Zelensky thotë se “s'ka zgjidhje tjetër” pos të negociojë me Rusinë

Volodymyr Zelensky gjatë vizitës në Buça më 4 prill. Në këtë qytet, autoritetet ukrainase thonë se forcat ruse kanë vrarë afër 300 civilë.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se “nuk ka zgjidhje tjetër” pos të negociojë për fundin e luftës me Rusinë, edhe pse ai tha se negociatat janë të vështira për shkak shenjave që sugjerojnë se forcat ruse mund të kenë kryer mizori ndaj civilëve, që nxitën dënim nga komuniteti ndërkombëtar dhe shtuan thirrjet për hetime të krimeve të luftës.

Duke folur në një intervistë me gazetarët ukrainas, që u transmetua më 5 prill në transmetuesin shtetëror, Zelensky i quajti ngjarjet në qytetin e Buças si “të paharrueshme” dhe tha se “të gjithë ne, përfshirë edhe veten, do të perceptojmë edhe mundësinë e negociatave si një sfidë”.

“Së pari, sfida është e brendshme, është sfidë njerëzore. Më pas, kur e merr veten dhe duhet ta bësh, mendoj se ne nuk kemi zgjidhje tjetër”, shtoi ai.

Your browser doesn’t support HTML5

Bisedimet: Shpresë a blerje kohe?

Presidenti ukrainas pritet që më 5 prill t’i drejtohet Kombeve të Bashkuar përmes video-lidhjes.

Intervista e Zelenskyt vjen vetëm një ditë pasi ai vizitoi Buçan, që gjendet në periferi të Kievit, ku zyrtarët ukrainas thanë se janë gjetur trupa të civilëve të vrarë. Trupa u gjetën në rrugë dhe shtëpi të këtij qyteti.

Pamjet nga Buça kanë nxitur dënim ndërkombëtar ndaj Rusisë, e cila ka mohuar se është përgjegjëse për vrasjet.

Kryetari i Buças, Anatoliy Fedoruk, tha se vrasjet – ku vlerësohet se janë vrarë afër 300 civilë – ishin bërë “për t’iu hakmarrë rezistencës ukrainase”.

SHIKONI EDHE: Zelensky thotë se vrasjet në Buça duhet të njihen si gjenocid  

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se pamjet e varrezave masive dhe të rrugëve të mbushura me trupat e pajetë të civilëve, kanë shfaqur “brutalitetin që Evropa nuk ka parë në shumë dekada”. Ai shtoi se ka frikë se “mizori të tjera” do të zbulohen në Ukrainë.

Delegacionet ruse dhe ukrainase po vazhdojnë bisedimet intensive të paqes, pavarësisht pretendimeve për këto krime.

Duke iu përgjigjur komenteve të Zelenskyt, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Moska nuk e përjashton mundësinë e takimit të presidentëve të Rusisë dhe Ukrainës. Megjithatë, Peskov tha se një takim i tillë ka të ngjarë të ndodhë vetëm nëse palët pajtohen për të nënshkruar një dokument.

Zelensky tha se Ukraina ka ofruar në bisedimet e paqes që të ketë një status neutral, që do të kishte garanci të sigurisë nga shtetet e tjera.

Në intervistën e 5 prillit, ai theksoi e Ukraina ende nuk ka një listë të shteteve që janë të gatshme që të ofrojnë garanci të sigurisë.

“Shtete të ndryshme veçse kanë garantuar për gjëra të ndryshme”, tha ai.

“Deri më tani, ne nuk kemi pranuar një listë të shteteve që janë të gatshme të na bashkohen ne 100 për qind. Ne na duhen lojtarë seriozë. Ne na duhet një rreth i shteteve që janë të gatshme të na ofrojnë armët e duhura brenda 24 orësh. Ne na duhet që sanksionet të përpilohen paraprakisht dhe në momentin që ne ndihemi të kërcënuar nga Federata Ruse, ato shtete të bashkohen dhe të prezantojnë masat e duhura menjëherë”, tha ai.

Në përgjigje të raportimeve për mizoritë në Buça dhe luftës së paprovokuar ruse ndaj Ukrainës, Bashkimi Evropian më 5 prill propozoi ndalim të importeve të qymyrit nga Rusia. Nëse këto masa miratohen, do të ishin sanksionet e para që do të shënjestronin industrinë e energjisë ruse.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha se blloku evropian – që importon rreth 4.5 miliardë vlerë të qymyrit rus në vit – duhet të rrisë presionin ndaj presidentit rus, Vladimir Putin, pas “krimeve të tmerrshme” të kryera përreth Kievit.

Ajo shtoi se mund të ketë ndalesë edhe të importeve të naftës, por një lëvizje e tillë është debatuar në 27 vendet anëtare dhe disa shtete të BE-së janë më të varura nga furnizimet ruse.

Ndërkaq, disa shtete evropian, përfshirë Danimarkën, Suedinë, Italinë dhe Spanjën, njoftuan më 5 prill se kanë dëbuar diplomatë rusë nga shtetet e tyre.

Në përgjithësi, shtetet evropiane deri më tani kanë dëbuar afër 150 diplomatë rusë në dy ditët e fundit dhe mbi 250 që prej se Rusia nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt.