Presidenti i Ukrainës kërkon anëtarësim në BE

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, vendi i të cilit po përballet me një pushtim të paprovokuar nga Rusia fqinje, i bëri thirrje Bashkimit Evropian që t’i ofrojë Ukrainës anëtarësimin të menjëhershëm, me procedurë të veçantë.

“Qëllimi ynë është të jemi me të gjithë evropianët dhe, më e rëndësishmja, të jemi të barabartë. Jam i sigurt se është e drejtë. Jam i sigurt se e meritojmë”, tha Zelensky në një video-fjalim të shpërndarë në mediat sociale.

“Evropianët janë dëshmitarë se si ushtarët tanë po luftojnë jo vetëm për vendin tonë, por për të gjithë Evropën, për paqen, për paqen për të gjithë, për të gjitha vendet e Bashkimit Evropian”, tha ai.

“Ukrainasit i kanë treguar botës se kush jemi ne, ndërsa Rusia ka treguar se në çfarë është shndërruar… Çdo krim, çdo granatim nga pushtuesi vetëm na bashkon më shumë”, shtoi Zelensky.

Ai u bëri thirrje edhe ushtarëve pushtues rusë që t’i dorëzojnë armët.

“Braktisni pajisjet tuaja! Largohuni nga këtu! Mos u besoni komandantëve tuaj! Mos u besoni propaganduesve tuaj! Thjesht, shpëtoni jetën tuaj”, tha Zelensky.

  • Për lajme në kohë reale nga lufta në Ukrainë, na përcillni në këtë blog.

Forcat ruse kanë nisur sulmet në Ukrainë më 24 shkurt, me urdhër të presidentit të tyre, Vladimir Putin.

Ai ka thënë se ka autorizuar “një operacion të posaçëm ushtarak”, për të eliminuar, sipas tij, kërcënimin serioz nga Ukraina.

Qëllim i operacionit, ka thënë Putin, është çmilitarizimi i fqinjit jugor të Rusisë.

Paraprakisht, ai i ka shpallur të pavarura dy rajone separatiste në lindje të Ukrainës.

Në vitin 2014, Rusia ka aneksuar edhe Gadishullin ukrainas të Krimesë dhe ka nxitur lëvizjen separatiste në Ukrainën lindore.

Perëndimi i ka dënuar ashpër veprimet e Rusisë, duke i cilësuar si shkelje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës.