Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se qëllimi i inkursionit të befasishëm në rajonin jugor rus, Kursk, të nisur muajin e kaluar, është kapja e tokave dhe trupave ushtarake për këmbim, dhe që Kievi nuk ka nevojë për tokën e Rusisë.
“Nuk na duhet territor rus”, ka thënë Zelensky për NBC News më 3 shtator.
“Operacioni ynë ka për qëllim rikthimin e integritetit territorial. Ne kapim trupa ushtarake ruse për t’i këmbyer me trupat ukrainase”, ka thënë ai.
“Ne u themi atyre, shikoni, neve na duhen ushtarët tanë në këmbim me rusët. E njëjta logjikë është edhe për territoret. Nuk na duhet toka e tyre”.
Prej nisjes së inkursionit në rajonin Kursk, në fillim të gushtit, Kievi pretendon se ka fituar kontrollin e mbi 1.200 kilometrave të territorit rus.
SHIKONI EDHE: "Kievi synon t’i tregojë Perëndimit se s'ka vija të kuqe"Në raportimet paraprake janë dhënë sinjale që Kievi synon që përmes këtij operacioni të pozicionojë veten në mirë, në rast të nisjes së bisedimeve për paqe.
Ukrainasit dhe analistët kanë sugjeruar se përmes operacionit ushtarak është mëtuar t’iu tregohet edhe rusëve për situatën e luftës së nisur prej Moskës.
Inkursioni në Kursk përbën pushtimin e parë të huaj të territorit rus prej Luftës së Dytë Botërore.
Kievi dhe disa aleatët të tij kanë argumentuar së fundmi që ofruesit perëndimorë të ndihmës ushtarake, artilerisë dhe armëve tjera, duhet të heqin kufizime se si mund t’i përdorin forcat ushtarake ukrainase ato armë, dhe që të mundësojnë shfrytëzimin e tyre për sulme më thellë në Rusi.
I pyetur nëse Ukraina do të tentojë të zaptojë më shumë territor rus, Zelensky ka thënë përgjatë intervistës se nuk mund të japë më shumë hollësi.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.
Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.