Zgjedhjet e mesmandatit në SHBA: Biden feston suksesin e demokratëve

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden

Amerikanët prisnin me padurim rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA të enjten, derisa presidenti Joe Biden festoi atë që ai tha se ishte suksesi i partisë së tij në mbrojtjen nga një "valë e kuqe" republikane.

"Kjo nuk ndodhi," tha 79-vjeçari Biden në një konferencë shtypi të mërkurën në fjalimin e tij të parë që nga mbyllja e qendrave të votimit. "Ishte një ditë e mirë, mendoj, për demokracinë."

Republikanët dukej se do të fitonin shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, por dolën me një fitore shumë më të vogël nga sa kishin shpresuar – dhe nga ajo që parashikonin anketuesit.

Nëse parashikimet aktuale dalin të vërteta, zgjedhjet e mesmandatit të së martës mund të shënojnë performancën më të mirë nga një president në detyrë në dy dekada.

SHIKONI EDHE: Katër konkluzione të nxjerra nga zgjedhjet në SHBA

Në Senat, demokratët fituan një vend shumë të kontestuar, i kapur nga John Fetterman në Pensilvani, duke e marrë atë pas garës më të shtrenjtë të Senatit në historinë e SHBA-së.

Përbërja përfundimtare e Kongresit tani varet në tri ulëse në Senat: Arizona dhe Nevada, ku numërimi i votave mund të zgjasë disa ditë të tjera, dhe Gjeorgjia, ku balotazhi është planifikuar për më 6 dhjetor.

Biden nuk i priti rezultatet përfundimtare të votimit për të festuar, duke u kënaqur në shmangien e pengesës shumë më të madhe të parashikuar, pasi republikanët e orientuan fushatën në dështimin e tij për të trajtuar inflacionin në rritje.

Shefi i tij i kabinetit, Ron Klain, u tall me perceptimin publik për administratën së Bidenit, duke thënë: "Asnjëherë mos e nënvlerësoni se sa shumë është nënvlerësuar ekipi Biden".

Më vonë të mërkurën, duke iu drejtuar gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, Biden përsëriti "qëllimin" e tij për të kandiduar për një mandat të dytë në 2024. Dhe premtoi një vendim përfundimtar "në fillim të vitit të ardhshëm".

Biden, gjithashtu, shfrytëzoi rastin për t'i zgjatur dorën opozitës republikane, duke thënë se ai ishte i hapur për të gjitha "idetë e mira".

Republikanët janë të prirë të shfrytëzojnë çdo gabim të mundshëm brenda kampit demokratik në pritje të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024.

"Unë do ta udhëheqë luftën për t'u siguruar që partia ime të mos dështojë", tha Marjorie Taylor Greene, një kongresiste e Gjeorgjisë e afërt me Donald Trumpin, në një deklaratë.

Por, tashmë vështrimet ishin vendosur në vitin 2024 dhe fushatën e ardhshme presidenciale.

Donald Trump, ish-president i SHBA-së, i cili kishte vënë bast për një fitore të madhe të republikanëve për të shpallur ofertën e tij për rizgjedhje, iu desh të pranonte të mërkurën se rezultatet e zgjedhjeve të mesmandatit ishin "disi zhgënjyese".

Por, ai shtoi në platformën e tij të mediave sociale, Truth Social, "nga këndvështrimi im personal, ishte një fitore shumë e madhe".

Ish-presidenti 76-vjeçar, Trump, kishte premtuar një "njoftim shumë të madh" më 15 nëntor, me sa duket duke kërkuar të nënvlerësonte një nga rivalët e tij të mundshëm për nominimin republikan, guvernatorin e Floridës, Ron DeSantis.

Por, DeSantis doli i fortifikuar nga zgjedhjet e mesmandatit.

"Ne kemi shumë më tepër për të bërë dhe unë sapo kam filluar të luftoj", premtoi guvernatori 44-vjeçar.

I pyetur të mërkurën në lidhje me rivalitetin Trump-DeSantis, presidenti Joe Biden tha:

"Do të jetë kënaqësi t'i shikosh ata duke u përballur me njëri-tjetrin".

SHIKONI EDHE: Gjërat që duhet t’i dini për zgjedhjet e mesmandatit në SHBA