Zelensky viziton Sofjen, merr garanci për mbështetje ushtarake

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në konferencë të përbashkët me kryeministrin bullgar, Nikolay Denkov, më 6 shkurt 2023.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky zhvilloi një vizitë në Sofje më 6 korrik për takime me zyrtarë qeveritarë, duke përfshirë kryeministrin e ri të Bullgarisë, i cili sinjalizoi një shkëputje nga ngurrimi i qeverisë së mëparshme të përkohshme për të ofruar ndihmë në armatim për Ukrainën kur ai mori pushtetin muajin e kaluar.

Kryeministri Nikolay Denkov theksoi mbështetjen e vendit të tij për Ukrainën gjatë vizitës së shkurtër të Zelenskyt në kryeqytetin bullgar.

“Bullgaria është e qëndrueshme në mbështetjen e saj për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, sepse ne jemi të bindur se një Ukrainë e pavarur dhe sovrane është çelësi për sigurinë euroatlantike në rajon”, tha Denkov pas bisedimeve me Zelenskyn.

“Rusia duhet të tërhiqet pa kushte brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht dhe duhet të mbajë përgjegjësinë e saj”, shtoi Denkov.

Vizita e Zelenskiy përkoi me një votim në parlamentin bullgar që dakordohet me një deklaratë për mbështetjen e Ukrainës për t'u bashkuar me NATO-n pasi të përfundojë lufta.

Zelensky përmes Telegramit tha se synon të angazhohet në diskutime gjithëpërfshirëse me kryeministrin bullgar Nikolai Denkov dhe të zhvillojë takime me presidentin Rumen Radev, si dhe me zyrtarë të ndryshëm qeveritarë dhe deputetë.

SHIKONI EDHE: Të paktën pesë të vrarë pas sulmit rus në Lviv

Ukraina po kërkon që NATO-ja gjatë samitit më 11 dhe 12 korrik në Vilnus, të deklarojë që Kievi mund t’i bashkohet aleancës pas përfundimit të luftës me Rusinë dhe t’i japë një udhërrëfyes për anëtarësim.

Por, disa anëtarë të NATO-s, sikurse Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania kanë qenë më të kujdesshme dhe kanë paralajmëruar kundër çdo lëvizjeje që ato druajnë se mund ta çojnë aleancën më afër ndaj një lufte aktive me Rusinë.

Moska që një kohë të gjatë thotë se zgjerimin e NATO-s është dëshmi për armiqësitë e Perëndimit.

SHIKONI EDHE: Kryeministrja e Estonisë: Anëtarësimi në NATO është garancia e vetme e sigurisë

Që kur nisi kundërofensiva në fillim të qershorit të këtij viti, Ukraina ka thënë se ka arritur të rimarrë kontrollin e disa fshatrave në juglindje.

Por, Kievi ka sugjeruar se ende nuk ka dislokuar pjesën më të madhe të forcave, që janë trajnuar nga Perëndimi, dhe pajisjet e rënda.

Rusia nisi pushtimin e paprovokuar në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.