Zelensky takon ushtarët në qytetin e rikthyer të Izjumit

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky në qytetin e Izjumit.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka vizituar qytetin e Izjumit, kontrollin e të cilit e ka rikthyer ushtria ukrainase ditë më parë.

Përgjatë vizitës së tij, Zelensky ka falënderuar trupat ushtarake që janë përfshirë në kundërofensivën ndaj forcave ushtarake ruse.

Ai ka mbikëqyrur një ceremoni teksa është ngritur flamuri ukrainas në Izjum, dhe ka thënë se diçka e tillë do të ndodhë në secilin qytet dhe fshat të shtetit.

Zyrtarët ukrainas kanë thënë se janë duke shënjestruar qytezat në rajonin lindor të Donbasit, pas fitoreve të shënuara në kuadër të kundërofensivës së shpejtë.

Ushtria ukrainase ka rikthyer kontrollin e një pjese të madhe të territorit që kanë kontrolluar forcat ruse, prej nisjes së luftës në Ukrainë në fund të muajit shkurt.

Në një adresim para popullit, Zelensky ka thënë se forcat e tij janë duke rritur kontrollin e mbi 8.000 kilometrave katrorë në rajonin e Harkivit.

SHIKONI EDHE: Grupi paramilitar i Kadyrovit “përforcon” trupat ruse në Ukrainë

Ai është zotuar për rikthimin e kontrollit në gjithë territorin e pushtuar nga forcat ruse dhe se “e drejta është në anën tonë”.

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se Ukraina ka shënuar fitore të rëndësishme.

Ndonëse Rusia ende kontrollon rreth një të pestën e territorit ukrainas, qytezat në Donbas tani janë në fokus të ushtrisë ukrainase.

Pas dështimit për të kontrolluar kryeqytetin ukrainas, Kiev, Rusia ka tërhequr trupat në Donbas, pjesë të të cilit janë nën kontrollin e rebelëve të mbështetur nga Rusia.

SHIKONI EDHE: Gjak dhe kaos: Kostoja e luftës së Rusisë në Ukrainë

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Ai e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.