Si do të reflektohen zgjedhjet në Bullgari në raportet me Shkupin?

Flamujt e të dyja vendeve, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.

Zgjedhjet parlamentare në Bullgari ku sipas rezultateve paraprake fitues doli koalicioni konservator GERB-SDS (Unioni i Forcave Demokratike), i kryesuar nga ish-kryeministri Bojko Borisov, nuk zgjidhin krizën politike në këtë vend, në veçanti kontestin që ka me Maqedoninë e Veriut, thonë njohësit e çështjeve politike në Shkup.

Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria në qershor të vitit 2022 pranuan atë që njihet si propozim francez, për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve për gjuhën, identitetin dhe dallimet historike.

Më pas, dy vendet firmosën edhe protokoll për anëtarësim në BE, i cili bazuar në marrëveshjen e mëparshme e obligon Maqedoninë e Veriut ta ndryshojë Kushtetutën për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e saj si popull shtetformues.


Por, ky obligim ende nuk është përmbushur nga autoritetet në Shkup, ndërkohë që Bullgaria, si shtet anëtar i BE-së në disa raste ka paralajmëruar për pasoja në procesin e integrimit nëse nuk përmbushen obligimet e marra.

Ish-diplomati maqedonas, Risto Nikovski, thotë për Radion Evropa e Lirë se “qasja e Sofjes” nuk do të ndryshojë as pas zgjedhjeve parlamentare të së dielës.

Ai konsideron se raportet mes forcave politike nuk japin shpresë për formimin e një Qeverie stabile, me të cilën do të mund të bisedohej për çështjet kontestuese.

“Zgjedhjet në Bullgari përfunduan, por nuk sollën asgjë të re. Qeveria e re vështirë se do të formohet pasi do të duhen të paktën tri parti politike, të cilat kanë dallime të mëdha. Por, ky nuk është problemi më i madh për ne pasi cilado parti që të jetë, politikat ndaj vendit tonë nuk ndryshojnë. Topi është në oborrin tonë dhe ne jemi ata që duhet të gjejmë zgjidhje për dalje nga situata në të cilën ndodhemi”, vlerëson Nikovski.

Edhe ish-kryeministri bullgar, Bojko Borisov, shpreh dyshime nëse ndonjëra parti do të jetë në gjendje ta formojë Qeverinë e re. Ai thotë se është pesimist se partia e tij, GERB, të mund të sigurojë shumicën për formimin e shumicës parlamentare.

Veç kësaj, skena politike në Bullgari do të jetë akoma më e tensionuar me retorika nacionaliste pasi në Parlamentin bullgar, me gjasë do të hyjë edhe partia “Veliçie” (Partia e madhështisë) me orientim prorus.

Së bashku me partinë “Prerodba” (Ripërtëritja) dhe socialistët, Veliçie është partia e tretë proruse që do të ketë përfaqësuesit e saj në Parlamentin bullgar.

SHIKONI EDHE: Ndryshimet kushtetuese, "nyje" në bisedimet mes VMRO-së dhe VLEN-it


Ish-diplomati Nikovski thotë se qëndrimet e VMRO DPMNE-së, partisë fituese të zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut, do ta bëjnë edhe më të pamundur ndryshimin e Kushtetutës, pasi partia e mandatarit Hristijan Mickoski kërkon ndryshimin e protokollit për anëtarësim në BE.

VMRO DPMNE-ja nuk është kundër përfshirjes së pakicës bullgare në Kushtetutë, por kërkon garanci se Sofja nuk do të paraqesë kërkesa të reja. Andaj, kjo parti kërkon që hyrja në fuqi e ndryshimeve kushtetuese, në rast se miratohet, të bëhet pas përfundimit të bisedimeve me BE-në, apo paralelisht me anëtarësimin në union.

SHIKONI EDHE: A po përgatit Sofja kërkesa të reja për Shkupin?

“Problemi qëndron në protokollin e dytë të firmosur nga dy qeveritë, i cili është pesë herë më i dëmshëm se marrëveshja për miqësi që edhe pengon integrimin evropian. Me heqje dorë nga ky protokoll, me automatizëm bie në ujë edhe korniza negociuese dhe me këtë edhe ultimatumi bullgar për ndryshimin e Kushtetutës. Vetëm në këtë mënyrë Maqedonia (e Veriut) mund të vazhdojnë rrugën drejt Brukselit sikur edhe vendet tjera”, thotë Nikovski.

Në vitin 2017, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria nënshkruan Marrëveshjen për fqinjësi të mirë, që synonte kapërcimin e dallimeve për çështjet që kanë të bëjnë me gjuhën, identitetin dhe të kaluarën historike mes dy vendeve.

Por, në vend të kësaj, kjo marrëveshje përkeqësoi edhe më shumë raportet ndërmjet dy vendeve.