Zelensky kërkon që bisedimet për anëtarësimin e Ukrainës në BE të nisin këtë vit

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se pret që bisedimet për anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian, të nisin në fund të këtij viti.

“Synimi është që të nisin negociatat këtë vit dhe ky nuk është vetëm qëllim, po synim i madh”, ka thënë Zelensky në Kiev, në një konferencë të përbashkët me shefen e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel.

“Ukraina dhe BE-ja, ne jemi një familje”, ka thënë Michel.

“E ardhmja e Ukrainës është brenda BE-së”, ka shtuar ai, pa përmendur afate kohore.

“Vendosmëria juaj për të çuar vendin përpara lë mbresa”, ka thënë von der Leyen.

Ajo e ka pranuar se Ukraina ka bërë disa reforma, pavarësisht luftës, mirëpo ka shtuar se procesi për anëtarësim në BE nuk ka “afate të vrazhda kohore”.

SHIKONI EDHE: Von der Leyen: Ukraina tashmë ka një perspektivë të qartë evropiane

Këto deklarata janë bërë në kuadër të një samiti që është mbajtur mes BE-së dhe Ukrainës në Kiev.

Anëtarësimi në bllokun evropian është proces tejet kompleks dhe i gjatë, pasi lidhet me harmonizimin e ligjeve të vendit përkatës dhe ato të BE-së.

Procesi nga statusi i vendit kandidat, të cilin Ukraina e ka siguruar vitin e kaluar, e deri te nisja e bisedimeve zyrtare, në të kaluarën ka zgjatur, me raste, më shumë se një dekadë.