Kadri Veseli, nuk do të ketë përkrahjen e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës me partitë partnere në koalicion, në rast se kandidon për postin e kryetarit të Kuvendit.
Kryetari i deritashëm i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili është edhe kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, konsiderohet i papranueshëm për këtë post nga Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK-ja.
Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit është e domosdoshme për vazhdimin e procedurave tjera të konstituimit të Kuvendit dhe për fillimin e fazës për formimin e Qeverisë së re.
Në mënyrë që procesi i formimit të institucioneve të mos bllokohet, si zgjidhje, Vetëvendosje dhe LDK i ofrojnë koalicionit PAN, ku bëjnë pjesë Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma që të propozojnë një kandidat tjetër për kryetar të Kuvendit.
Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje thotë se Kadri Veseli do të dështojë nëse kandidon, për mungesë të votave.
“Lëvizja Vetëvendosje do të votojë kundër Kadri Veselit për kryetar të Kuvendit, por ne jemi të gatshëm që t’i shqyrtojmë edhe emrat tjerë të cilët do të mund të propozoheshin”, thotë Konjufca.
Në rast se zgjedhje e kryetarit të Kuvendit dështon, procedura mbetet aty deri në arritjen e ndonjë marrëveshje politike. Për zgjedhjen e tij, nevojitet shumica e thjeshtë prej 61 votave, por të cilat koalicioni PAN deri më tani nuk e ka dëshmuar se i ka.
Analisti nga Instituti Demokratik i Kosovës, Albert Krasniqi thotë se kjo nyje, nëse krijohet, duhet të zgjidhet, ngase nuk mund të vazhdohet me procedura tjera.
“Nëse ky kandidat nuk i merr votat e mjaftueshme, pra 61 e më shumë vota, atëherë nuk mund të procedohet më tutje, duhet që të ndërpritet seanca, të shihet nëse mund të arrihen kompromise mes subjekteve politike apo të provohet me një kandidat tjetër, i cili do të ishte më i pranueshëm për shumicën e deputetëve”, sqaron Krasniqi.
Partia Demokratike e Kosovës, si subjekti më i madh në kuadër të koalicionit PAN, thotë se nuk e caktuar ende kandidatin për kryetar të Kuvendit. Por, sipas nënkryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, ai mund të jetë pikërisht kryetari i partisë, Kadri Veseli.
“Është e drejtë e opozitës që të thotë se e votojë ose nuk e votojë, por z.Veseli e ka mbështetjen e PDK-së dhe të partnerëve të koalicionit. Besoj që z.Veseli do ta thotë vet fjalën përfundimtare”, ka thënë Hoxhaj.
Përderisa për kryetarin e Kuvendit, Vetëvendosje dhe LDK thonë se mund të tregojnë fleksibilitet nëse nuk kandidon Veseli, ato e përjashtojnë mundësinë që ta përkrahin cilindo kandidat të këtij koalicioni për kryeministër.
Deputetja e zgjedhur e LDK-së, Vjosa Osmani thotë se Qeverinë duhet ta formojnë Vetëvendosja dhe LDK-ja, pasi që koalicioni PAN, sipas saj, të dështojë në përpjekjen e parë.
“Ka vullnet të mirë tek të dyja palët që të arrihet një marrëveshje për bashkëqeverisje, duke supozuar që koalicioni PAN do të dështojë t’i ketë numrat e nevojshëm për formimin e Qeverisë dhe ne besojmë që ata do të dështojnë dhe së dyti, kemi edhe një mision që na bashkon, pra që PDK-në ta lëmë në opozitë”, ka thënë Osmani.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thirrur seancën konstituive të Kuvendit për datën 3 gusht. Aty, pritet që deputetët të betohen dhe të zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët e këtij institucioni.
Nga momenti i konstituimit të Kuvendit, pason periudha prej 15 ditëve për formimin e Qeverisë së re.