Organizata Demokracia në Veprim (DnV) tha se refuzimi i partive serbe dhe tërheqja e kandidatëve nga gara zgjedhore bëri që zgjedhjet e parakohshme lokale në katër komunat në veri të Kosovës, të bojkotoheshin nga votuesit serbë.
DnV ka vëzhguar zgjedhjet lokale të mbajtura të dielën në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.
Përveç zgjedhjes së kryetarëve të rinj, qytetarët në këto komuna, të banuara me shumicë serbe, votuan edhe për përbërjet e reja të asambleve komunale në Leposaviq dhe Zveçan.
“Sa i përket administrimit të zgjedhjeve, është vërejtur një improvizim i procesit zgjedhor, duke nisur nga zhvillimi i zgjedhjeve në kontejnerë, që kanë zëvendësuar rreth 70 për qind të qendrave të zakonshme të votimit”, tha DnV.
Nga 19 qendra të votimit, të hapura për zgjedhjet e 23 prillit, 13 prej tyre u vendosën në kontejnerë.
*Video: Zgjedhjet në veri ndajnë komunitetet
Your browser doesn’t support HTML5
Sipas DnV-së, vendosja e kontejnerëve përgjatë rrugëve magjistrale, larg zonave të banuara, i ka bërë më vështirë të arritshme qendrat e votimit nga votuesit potencialë.
DnV tha se është vërejtur një dalje më e madhe në zgjedhje në zonat e banuara nga shqiptarët.
“Në këtë mënyrë, ndonëse zgjedhjet plotësuan kriteret minimale ligjore, ato nuk garantojnë legjitimitet politik e përfaqësues të institucioneve që do të prodhohen nga to”, tha kjo organizatë.
Sa i përket sigurisë, ajo sipas DnV-së u garantua nga Policia e Kosovës dhe se“procesi zgjedhor është përmbyllur pa asnjë incident apo kërcënim të integritetit të procesit zgjedhor”.
SHIKONI EDHE:
Policia: Kemi marrë masa për siguri dhe mbarëvajtje të zgjedhjeveVuçiq: Pas 23 prillit do të ketë pushtim të plotë të veriut të KosovësSipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve – që i referohen daljes në zgjedhje deri në orën 15:00 – numri i qytetarëve që kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre të votës ka qenë i ulët, përkatësisht 2.4 për qind.
Në garë për katër kryetarët e rinj në veri morën pjesë dhjetë kandidatë dhe vetëm një prej tyre ishte nga komuniteti serb.
Zgjedhjet e parakohshme u mbajtën pasi kryetarët e këtyre komunave - të gjithë nga radhët e Listës Serbe - kanë dhënë dorëheqje në nëntor të vitit të kaluar, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS - Republika e Kosovës.