Zëvendëssekretarja e NATO-s takon Sorensenin: NATO-BE, bashkë për stabilitet në Ballkan

Zëvendëssekretarja e përgjithshme e NATO-s, Radmila Shekerinska, gjatë një takimi më 31 mars me Peter Sorensenin, përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi.

Zëvendëssekretarja e përgjithshme e NATO-s, Radmila Shekerinska, gjatë një takimi më 31 mars me Peter Sorensenin, përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi.

Zëvendëssekretarja e përgjithshme e NATO-s, Radmila Shekerinska, ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet NATO-s dhe BE-së për të ruajtuar stabilitetin dhe sigurinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Ajo e dha këtë deklaratë në një postim në X, pas një takimi të zhvilluar me Peter Sorensenin, përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi.

Sorensen iu përgjigj deklaratës së Shekerinskës duke thënë se “mezi pres të bashkëpunojmë ngushtë së bashku”.

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, vazhdon të luajë një rol kyç në ruajtjen e paqes dhe sigurisë, ndërsa BE-ja është e angazhuar në lehtësimin e dialogut politik ndërmjet palëve.

Në vitet e para pas luftës, KFOR-i kishte 50.000 trupa, por, pas vlerësimeve të vazhdueshme të sigurisë, ky numër sot ka rënë në rreth 4.600 ushtarë.

Prania e trupave në Kosovë është rritur sa herë që situata ka qenë e tensionuar, sikurse pas sulmit të armatosur në Banjskë, në shtator të vitit 2023.

Aktualisht, pjesë e misionit të KFOR-it janë 29 shtete anëtare të NATO-s.

Në mes të marsit, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, vizitoi Prishtinën, ku tha se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është e vetmja mënyrë për të zgjidhur çështjet e hapura.

SHIKONI EDHE: Rutte: Fleksibilitet dhe kompromise për përparim në dialog me Serbinë

Sipas tij, normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë do të përmirësonte stabilitetin dhe sigurinë në mbarë rajonin.

Rreth një javë më vonë, Prishtinën e vizitoi edhe i dërguari i ri i BE-së për dialogun, Peter Sorensen. Ai vizitoi edhe Beogradin dhe në të dyja vendet theksoi se prioritet i tij është të sigurojë një takim ndërmjet përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë.

Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, deklaroi në shkurt se i ka marrë parasysh kritikat për formatin aktual të dialogut Kosovë-Serbi dhe se ajo, së bashku me Sorensenin, do t’i shqyrtojnë opsionet për ta bërë atë funksional.

SHIKONI EDHE: Sorensen takon udhëheqësit politikë të Kosovës

Bisedime të nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka pasur qysh në shtator të vitit 2023.

Më 14 të atij muaji, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë takuar në Bruksel, me ndërmjetësimin e udhëheqësve të atëhershëm evropianë, Josep Borrell dhe Mirosllav Lajçak.

Dhjetë ditë pas atij takimi ka ndodhur sulmi i armatosur në Banjskë, ku grupe të armatosura serbësh kanë vrarë një polic të Kosovës.

Viteve të fundit, Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, është përballur me kritika të herëpashershme nga zyrtarë të BE-së dhe zyrtarë amerikanë, për shkak të disa veprimeve në veri të vendit, të cilat i kanë cilësuar si të pakoordinuara dhe me ndikim të keq te komuniteti serb.