Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky i ka thënë të mërkurën Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara se pushtimi rus në shtetin e tij është “kriminal” dhe ka thënë se Moskës duhet t’i hiqet e drejta e vetos në këtë institucion të OKB-së.
“Bota duhet ta di të vërtetën për këtë luftë”, ka thënë Zelensky teksa në të njëjtën tavolinë ka qenë ambasadori rus në OKB.
“Është agresion kriminal dhe i paprovokuar nga Rusia në kombin tonë, me qëllim të marrjen së territorit dhe burimeve të Ukrainës”.
SHIKONI EDHE: Biden i kërkon botës të bashkohet kundër RusisëTakimi është drejtuar për herë të parë nga Shqipëria, përkatësisht kryeministri i saj, Edi Rama.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres ka thënë në takim se lufta e Rusisë në Ukrainë “është duke i rritur tensionet gjeopolitike dhe ndasitë, po e kërcënon stabilitetin rajonal, po rrit kërcënimet bërthamore dhe po krijon çarje edhe më të thella në një botë multipolare”.
Kjo është hera e parë që Zelensky ka marrë pjesë fizikisht në një seancë të Këshillit të Sigurimit, prej nisjes së luftës në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.
Para nisjes së takimit, ambasadori rus në OKB, Vassily Nebenzia është deklaruar kundër fjalimit të Zelenskyt.
“Dua t’i siguroj kolegët tanë rusë dhe të gjithë këtu që ky nuk është operacion special i Presidencës shqiptare. Ekziston një zgjidhje për këtë. Nëse ju pajtoheni, ju e ndalni luftën dhe presidenti Zelensky nuk flet”, ka thënë kryeministri shqiptar Rama.
Më vonë, Zelensky e ka falënderuar Ramën për moderim të seancës.
“I dashur Edi Rama, sot në takimin e Këshillit të Sigurimit, ju i keni treguar botës se si të trajtohet Rusia në mënyrën e duhur, gënjeshtrat dhe hipokrizia e saj. Ju faleminderit që e drejtoni presidencën në mënyrë kaq parimore”, ka shkruar Zelensky në X - platformë e njohur më parë si Twitter.
Në 19 muajt e fundit, Këshilli i Sigurimit është takuar dhjetëra herë për të diskutuar për Ukrainën, mirëpo nuk ka mundur të vendosë për diçka për çështjen e vetos që e gëzon Rusia, si anëtare e përhershme e këtij trupi.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.
Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.