Krijimi i një koalicioni paszgjedhor, që do të udhëhiqte një qeveri të re e të qëndrueshme në Mal të Zi, do të jetë i vështirë, ndërkohë që mbetja e këtij vendi në rrugën evropiane do të varet nga disa faktorë, thotë për Radion Evropa e Lirë Ivana Stradner, bashkëpunëtore kërkimore në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive në Uashington.
Lidhur me interesimin e Perëndimit për Qeverinë e re të Malit të Zi, Stradner thotë se Uashingtoni, aktualisht, e shikon Ballkanin Perëndimor përmes prizmit të luftës në Ukrainë dhe se qëllim i tij është t’i pengojë përpjekjet destabilizuese të Moskës.
Ajo gjithashtu beson se presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i përshtatet një Mal i Zi i paqëndrueshëm, në mënyrë që të mund ta përshkallëzojë dhe qetësojë situatën përmes Kishës Ortodokse Serbe.
Këto zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare janë ndër zgjedhjet më të rëndësishme në Mal të Zi në vitet e fundit dhe ky tren nuk duhet të humbet, thotë Stradner.
Zgjedhjet në Mal të Zi u mbajtën më 11 qershor.
SHIKONI EDHE: Rezultatet preliminare: Lëvizja Evropa Tani fiton zgjedhjet në Mal të Zi, DPS-ja e dytaRadio Evropa e Lirë: Lëvizja Evropa Tani (PES) ka dalë mirë në këto zgjedhje, ashtu siç edhe pritej. Një vit nga themelimi, ajo ka fituar zgjedhjet lokale në kryeqytetin e Podgoricës, ndërsa kandidati i saj ka fituar edhe zgjedhjet presidenciale. Si e interpretoni suksesin e saj?
Ivana Stradner: Suksesi i saj ka qenë i pritshëm, sepse ajo e ka ndërtuar fushatën e saj mbi ekonominë dhe standardin më të mirë jetësor. Mali i Zi ka kohë që është polarizuar dhe shumë njerëz janë lodhur nga temat që lidhen me identitetin kombëtar. Ata kërkojnë një të ardhme të re për vendin e tyre.
[Ish-presidenti] Millo Gjukanoviq ka qenë në pushtet për gati tri dekada dhe, natyrshëm, populli do diçka të re. Dhe, ajo që mund të sjellë Lëvizja Evropa Tani, mbetet për t’u parë. Është shumë herët të flitet për këtë, sidomos duke pasur parasysh trazirat brenda vetë lëvizjes, ndërmjet udhëheqësve të saj: Jakov Millatoviq dhe Millojko Spajiq.
Radio Evropa e Lirë: Tani priten negociata të paqarta partiake për koalicionet paszgjedhore, por marrëdhëniet e tyre janë dëmtuar rëndë në fund të fushatës. Sa i vështirë do të jetë krijimi i një qeverie të qëndrueshme, që do ta fillonte integrimin praktikisht të ndalur evropian?
Ivana Stradner: Besoj se, në këtë moment, do të jetë shumë e vështirë të bësh koalicion. Nuk ka mosmarrëveshje vetëm brenda Lëvizjes Evropa Tani... Shtrohet edhe pyetja se ku do të jenë DPS-ja dhe URA në atë formulë qeveritare, aq më tepër që Spajiq e ka bërë të qartë se nuk ka koalicion me to.
Nga ana tjetër, strukturat pro-serbe dhe pro-ruse nga ish-Fronti Demokratik nuk e kanë mbështetjen e Perëndimit.
Marrë parasysh një situatë të tillë, është keq që Mali i Zi ka një status quo politike, që do të çojë vetëm në ngadalësim të integrimit evropian - gjë që është një dhuratë e madhe për Beogradin dhe Moskën.
Kjo do të jetë një provë e madhe dhe, pa e ekzagjeruar, them se këto janë një nga zgjedhjet më të rëndësishme për të ardhmen e Malit të Zi.
Radio Evropa e Lirë: Afera që ka shpërthyer disa ditë para zgjedhjeve është “mbreti i kriptomonedhave” i Koresë së Jugut. Do Kvon është vënë në kontakt me udhëheqësin e Evropës Tani, Millojko Spajiq, i cili është konsideruar si kryeministri më i mundshëm i ardhshëm. Kjo aferë e ka komplikuar edhe më shumë skenën politike parazgjedhore. A mund ta komplikojë edhe atë paszgjedhore?
Ivana Stradner: Sigurisht. Kjo aferë nuk ka përfunduar, sapo ka filluar. Dhe, besoj se Qeveria e re do të varet nga rrjedha e kësaj afere. Aktualisht, nuk ka informacion të mjaftueshëm për këtë aferë, por sido që të shkojë, do të ketë ndikim në Lëvizjen Evropa Tani, e cila tashmë ka përçarje brenda vetes.
SHIKONI EDHE: Borrell: Mali i Zi i pari në radhë për t’u anëtarësuar në BERadio Evropa e Lirë: A prisni që Mali i Zi të mbetet në të njëjtin kurs të politikës së jashtme dhe nga çfarë do të varet kjo?
Ivana Stradner: Këto zgjedhje janë jashtëzakonisht të rëndësishme për të ardhmen e Malit të Zi. Të gjithë flasin për Bashkimin Evropian dhe procesin e integrimit. Demokracia dhe liria nuk duhet të merren kurrë si të mirëqena. Presidenti i ri i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, e ka thënë qartë se Mali i Zi do të mbetet në rrugën evropiane dhe do të jetë partner i NATO-s. Por, kjo do të varet nga shumë faktorë.
Para së gjithash, kjo rrugë do të varet nga lufta në Ukrainë, se si zhvillohet ajo. Aktualisht, Rusia nuk ka kapacitet të mjaftueshëm për ta destabilizuar Ballkanin në mënyrën që ka planifikuar ta bënte përpara shkurtit 2022, por ende i ka lojtarët e saj në Mal të Zi, që e luajnë lojën e Moskës.
Më e rëndësishmja - ashtu siç [presidenti rus, Vladimir] Putin nuk do një Ukrainë demokratike dhe të lirë, as presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk dëshiron të ketë vende demokratike në fqinjësinë e tij, sepse atëherë elektorati i tij do t’ia kërkojë atë.
Nuk duhet të mashtrohemi se Vuçiq e do Serbinë në Bashkimin Evropian, sepse asnjë sistem i rregullt nuk përkon me ambiciet e tij politike.
Vuçiqit i përshtatet një Mal i Zi i paqëndrueshëm, në mënyrë që, përmes Kishës Ortodokse Serbe, ta përshkallëzojë situatën dhe më pas ta shtensionojë atë, të pozicionohet si ndërmjetës rajonal dhe faktor stabiliteti në sytë e Perëndimit, dhe ta shfrytëzojë këtë si pazar me Perëndimin.
Këtë skenar e kemi parë edhe më parë, jo vetëm në Mal të Zi, por edhe në Bosnje e Hercegovinë dhe në Kosovë.
Politika e jashtme globale është shumë komplekse dhe politika rajonale nuk është më e mirë. Mali i Zi nuk mund të shihet veçmas prej kësaj.
SHIKONI EDHE: Rashiti: Ndryshim radikal i qëndrimeve gjeopolitike të SHBA-së ndaj Kosovës dhe SerbisëRadio Evropa e Lirë: Sa është i interesuar Perëndimi, përfshirë SHBA-në, për Qeverinë e re në Mal të Zi? Deri më tani, ai ka qenë i qartë se Fronti Demokratik nuk është një faktor i dëshirueshëm. Ky koalicion pro-serb dhe pro-rus është shpërbërë para zgjedhjeve dhe udhëheqësit e tij kanë formuar koalicione të reja.
Ivana Stradner: Kur themi Perëndim, duhet të specifikojmë se për kë po flasim në Perëndim. SHBA-ja ka prioritete shumë më të larta në politikën e jashtme, sesa Ballkanin Perëndimor.
Uashingtoni e shikon Ballkanin Perëndimor përmes prizmit të Ukrainës.
- Për të rejat e fundit nga lufta në Ukrainë, klikoni këtu.
Një nga qëllimet e tij është ta parandalojë Putinin të hapë një front të dytë dhe të destabilizojë Moldavinë, Gjeorgjinë dhe Ballkanin Perëndimor. Gjithashtu, SHBA-ja do që t’i tregojë Rusisë se nuk është një partnere e besueshme dhe se aleatët e Putinit po kthehen drejt Perëndimit.
Shikojeni mirë situatën në lidhje me Armeninë dhe Azerbajxhanin dhe konfliktin e tyre për rajonin e Nagorno Karabakut.
Kur Armenia i ka kërkuar Rusisë vitin e kaluar që ta ndihmonte në konfliktin me Azerbajxhanin, përmes “Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive”, anëtare e së cilës është, Putin nuk e ka ndihmuar aleatin e tij. Aktualisht, SHBA-ja po ndihmon për zgjidhjen e situatës në Nagorno Karabak.
SHBA-ja shpreson të zbatojë një strategji të ngjashme në Ballkan, duke ndarë Serbinë dhe faktorët pro-rusë nga Moska. Ky është një objektiv i admirueshëm, por metodologjia e Uashingtonit është e gabuar.
SHBA-ja po bën gjithçka për ta kënaqur Vuçiqin, në mënyrë që ai të mos afrohet me Putinin. Por, në sistemin e vlerave të Vuçiqit, mirësia është dobësi. Ai nuk mund t’i thotë “njet” [jo] Putinit dhe vazhdon ta luajë lojën e tij balancuese.
Pra, nuk duhet të habitemi që anëtarët e Frontit Demokratik nuk i përshtaten Perëndimit, por, nga ana tjetër, ata janë të rëndësishëm për Serbinë si mjet pazari.
SHIKONI EDHE: A mund të jetë Moldavia shënjestra e radhës e Rusisë?BE-ja do të donte ta shihte Malin e Zi më afër Evropës, por për këtë duhet të ofrohen jo vetëm karotat, por edhe shkopinjtë, e për ç’gjë nuk ka oreks në Bruksel. Moska dhe Beogradi e dinë mirë këtë.
Perëndimi e sheh Ballkanin e Hapur si një alternativë. Kjo ide është e mirë në teori - kush nuk dëshiron një treg të hapur - por në praktikë është ndryshe. Në atë strukturë, vendet më të vogla si Mali i Zi, Kosova apo Bosnje e Hercegovina nuk do të ishin të barabarta me Serbinë.
Gjithashtu, Ballkani i Hapur nuk duhet të jetë alternativë ndaj Bashkimit Evropian. Anëtarësimi i plotë duhet të jetë qëllimi kryesor, por aktualisht BE-ja nuk i përshtatet Beogradit, dhe Ballkani i Hapur i shërben Vuçiqit vetëm për të blerë kohë.
Sa i përket Britanisë së Madhe, ajo është treguar lidere në Evropë për sigurinë që e disiplinon Moskën dhe e kupton shumë mirë situatën e sigurisë. Por, ajo nuk është në BE që të mund t’i ofrojë Ballkanit Perëndimor diçka konkrete dhe nuk më duket se Londra dëshiron ta kundërshtojë politikën amerikane në Ballkan.
Radio Evropa e Lirë: A prisni ndikim jozyrtar të faktorëve të huaj në procesin e formimit të Qeverisë së re të Malit të Zi? Për shembull të Beogradit zyrtar dhe të Kishës Ortodokse Serbe? Ndikimi i tyre në politikë, që nga ndërrimi i Qeverisë në vitin 2020, është i dukshëm...
Ivana Stradner: Nëse shikojmë historinë e kohëve të fundit, mund të presim ndikimin e faktorëve të jashtëm në formimin e Qeverisë.
Një Mal i Zi i qëndrueshëm, demokratik dhe i rregullt nuk i përshtatet Beogradit, dhe Kisha Ortodokse Serbe është një instrument destabilizimi që Beogradi dhe Moska e përdorin për të hedhur benzinë në zjarrin e tensioneve etnike.
Nëse Vuçiq vazhdon të ketë probleme në Kosovë dhe probleme shtesë në Serbi me protesta, besoj se kjo do të ketë ndikim në Mal të Zi përmes pamundësisë së formimit të Qeverisë.
SHIKONI EDHE: Ballkani Perëndimor me 'telashet ruse'Radio Evropa e Lirë: A prisni që partitë kryesore t’i përmbushin premtimet e tyre parazgjedhore? Janë dëgjuar shumë, nga rritja e pagës mesatare për një të tretën deri te shkurtimi i orarit të punës në shtatë orë. Po ashtu është thënë se Mali i Zi do të hyjë në BE në mandatin e ardhshëm qeveritar.
Ivana Stradner: Këto zgjedhje janë një provë e madhe për Malin e Zi. Rritja e pagave dhe standardeve të jetesës është e rëndësishme, por është edhe më e rëndësishme nëse palët do të bien dakord për një plan për BE-në, si një plan për Malin e Zi në afat të gjatë.
Nuk duhet të flitet më për “rrugën drejt BE-së”, por për “anëtarësimin në BE”.
Partitë që formojnë koalicionin, duhet të krijojnë një agjendë të qartë për anëtarësimin në BE.Siç e kam thënë tashmë - këto janë ndoshta zgjedhjet më të rëndësishme në Mal të Zi në vitet e fundit dhe ky tren nuk duhet të humbasë.