar ndarjen etnike në sistemin arsimor të Bosnjës dhe njëherësh hulumtues në organizatën e Forumit të Ballkanit, tha se së fundmi jo të gjithë të rinjtë e vendit janë të “drejtë”, falë ndarjeve toksike etnike.
“Kur bëhet fjalë për të rinjtë, ne jemi shumë idealistë për të rinjtë”, tha ai. “Të rinjtë po ashtu janë të orientuar nga nacionalizmi, ata po ashtu janë të korruptuar, ata janë të përfshirë në nepotizëm. Dhe nuk e di se si ne presim që të rinjtë të jenë më ndryshe – veçanërisht politikanët e rinj – nga nënat dhe baballarët e tyre që janë persona politikë, nëse këta të rinj janë shkolluar në shkolla ku predikohet nacionalizmi dhe segregacioni. Në disa raste jo vetëm që predikohet, por edhe praktikohet”.
A ka implikime ndërkombëtare?
Të gjitha këto janë vetëm forcat e brendshme që peshojnë në zgjedhjet në Bosnjë e Hercegovinë.
Rivalitetet gjeopolitike të SHBA-së, Rusisë, Turqisë, Serbisë, Hungarisë dhe Kroacisë po rrisin presionet, veçanërisht pasi veprimet diplomatike janë rritur së bashku me tensionet qëkur Rusia pushtoi Ukrainën në shkurt, që është konflikti më i madh në Evropë që nga luftërat ballkanike në vitet ’90.
SHIKONI EDHE: Ambasadori amerikan: Nuk do t’ia lëmë Bosnje e Hercegovinën RusisëPushtimi rus i Ukrainës ka rritur frikën se mund të ketë dhunë nëse përpjekjet për shkëputje vazhdojnë të shkatërrojnë shtetin boshnjak. Frika po rritet po ashtu pas gatishmërisë së Moskës për të mbështetur aleatët sikurse Dodiku në përpjekjet që integrimi evropian në Ballkan të ndërpritet.
Ndërkaq, Përfaqësuesi i Lartë në Bosnjë po ashtu ka një autoritet të madh në mbrojtje të aspekteve civile të Dejtonit. Por, ky post varet shumë nga mbështetja ndërkombëtare, e cila është zbehur, pasi ky post vlerësohej se do të ishte pjesë e një sistemi të tranzicionit, por që tani pothuajse ka hyrë në dekadën e tretë të ekzistencës.
Para këtyre zgjedhjeve, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian raportohet se i kanë bërë presion Schmidtit që t’i bëjë të detyrueshme reformat zgjedhore. Por, komuniteti ndërkombëtar nuk është unik aq sa Schmidt të mund të impononte zgjidhje në Bosnjë përmes të ashtuquajturve “Fuqi të Bonit”.
Rusia prej kohësh mbështet Dodikun – që po kërkon ndarje – dhe së fundmi Moska është bashkuar me Pekinin, duke kërcënuar se mund të heqë kompetencat e Përfaqësuesit të Lartë.
Në mungesë të alternativës për Marrëveshjes së Dejtonit, kritikët druajnë se fati i Bonjës është i lidhur me atë të Përfaqësuesit të Lartë, që është mburoja kryesore kundër forcave që po kërkojnë shpërbërjen.