Zyrtarët ukrainas kanë thënë se forcat ruse kanë shtuar sulmet në një fabrikë metalesh ku gjenden mbrojtësit ukrainas në qytetin e shkatërruar të Mariupolit, i cili është nën rrethim.
Raportimet për sulme të reja në fabrikën Azovstal kanë ardhur dy ditë pasi presidenti rus, Vladimir Putin ka sugjeruar në një takim televiziv se trupat ruse nuk do të hyjnë në këtë ndërtesë mirëpo do ta bllokojnë nga jashtë.
Në këtë fabrikë besohet se strehohen rreth 2,000 luftëtarë ukrainas.
SHIKONI EDHE: Azovstal - Fabrika ukrainase e shndërruar në fushëbetejëOleksiy Arestovich, këshilltar i presidentit ukrainas ka thënë më 23 prill se forcat ruse kanë rinisur sulmet në Azovstal dhe kanë tentuar të hyjnë në të.
Ndërkohë autoritetet ukrainase kanë thënë se janë duke tentuar të evakuojnë civilët nga Mariupoli.
Më 22 prill, pamjet e reja satelitore kanë shfaqur atë që mund të jetë varrezë e dytë masive në një qytezë në afërsi të Mariupolit, duke rritur shqetësimet për katastrofë humanitare prej kur presidenti rus, Vladimir Putin ka nisur ofensivën më 24 shkurt.
Putin ka urdhëruar këtë javë që forcat ruse të mbyllin Mariupolin ashtu që “as edhe një mizë” të mos mund të kalojë në qytetin e shkatërruar, i cili ka pasur rreth 500,000 banorë para se të niste lufta.
Your browser doesn’t support HTML5
Inteligjenca ushtarake e Britanisë së Madhe ka thënë më 23 prill se forcat ruse duket se nuk kanë bërë përparim të madh në 24 orët e fundit.
Sipas saj, forcat ajrore dhe ato detare të Rusisë nuk kanë arritur të kenë kontroll në qiejt dhe detet e Ukrainës, meqë janë përballur me rezistencë të ashpër ukrainase.
SHIKONI EDHE: Ushtarë rusë po refuzojnë të luftojnë në UkrainëNë një video-adresim më 22 prill, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka falënderuar shtetet që kanë dërguar armë për të ndihmuar në mbrojtjen e Ukrainës dhe ka thënë se forcat e armatosura vazhdojnë të ndalin sulmet në lindje dhe jug të shtetit.
Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës ka thënë se forcat ruse kanë shtuar sulmet në gjithë pjesën lindore.
“Në rajonin e Donbasit, Azovit, Mariupolit dhe Hersonit është duke u vendosur fati i kësaj lufte dhe e ardhmja e shtetit tonë”, ka thënë Zelensky.
Ai po ashtu ka shtuar paralajmërimet se presidenti rus, Vladimir Putin ka synime tjera territoriale në rajon, përveç synimeve për të pushtuar lindjen dhe jugun e Ukrainës.
Your browser doesn’t support HTML5
Sulm me raketa në Odesa
Forcat ruse kanë kryer sulme me raketa në qytetin e Odesas, kanë thënë zyrtarë ushtarakë të Ukrainës më 23 prill.
Sipas tyre, dy raketa kanë goditur një ndërtesë ushtarake në qytet si dhe dy ndërtesa banimi.
Anton Gerashchenko, këshilltar i Ministrisë së Brendshme në Ukrainë, ka thënë në llogarinë e tij në Telegram se një ndërtesë shumëkatëshe është goditur dhe po digjet.
Ai ka cituar raportimet, pa përmendur diçka specifike, se tre njerëz janë vrarë.
Këto raportime nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur.
Këto deklarata vijnë pasi një zyrtar i lartë rus ka thënë se Moska planifikon të marrë kontrollin e plotë të rajonit të Donbasit dhe të pjesës jugore të Ukrainës.
Komandanti në detyrë i Qarkut Qendror ushtarak të Rusisë, Rustam Minnekayev, është cituar të ketë thënë sipas mediave shtetërore më 22 prill, se kontrolli i plotë i jugut të Ukrainës është qëllim strategjik për të mundësuar qasjen në rajonin pro-rus të Moldavisë, Transdniestër.
“Kontrollimi i jugut të Ukrainës është një tjetër rrugë për në Transdniestër”, ka thënë ai, duke shtuar se kjo gjë do t’i mundësonte ushtrisë “të ndikonte në pjesë të rëndësishme të ekonomisë ukrainase”.
Në mënyrë që Moska të ketë qasje në Transdniestër, ushtria ruse duhet të fitojë kontrollin e qyteteve Odesa dhe Mikollaiv.
Komentet e Minnekayevit përbëjnë përshkrimin më të detajuar të qëllimeve të Rusisë në fazën e dytë të pushtimit të Ukrainës dhe janë përmendur nga Kievi si shenjë se Kremlini ka gënjyer në deklaratat fillestare kur ka thënë se Moska nuk ka ambicie territoriale.
Kievi ka përmendur po ashtu se rajoni Transdniestër mund të përdoret për të organizuar operacionet ruse kundër Ukrainës dhe Moldavisë, e cila ndan kufirin me shtetin anëtar të NATO-s, Rumaninë.
SHIKONI EDHE: OKB-ja thotë se po shtohen dëshmitë për krimet e luftës së Rusisë në UkrainëNë këtë rajon gjenden trupa ruse, pavarësisht kundërshtimeve të Kishinjevit.
Minnekayev ka thënë se rusishtfolësit janë të shtypur në Transdniestër.
Moldavia dhe liderët e Perëndimit deklarojnë vazhdimisht se kjo gjë nuk është e vërtetë.
Ministria e Jashtme moldave ka hedhur poshtë deklaratat ruse dhe ka ftuar për bisedë ambasadorin rus për të shprehur “shqetësimin e thellë” të Kishinjevit.
“Moldavia është shtet neutral dhe ky parim duhet të respektohet nga të gjithë faktorët ndërkombëtarë, duke përfshirë Federatën ruse”, është thënë në deklaratë.
SHIKONI EDHE: Zgjedhjet strategjike të Ukrainës dhe Rusisë për DonbasinNdërkohë, këshilltari i zyrës së Zelenskyt, Mykhailo Podolyak, ka thënë se negociatat për garanci të mundshme të sigurisë për Ukrainën - nga partnerë të huaj - janë duke vazhduar se mund të përfundojnë brenda një jave.
Podolyak ka thënë se “do të ketë pako të ndryshme të garancive”, mirëpo “është e rëndësishme për ne të kemi armë, të mbyllim qiejt, të kemi konsultime ushtarake dhe para për të blerë armë shtesë”.
Këshilltarë të liderëve të Shteteve të Bashkuara, Britanisë, Turqisë, Polonisë, Gjermanisë, Francës dhe Izraelit kanë shprehur gatishmëri për të diskutuar një listë për garanci të sigurisë për Ukrainën.
“Ne do të mbrojmë veten sa më gjatë që është e mundur, mirëpo të gjithë shtetet që sikurse ne besojnë në fitoren e jetës ndaj vdekjes, duhet të luftojnë me ne”, ka thënë Zelensky më 22 prill.