"Nuk do të mbeteni kurrë vetëm" - porosia që mori Zelensky në SHBA
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, mbërrin në Shtëpinë e Bardhë, në Uashington, më 21 dhjetor, për t’u pritur nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, dhe Zonja e Parë, Jill Biden.
Ky është udhëtimi i parë jashtë vendit i presidentit ukrainas, që kur Rusia nisi një pushtim të shkallës së gjerë në Ukrainë, 10 muaj më parë.
Biden (djathtas) pret Zelenskyn në Shtëpinë e Bardhë, më 21 dhjetor.
Udhëtimi i Zelenskyt në Shtetet e Bashkuara u bë teksa Kongresi amerikan po përgatitet të votojë për një projektligj të madh shpenzimesh, i cili përfshin një dispozitë për ndarjen e rreth 45 miliardë dollarëve për ndihmë shtesë ushtarake për Ukrainën.
Biden dhe Zelensky mbajnë një konferencë të përbashkët për media në Dhomën Lindore të Shtëpisë së Bardhë.
Përderisa projektligji pritet të miratohet, mbështetja e SHBA-së për Ukrainën është zbehur, teksa lufta po vazhdon dhe teksa amerikanët po e ndiejnë peshën e inflacionit të lartë.
Gjatë takimit të tyre në Zyrën Ovale, Zelensky i dha Bidenit një dhuratë nga ushtarakët ukrainas, që po shërbejnë në qytetin e Bahmutit, në vijën e frontit.
Zelensky më vonë mbajti një fjalim emocional në kohë lufte para Kongresit amerikan, duke iu thënë amerikanëve se “paratë tuaja nuk janë bamirësi”, dhe se populli i tij do të luftojë në emër të të gjitha kombeve të lira kundër Rusisë.
Zelensky lexon nga shënimet e tij, gjatë adresimit para Kongresit të SHBA-së.
Nënpresidentja amerikane, Kamala Harris (majtas), dhe kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, Nancy Pelosi, duke mbajtur një flamur ukrainas me nënshkrime, që Zelensky ua solli nga Bahmuti.
Gjatë adresimit të tij, Zelensky krahasoi heroizmin e ushtarëve ukrainas që po e mbrojnë Bahmutin me atë që e dëshmuan trupat amerikane që luftuan kundër trupave të Adolf Hitlerit në Ofensivën e Ardeneve më 1944, e zhvilluar po ashtu gjatë kohës së Krishtlindjeve.
“Bahmuti qëndron”, tha Zelensky, teksa mori duartrokitje. “Ukraina i mban vijat e saj dhe nuk do të dorëzohet kurrë”.
Një flamur amerikan që kishte valuar mbi ndërtesën e Kongresit, më herët gjatë ditës, për nder të tij, i jepet Zelenskyt nga Pelosi.
Zelensky përmbylli fjalimin e tij duke thënë: “Ju faleminderit shumë, Zoti i ruajttë trupat dhe qytetarët tanë të guximshëm, Zoti i bekoftë gjithmonë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ju uroj për shumë mot Krishtlindjet dhe një Vit të Ri të lumtur e fitimtar. Slava Ukrayini! (Lavdi Ukrainës!)”.
Zelensky përshëndetet ngrohtësisht nga ligjbërësit teksa largohet nga Kongresi amerikan.