Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka nisur fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara me temën e armëve bërthamore.
Ai ka thënë se shekulli 20 e ka mësuar njerëzimin që të mos përdoren armë për shkatërrim në masë, dhe që të promovohet çarmatimi i plotë bërthamor.
Mirëpo, sipas tij, Rusia ende ka burime bërthamore dhe “nuk ka të drejtë” të posedojë armë bërthamore.
“Ushqimi është kthyer në armë”
Presidenti ukrainas ka thënë se ekzistojnë traktate kundër armëve, mirëpo jo edhe kufizime reale kundër kthimit në armë të gjërave sikurse ushqimi.
“Prej nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, portet ukrainase janë bllokuar nga Rusia”, ka thënë ai.
“Portet tona në lumin Danub janë shënjestra të raketave dhe dronëve”.
Zelensky ka thënë se Rusia është duke i shfrytëzuar furnizimet me ushqim për t’iu bërë presion shteteve që ta njohin territorin e kapur ukrainas si rus, dhe i ka falënderuar ato shtete që kanë vendosur të blejnë grurë ukrainas, për t’iu rezistuar përpjekjeve të tilla.
SHIKONI EDHE: A munden drithërat ukrainase të lehtësojnë krizën globale ushqimore?“Kidnapimi i fëmijëve është gjenocid”
Zelensky ka folur edhe për fëmijët ukrainas që janë dërguar në Rusi.
Ai ka thënë se në të kaluarën grupet terroriste i kanë kidnapuar fëmijët, mirëpo tani, në kohë lufte, kidnapimi dhe dëbimi i fëmijëve ukrainas në Rusi është politikë e Qeverisë së presidentit rus, Vladimir Putin, diçka që nuk është parë kurrë më parë.
“Janë dhjetëra mijëra fëmijë që ne e dimë se janë kidnapuar në Rusi” ka thënë Zelensky, duke shtuar se “ne jemi duke tentuar që t’i kthejmë ata sërish në shtëpi, por koha po ec”.
“Çfarë do të ndodhë me ta?” ka pyetur ai.
“Këta fëmijë në Rusi mësojnë që ta urrejnë Ukrainën dhe u shkëputen të gjitha lidhjet me familjet e tyre. Ky është gjenocid i pastër”, ka thënë ai.
SHIKONI EDHE: Persekutimi i liderëve rusë - i vështirë, por i mundurLufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.
Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.
“Kujdes nga kthimi i inteligjencës artificiale në armë
Zelensky e ka vazhduar fjalimin e tij duke përmendur edhe rreziqe tjera vdekjeprurëse, përveç armëve bërthamore.
“Ne shohim qyteza, ne shohim fshatra në Ukrainë, të shkatërruara nga artileria ruse”, ka thënë ai.
“Ne i dimë efektet e mundshme të përhapjes së luftës në hapësirën kibernetike”.
“Falë Zotit, njerëzit ende nuk kanë mësuar si ta përdorin klimën si armë”, ka vazhduar ai, teksa i ka përmendur një mori të katastrofave natyrore.
Më pas është kthyer sërish te konflikti në shtetin e tij.
“Teksa është duke ndodhur e gjithë kjo, një katastrofë jonatyrore në Moskë ka vendosur të nisë luftë të madhe dhe t’i vrasë mijëra njerëz. Ne duhet ta ndalim atë”, ka deklaruar Zelensky.
SHIKONI EDHE: Gjak dhe armë: Kostoja e luftës së Rusisë në Ukrainë“Të keqes nuk duhet besuar – pyesni Prigozhinin”
Zelensky ka folur edhe për formulën e paqes, e cila, sipas tij, mund t’i japë fund luftës në Ukrainë.
Ai ka thënë se është duke u punuar për një samit të paqes, dhe e ka ftuar audiencën të marrë pjesë në të, kur të konfirmohet gjithçka.
Presidenti ukrainas ka thënë se uniteti duhet të diskutohet hapur, jo vetëm mbrapa dyerve të mbyllura.
“Të keqes nuk duhet besuar, pyesni Prigozhinin”, ka thënë Zelensky, duke iu referuar ish-udhëheqësit të grupit mercenar rus, Wagner, i cili pak kohë pas nisjes së një rebelimi kundër Putinit, ka vdekur nga rrëzimi i një aeroplani.
SHIKONI EDHE: Kremlini thotë se avioni i Prigozhinit mund të jetë rrëzuar qëllimishtZelensky e ka përmbyllur fjalimin e tij me shpresën e lufta e Rusisë në Ukrainë do të jetë e fundit në këtë botë.
Lufta në Ukrainë ka qenë tema kryesore edhe në fjalimin e presidentit amerikan Joe Biden të mbajtur disa orë në parë në Asamblenë e OKB-së.
Ai u ka bërë thirrje liderëve botërorë që të bashkohen kundër Rusisë dhe t’i qëndrojnë afër Ukrainës.
“Nëse e lejojmë Ukrainën që të gërmohet, a është e sigurt pavarësia e ndonjë vendi?” ka pyetur Biden.
Fjalimi i tij është përcjell me duartrokitje kur ka thënë se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë me Ukrainën në luftën e saj për liri.
“Rusia është ajo që e mban përgjegjësinë për këtë luftë. Rusia e ka forcën që ta ndalë këtë luftë menjëherë”.
SHIKONI EDHE: Biden i kërkon botës të bashkohet kundër RusisëPër shkak të prezencës së madhe të figurave publike në Asamble, ky organizim shihet edhe si mundësi që liderët të mbajnë takime me njëri-tjetrën.
Megjithatë, në Asamblenë e këtij viti nuk marrin pjesë: presidenti francez, Emmanuel Macron, presidenti kinez, Xi Jinping, presidenti rus, Vladimir Putin dhe kryeministri britanik, Rishi Sunak.