Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, ka deklaruar se pret që Qeveria e Kosovës të nisë bisedimet për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Ai shtoi se “këto ditë priten takimet lidhur me këtë çështje”.
Ambasadori Guerot theksoi se nga lideri i Serbisë pret që ai t’i respektojë obligimet që ka marrë dhe se në të kundërtën do të ketë pasoja për të dyja palët.
“Është shumë herët të thuhet se cilat do të jenë pasojat dhe tani duhet të fokusohemi në përfitimet”, tha Guerot në debatin për zbatimin e Marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, që po mbahet të premten, në Qendrën Mediale në Çagllavicë, në afërsi të Prishtinës.
Më 27 shkurt, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pranuan Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve në bazë të propozimit evropian, ndërsa më 18 mars në Ohër, u pajtuan për Aneksin për zbatimin e saj.
SHIKONI EDHE: Asociacioni, hapi i parë i zbatimit të Marrëveshjes për normalizimAmbasadori francez theksoi se negociatorët kryesorë në kuadër të dialogut, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, do të takohen më 4 prill në Bruksel dhe vlerësoi se ky është hapi i parë drejt zbatimit të Marrëveshjes.
Ambasadori francez Guerot tha se “një nivel i caktuar i vetëmenaxhimit të komunitetit serb në Kosovë”, që përmendet në Marrëveshje, i referohet pa mëdyshje formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Formimi i Asociacionit është paraparë marrëveshjen e vitit 2013, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por Prishtina zyrtare refuzoi ta zbatojë me arsyetimin se është e dëmshme dhe jo në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.
Parimet për formimin e Asociacionit janë miratuar në vitin 2015 dhe në to saktësohet se Asociacioni ka kompetencë të plotë në fushën e shëndetësisë, arsimit, planifikimit hapësinor dhe të tjera.
Megjithatë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës konstatoi se këto parime nuk janë plotësisht në harmoni me Kushtetutën e Kosovës, por se ato mund të harmonizohen.
Guerot inkurajoi Qeverinë e Kosovës që të nisë diskutim për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Në të njëjtin debat, ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, është shprehur optimist për zbatimin e kësaj Marrëveshjeje dhe ka theksuar se më e rëndësishmja në këtë moment është se marrëveshja është arritur.
“Tani kemi edhe vullnetin politik të aktorëve”, tha Rode.
Ai ka shprehur mendimin se Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve është një “obligim afatgjatë” dhe shtoi se Kosova duhet të respektojë pjesën që ka të bëjë me vetëmenaxhimin e komunitetit serb në Kosovë, ndërkaq Serbia nuk duhet të bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Ai tha se këtë herë është më optimist dhe se e sheh vullnetin e liderëve të Kosovës dhe Serbisë për të zbatuar atë që është rënë dakord.
Ambasadori gjerman beson se kjo Marrëveshje do t’ua lehtësojë jetën qytetarëve të zakonshëm, veçanërisht pjesëtarëve të komunitetit serb që jetojnë në veri të Kosovës.
I pyetur nga gazetarët se si i komenton deklaratat e presidentit serb Aleksandër Vuçiq se ai kurrë nuk do ta lejojë Kosovën të anëtarësohet në Kombet e Bashkuara, ambasadori gjermane Rohde tha se mesazhe të tilla “nuk janë të shëndetshme”, por se komuniteti ndërkombëtar duhet të fokusohet në zbatimin e marrëveshje.
Marrëveshja drejt normalizimit, ndër të tjera, parasheh respektimin e ndërsjellë të pavarësisë, autonomisë dhe integritetin territorial, por nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia.
SHIKONI EDHE: Bislimi dhe Petkoviq takohen më 4 prill në BrukselGjithashtu, Serbia merr përsipër të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, ndërkaq marrëveshja parasheh edhe njohjen reciproke të targave, simboleve, dokumenteve, diplomave dhe vulave doganore.
Gjithashtu, në marrëveshje është paraparë edhe një “aranzhim i veçantë për komunitetin serb në Kosovë”, gjegjësisht, një nivel i caktuar i vetëmenaxhimit.
Ky propozim është mbështetur nga vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Bashkimi Evropian ka njoftuar më herët se kjo Marrëveshje, ndonëse e pa nënshkruar, është ligjërisht obliguese dhe se do të bëhet pjesë integrale e procesit të integrimit të Serbisë dhe Kosovës në Bashkimin Evropian.